Ushtria shqiptare në Kroaci (7): Si të reagojnë subjektet politike!?

 

 

Iljaz Halimi, kryetar i Partisë Demokratike Popullore në Maqedoni, bëri një vlerësim të situatës politike në Jugosllavi në përgjithësi dhe të situatës në Maqedoni në veçanti. “Kuptohet se kjo është një politikë e gabuar, qëllimkeqe dhe pa vend, që po zhvillojnë forcat e errëta si në Maqedoni, atje ku gjendemi dhe veprojmë, ashtu edhe në Serbi, Mal të Zi dhe gjetiu. Prandaj, nuk është e rastit kur themi se gjendemi në një moment historik, që ne përfaqësuesit e partive politike, përfaqësuesit e shoqatave tjera si dhe intelektualë, domosdo duhet të gjejmë një rrugë, mundësi të arsyeshme për daljen nga kjo situate në të cilën gjendemi, me qëllim të zgjidhjes një herë e përgjithmonë të çështjes sonë kombëtare në Jugosllavi”, tha Iljaz Halimi para të pranishmëve në Stubiçke Toplicë. Halimi tha se ekzistojnë dy opsione bazë për të ardhmen e Jugosllavisë: konfederatë dhe federatë. “Mirëpo unë do të thosha se ekzistojnë edhe dy opsione tjera: opsioni asimetrik dhe i reduktuar. Të gjitha këto variante apo opsione janë të mundshme për ardhmërinë e Jugosllavisë. Është me rëndësi që ne, pavarësisht nga ajo se cili opsion do të pranohet, do të duhet të dimë si do të duhet të gjendemi në situatën e dhënë dhe kuptohet si do të duhet të veprojmë”, u shpreh Halimi.

Ai më tej vlerësoi se nëse do të analizoheshin programet e partive politike shqiptare do të shihet se çdo parti është përcaktuar për një opsion të rregullimit të Federatës jugosllave. “Në realitet secila parti ka bërë një elaborate të gjendjes dhe situatës ku do të duhet të gjinden shqiptarët. Konkretisht, Partia Demokratike Popullore, në programin e vet është përcaktuar për variantin e konfederatës, mirëpo gjithsesi jemi përcaktuar për atë që të gjithë elementet konstituive të gjertanishme të kësaj federate të jenë pjesëmarrës në biseda lidhur me një nga opsionet për të cilin do të përcaktoheshin përfaqësuesit e gjithë popujve”, shpjegoi Iljaz Halimi. Ai më tej në fjalimin e tij para pjesëmarrësve në takimin mbarëkombëtarë në Stubiçke Toplice, tha se nuk është e rastit që shqiptarët në Jugosllavi edhe pse përbënin kombin e tretë, me mbi 3 milionë, vazhdonin të llogariten si pakicë kombëtare. Qëllimi i kësaj, sipas Halimit, është që të drejtat e shqiptarëve të reduktohen deri në atë masë, sa në një farë mënyre është e garantuar me disa marrëveshje apo konventa ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Halimi kërkoi angazhim më të madh që me anë të fakteve të argumentojmë se shqiptarët janë komb, meqë siç vlerësoi Halimi, “i kemi të gjitha karakteristikat dhe elementet që e formojnë një komb”. Iljaz Halimi, kryetar dhe deputet i vetëm i Partisë Demokratike Popullore në Kuvendin e atëhershëm të Maqedonisë. Halimi tha se duhet të mendohet për variante të tjera të reagimit të shqiptarëve, ku një nga opsionet më të mira ishte vetorganizimi. “Në qoftë se Kosova nuk do të përfillet, atëherë plotësisht pajtohem me këtë që është në teza dhe diskutim, pra nëse vjen deri te shpërndarja e Jugosllavisë, atëherë jemi për konstituimin e Republikës së gjithë shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi”, tha Iljaz Halimi.

Pas Iljaz Halimit, fjalën e mori përfaqësuesi i Partisë për Prosperitet Demokratik, Sami Ibrahimi, i cili fillimisht bëri një retrospektivë të veprimtarisë së kësaj partie të shqiptarëve në Maqedoni, ku në prezantmin e tij para të pranishmëve në Stubiçke Toplicë, tha se PPD është parti e qytetarëve dhe nuk është e definuar si parti shqiptare, ndërsa gjithashtu mohoi edhe zërat se kjo parti mund të jetë filiale e LDK-së. Sami Ibrahimi bëri një prezantim të shkurtër të raporteve shqiptaro-maqedone në “Republikën Socialiste të Maqedonisë”, ku tha se shqiptarët janë të anatemuar, të fyer dhe të nënçmuar me metodat më jocivilizuese, jodemokratike. Pasi u regjistruan si parti, tha ai, pati shumë kërkesë për t’u ç’regjistruar.“Siç e dini u formua Parlamenti maqedonas, aty jemi prezent së bashku me Partinë Popullore Demokratike me 23 deputetë, por pritej, së paku sipas votuesve, të jemi 50 deri 52 deputetë. Lidhja Komuniste për një deputet ka patur mesataren e votuesve 3500, VMRO 3100, Forcat reformuese 2500, ndërsa mesatarja e Prosperitetit dhe Partisë Popullore ka qenë vetëm 8000, pra me metodat jocivilizuese u bë çmos të na përgjysmojnë”, tha Sami Ibrahimi në fjalë e tij mbi pozitën e shqiptarëve në Republikën Socialiste të Maqedonisë së asaj kohe. Ai tha se në Parlamentin e Maqedonisë 23 deputetët shqiptarë janë si një kokë, një trup dhe një mendje, të cilët janë betuar që t’i realizojnë programet e dy partive në përpikëri, pa kurrfarë devijimi. “Në kohën e fundit ishte çështja e sovranitetit. Maqedonasit kërkojnë që Maqedonia të jetë shtet i maqedonasve dhe qytetarëve tjerë dhe kurrsesi nuk përmendet populli shqiptarë apo kombi shqiptarë. Ne në fjalorin tonë e kemi flakur termin pakicë apo kombësi. Pakicë nuk jemi e kombësi është pjellë e sistemit monist, pra ne vetëm përdorim termin kombe”, shtoi më tej Ibrahimi. Ai tha se dy partitë politike shqiptare në Maqedoni janë të interesuar që kryetari i Republikës së Maqedonisë të jetë një njeri i cili nuk do t’ia shtojë edhe një votë apo nuk do t’ia shtojë edhe një gisht Serbisë. “Në Parlament është përmendur edhe Kosova disa herë. Nga deputetët tanë dhe është kërkuar që në marrëveshjen për Jugosllavinë e ardhshme patjetër të përfshihet edhe Kosova si subjekt i barabartë dhe jemi përcaktuar për konfederatë”, tha Sami Ibrahimi, i cili më tej vlerësoi se gjendja politike dhe ajo ekonomike është tepër e rëndë, ndërsa si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni janë me mijëra të papunë. “U kemi thënë maqedonasve se dëshirojmë të jetojmë si të barabartë, ta ruajmë Maqedoninë si e trashëguam, në kuadër të këtyre kufijve. Mirëpo nëse Maqedonia sovrane kërkon që t’i bashkohet ndonjë populli tjetër fqinjë, apo ndonjë populli të Jugosllavisë së tashme, atëherë duhet patjetër që edhe ne shqiptarët në ato bisedime të marrim pjesë si subjekt i barabartë dhe të mos lejojmë që të bëhemi pjesë e ndonjë shteti fqinjë, sepse atëherë do të ndahen hesapet”, u shpreh Sami Ibrahimi. Ai tha se janë përcaktuar për konfederatë si model më i përshtatshëm për rregullimin e Jugosllavisë. “Do të ishim për një shtet gjithëshqiptarë. Duhet ta flakim fenomenin gjeografik – Shqipëria si i vetmi shtet që kufizohet me vetveten, këtë gjeografët e mirë e dinë. Ky është edhe qëndrimi i PPD-së. Besoj që është koha e fundit që ne të gjithë së bashku një herë e përgjithmonë të vendosim për fatin tonë”, tha Ibrahimi.

Pas tij, në debat u kyç Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-së. Ai tha se para dite diskutuan për pjesën e parë, kryesisht rreth synimeve te aksionit politik dhe tani kërkoi që të bisedohet për çështjen e strategjisë, politikës dhe formave të organizimit. “Ne situatën e dimë, e njohim, në të gjitha viset dhe të Kosovës. Po të fillojmë tash të merremi me atë, atëherë do ta harrojmë pjesën që duhet të bëjmë. Mos të kuptohemi keq, kemi nevojë të flasim dhe t’i themi mendimet ndërmjet veti, por konkretisht duhet të thuhet si t’ia bëjmë dhe në çfarë formë të organizimit të mëtutjeshëm.. Dikush thotë në formë më të shkurtër, dikush në formë tjetër. E respektoj mënyrën origjinale, individuale të njerëzve si dhe pikëpamjet”, tha Ibrahim Rugova. Ai më pas vlerësoi se të gjitha partitë politike, për fat të mirë, në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi, po ashtu edhe në Serbi, kanë punuar dhe kanë vepruar në kuadër të kësaj rezistence, që siç u shpreh Rugova, “ne i themi politikë, por bota ka të drejtë ta quaj pasive apo aktive”. Ai tha se në ato momente nuk duhej ta kufizojmë atë, nuk duhet të merren shumë me të, sepse ata, vlerësoi Rugova, për fat kishin dalë në skenën ndërkombëtare. “Nuk na prish gjë në punë. Mund të jetë e Kingut apo e Gandit, apo e tjerëve, ajo vetëm që e pasuron. Unë e kam kuptuar, e thash në fillim, si takim të ideve si dhe çfarë të bëjmë. Natyrisht, edhe rezultatet që i kemi pasur deri tash, por edhe të metat duhet t’i theksojmë. Pra ky takim duhet të kuptohet si një koordinim dhe një informim për punën e ardhshme. Nëse tash në mënyrë strikte i paraqesim pikëpamjet, mendoj se nuk do ta arrijmë efektin”, shtoi në fund Ibrahim Rugova.

Lazër Krasniqi u përqendrua në propozimin për formimin e Këshillit për Qëndresë, për të cilën diskutuesit e mëparshëm, thanë se duhet të veprojë jashtë partive politike dhe jashtë Kuvendit. “Tash unë po bëjë pyetje, kujt do t’i drejtohet ai këshill, kur e dimë se ata që duhet të veprojnë në emër të Këshillit, nëse veprojnë, ata i takojnë ndonjë partie. Nuk ka person jashtë ndonjë partie. Prandaj çdo aksion, çdo aktivitet që do të ndërmerret do të lidhet me ndonjë parti, LDK ose Partinë Demokristiane”, tha Krasniqi, i cili ishte decid se ky Këshill nuk mund të formohet me njerëz jashtë partive, pasi, sipas tij, çdo person në Kosovë është anëtarë i ndonjë partie politike, andaj dhe çdo aksion do të lidhet me dikë. Krasniqi parashtroi dhe disa dilema që dëshironte t’i pastrojë në lidhje me statusin e shqiptarëve në Maqedoni, Malin e Zi dhe Serbi. “Sa i përket Kosovës, dihet, ne jemi të okupuar, e dimë ku jemi, e tash jemi takuar këtu të dimë si të veprojmë. Një punë nuk e kam të qartë me shqiptarët në Mal të Zi, në Maqedoni dhe Serbi. Dëgjova këtu se Maqedoni është bërë Republikë e maqedonasve, shqiptarëve etj. A do të thotë kjo se shqiptarët e Maqedonisë janë të kënaqur me atë Republikë,me atë status”, pyeti Lazër Krasniqi. Ai më tej shtoi se për të kjo është një dileme, sepse “nesër duhet të dimë se çfarë aksioni duhet të ndërmarrim, sepse një pjesë e shqiptarëve është e kënaqur me statusin e vet”.  (Vijon)

 

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara