(vazhdon nga numri i kaluar)
Zgjedhja e kryesisë së punës, zgjedhja e grupit punues për hartimin e konkluzioneve, diskutime dhe paraqitja e konkluzioneve nga grupi punues, diskutimi dhe marrja e vendimeve, ishin katër pikat e rendit të ditës që bashkërisht u përcaktuan nga pjesëmarrësit në takimin mbarëkombëtarë në Stubiçke Toplicë (1991), të propozuara nga Kryetari i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Kroaci, Tomë Berisha, i cili edhe udhëhiqte me këtë takim. Ai propozoi edhe kryesinë e punë në përbërje: Ibrahim Rugova, Shukri Rahimi, Ali Aliu, Veton Surroi dhe Tomë Berisha. Për të lehtësuar punën e kuvendit, grupi që përbëhej nga Ali Aliu, Mehmet Kraja, Veton Surroi dhe Tomë Berisha përpiloi tezat për diskutim, me të cilat u dakorduan të pranishmit.
Teza e parë ishte “Perspektivat e Lëvizjes Politike Shqiptare” që parashihte lëvizjet politike të shqiptarëve në Jugosllavi të realizohen përmes dy formave të subjekteve politike. Forma e parë ishte përmes partive politike edhe atë: Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Fshatare e Kosovës, Partia Popullore Demokratike, Partia e Prosperitetit Demokratik, Partia Parlamentare e Kosovës, Partia Socialdemokrate e Kosovës, Partia për Veprim Demokratik, Partia Shqiptare Demokrishtere, Partia Demokratike në Mal të Zi, Lidhja Demokratike e Shqiptarëve në Mal të Zi dhe ndonjë parti tjetër që do të dilte nga propozimet e diskutuesve. Forma e dytë ishte përmes subjekteve tjera politike dhe formave tjera të organizimit si: Sindikata e Pavarur e Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, pastaj përmes individëve që politikisht organizohen si të pavarura dhe jashtë partive politike.
Synimet e lëvizjes
Jugosllavia ka hyrë në fazën e përfundimtare të ridefinimit me të gjitha mundësitë e hapura, duke filluar nga rikonstruimi e deri te shpërbërja. Pas rënies dhe shkapërderdhjes së bllokut lindor, hapet mundësia edhe për ridefinimin struktural të hapësirës ballkanike. Në rrethana të këtilla shtrohet urgjentisht çështja e opsionit shqiptarë kundruall këtyre transformimeve dhe lëvizjeve aktuale tash dhe në perspektivë. Nisur nga kjo, organizatorët e takimit vlerësuan se si e pakapërcyeshme shtrohet çështja e popullit shqiptarë në atë kohë dhe në të ardhmen. Pozicioni startues për shqyrtimin e këtij problemi ishte rikonstruimi i Jugosllavisë dhe shpërbërja e saj, si dy rrugë kah shihej se po shkonte Jugosllavia. Në të dyja rastet, bashkimi kombëtar i shqiptarëve u konsiderua si proces i natyrshëm dhe synim i të gjithëve, afatgjatë ose urgjent. Gjendja aktuale në atë kohë përkufizohej në tri aspekte të cilat kufizoheshin me ruajtjen e qenies kombëtarë që dalin nga: reduktimi drastik i të drejtave politike të shqiptarëve, përjashtimi i shqiptarëve nga marrëveshja për rikonstruimin e Jugosllavisë dhe degradimi gjithnjë e më i madh i statusit të shqiptarëve në Jugosllavi. Në këtë gjendje që ndodheshin shqiptarët dhe vetë Federate jugosllave, parashiheshin dy rrugë për të ardhmen e Jugosllavisë, Jugosllavia e tretë dhe rruga e dytë ishte shpërbërja e saj. Nëse Jugosllavia rikonstruohet, shqiptarëve u mbeten dy mundësi, edhe atë: nëse mbështetje për këtë rikonstruim është sovraniteti i republikave, atëherë mbetet që Kosova të bëhet republikë e qytetarëve të saj dhe nëse Jugosllavia rikonstruohet përmes sovranitetit të popujve shtet-formues, atëherë Kosova duhet të bëhet republikë e shqiptarëve në Jugosllavi. Në të dy situatat, Republika e Kosovës ishte e vetmja zgjidhje, vlerësuan pjesëmarrësit në këtë takim.
Me realizimin e sovranitetit, Republikës së Kosovës, duhej bërë integrimi i shqiptarëve në planin ekonomik, hapësinor dhe kulturor. Po në këto rrethana, shqiptarët në Jugosllavi do të synojnë njësimin, respektivisht unifikimin e të drejtave në planin arsimor dhe kulturor dhe do të kërkojnë forma organizative administrative-territoriale për krijimin e kushteve për zhvillim më të shpejtuar. Me këtë rast do të kërkohen format ekonomike, politike, kulturore, arsimore, shkencore. Në variantin e dytë, pra në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë, atëherë të pranishmit vlerësuan se shqiptarët do të synojnë të organizohen si tërësi kombëtare.
Strategjia e veprimit
Edhe në përpilimin e strategjisë së veprimit, pozicioni startues për analizë të mëtutjeshme ishte gjendja aktuale e cila ngërthente në vete disa aspekte si: pozitën politike dhe format e luftës së deritanishme politik; zhvillimet e ngjarjeve në Jugosllavi dhe reflektimin e tyre në rrethanat aktuale; de-institucionalizimin e shqiptarëve në Kosovë; efikasiteti dhe mosefikasiteti i rezistencës së deritanishme; synimi permanent për deshqiptarizimin e Kosovës, formësimin e sovranitetit dhe gjysmë-sovranitetit të republikave; zënien e pozitave startuese për negociata; zhvlerësimin e Federatës me reduktimin e saj në APJ me trend kah bilateralizimi i republikave dhe rrezikun latent për grushtet apo për konflikte etnike. Në këto rrethana u përcaktua edhe strategjia optimale e veprimit: Format e rezistencës ndaj pushtetit okupues; solidariteti dhe përballimi i varfërisë me të gjitha format optimale të organizimit të saj; inkuadrimi në bisedat bilaterale me republikat e tjera të Jugosllavisë; kontaktet me Shqipërinë (me partitë politike dhe nivel shtetëror); kontaktet e nivelit ndërkombëtarë me shtete dhe parti politike (Bashkësia Evropiane); kontaktet me shtetet fqinjë të Jugosllavisë; organizimi për mbrojtje dhe vetëmbrojtje.
Format e organizimit
Për organizimin e mëtejshëm të shqiptarëve në Jugosllavi u propozuan tre pika rreth të cilave do të diskutohej më pas në takim, dy kishin të bënin me organizimin e shqiptarëve në Jugosllavi dhe e treta kishte të bëjë me qëndrimin e tyre ndaj zgjedhjeve që mbaheshin në Federatën jugosllave. U propozua formimi dhe funksionimi i një trupi koordinues ndërpartiak në nivel të Kosovës dhe formimi i një trupi koordinues konsultativ ndërpartiak në nivel të shqiptarëve në Jugosllavi, ndërsa pika e tretë rreth së cilës do të hapej diskutim ishte marrja e një qëndrimi ndaj zgjedhjeve. Diskutimet filluan, ndërsa procesverbalist u caktua Nikollë Camaj, përfaqësues i shqiptarëve të Malit të Zi.
TOMË BERISHA, kryetari i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Kroaci e hapi takimin duke bërë një retrospektivë dhe vlerësim të situatës që mbretëronte në ish Jugosllavi dhe sjelljes së shtetit ndaj popujve të tjerë, me theks të veçantë shqiptarëve. Ai me këtë rast situatën e vlerësoi si fluide dhe të pasigurt, por edhe tejet kritike, veçanërisht për shqiptarët. “Armiku ynë shovinist serb, dita ditës është më i ashpër dhe i vendosur për të na lodhur, për të na gjunjëzuar, për të na nënshtruar. Këto aspirate janë më të dukshme kundrejt shqiptarëve, por imperializmi serb nuk heq dorë nga qëllimi që të nënshtrojë edhe kombet tjera, tash mund të themi të ish Jugosllavisë”, tha Tomë Berisha në fjalën e tij, i cili më tej shtoi se qeveria serbe, për të realizuar qëllimet e saja, është duke u përgatitur për çdo eventualitet, përfshirë edhe luftën. Berisha në këtë takim hapi disa çështje: “Çka kemi bërë dhe çka duhet bërë, çfarë përpjekje kemi bërë për të pasur një përkrahje serioze nga republikat tjera të Jugosllavisë? Në radhë të parë bëhet pyetja sa dhe si u përpoqëm për përkrahjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Është interesante të bëhet pyetja se pse faktori politik shqiptar nuk u dëgjua as njëzëri, e as me zë të fortë që ta dëgjonte faktori ndërkombëtarë”. Hapi i parë që propozoi Tomë Berisha, ishte që të gjitha partitë politike të dalin publikisht me një komunikatë, ku do të përkrahet vendosmërisht Republika e Kosovës dhe menjëherë të hyhet në negociata me Kroacinë, Slloveninë dhe Bosnje dhe Hercegovinën, sepse përkrahja e këtyre republikave do të lehtësonte përpjekjet e shqiptarëve para faktorit ndërkombëtarë.
Tomë Berisha në fjalën e tij u ndal edhe në rezistencën ndaj terrorit të Serbisë dhe vlerësoi se për momentin do të kishte kuptim edhe formimi i një organizate që mund të quhej Këshilli apo Komiteti, sido që të vendosnin pjesëmarrësit e tjerë dhe kjo organizatë do të kishte për detyrë fillestare rezistencën pa dhunë, ndërsa në ndërkohë do të bënte planet dhe përgatitjet për çdo gjendje dhe situatë eventuale që mund të paraqitej. Me një fjalë, sipas Berishës, karakteri i kësaj organizate dhe përmbajtja e punës së saj do të varej nga vetë zhvillimi i situatës së mëtejshme. “Imponohet formimi i një grupi të autorizuar nga ky vend dhe për këtë qëllim ky grup mund të veprojë si organ i yni, por edhe në kuadër të aktiviteteve që duhet zhvilluar qeveria kosovare e rikonstruuar”, shtoi më tej Tomë Berisha, i cili gjithashtu kërkoi që të lihen anash akuzat që deri atëherë kishin lëshuar përfaqësuesit politik dhe krerët e partive ndaj njëri tjetrit. Berisha foli dhe për çështje të tjera me rëndësi, siç ishin akordimi i aktiviteteve ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë si dhe rikonstruimi ose zgjedhja e Qeverisë së re. “Faktori politik i Kosovës dhe në radhë të parë Ibrahim Rugova si kryetar i partisë më të madhe në Kosovë, duhet të merren vesh me Kuvendin e Kosovës dhe sa më parë të zgjidhet Qeveria e re. Aty duhet të inkuadrohen dhe partitë tjera si dhe persona të dalluara të pavarura. Kuvendi i Kosovës pret sugjerime dhe marrëveshje me faktorin politik”, tha në fjalën e tij, Tomë Berisha. Ai në fund kërkoi që nga ky takim të dëgjohet edhe përkrahja publike për përpjekjet dhe rezultatet e arritura në Maqedoni dhe Mal të Zi, në fitoret e para të afirmimit të shqiptarëve si dhe në organizimin e tyre të suksesshëm dhe rolit të tyre në demokratizimin e jetës shoqërore dhe politike.
I pari që mori fjalën pas Tomë Berishës, ishte ALI ALIU, i cili kërkoi që fillimisht të bëhet analizë e saktë e situatës dhe përpilim i tezave për të lehtësuar punën e mëtutjeshme të kuvendit. Ai foli për mungesën e disa nga të ftuarit, si Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Mark Krasniqi dhe të tjerë, të cilët sipas Aliut ishin ftuar por nuk dihet arsyeja pse nuk erdhën. Ali Aliu përmendi se një nga arsyet mund të ketë qenë transporti, meqë atë kohë, siç tha ai, nuk punonte Aeroporti i Prishtinës, ndërsa edhe transportet e tjera nga Kosova ishin vështirësuar. Fjalën e Aliut e plotësoi LAZËR KRASNIQI, i cili për shkak të mungesës së disa të ftuarve propozoi që ndonjëri nga organizatorët t’i pret mysafirët që mund të vinin në çdo çast. Propozimi u prana, ndërsa Muharrem Nexhipi e mori përsipër të pret mysafirët e tjerë. Me të hyrë në temën e diskutimit fjalën e mori SHUKRI RRAHIMI, i cili kërkoi të krijohet një strategji e përgjithshme, e cila është më se e nevojshme dhe nuk guxojnë të presin që ngjarjet t’i befasojnë. Por, për shkak të mungesës së disa pjesëmarrësve, Rrahimi propozoi që në këtë mbledhje vetëm të diskutohet për një strategji, të jepen propozime dhe të pranishmëve t’u ndahen detyrat, ndërsa strategjia të përpilohet në ndonjë mbledhje tjetër, ku do të ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shqiptarëve nga diaspora dhe nga Shqipëria, si dhe të ftuarit që kishin konfirmuar ardhjen, por nuk ndodheshin aty për arsye të panjohura. Pas Shukri Rrahimit fjalën e mori IBRAHIM RUGOVA, i cili fillimisht kërkoi të jenë më praktik, të punojnë edhe me sugjerime, diskutime, por edhe praktikisht. “Por, një gjë duhet të dimë, që me formimin e partive politike, çështja jonë është më e afirmuar. Ndërsa tash jemi në një fazë tjetër dhe duhet të jemi të kujdesshëm, të kemi strategji dhe plane si afat-shkurte ashtu edhe afatgjate. Rezultati i këtij takimi është që së pari takohemi për t’u marrë vesh për disa forma. Sa i përket tezave, ato e kanë përfshirë tërë problematikën dhe duhet t’u përmbahemi sa më konkretisht”, tha Ibrahim Rugova. Rugova tha se çështja e Kosovës, e cila në këtë takim shtrohet në plan të parë, nuk ndahet nga qëllimet për integrim kombëtarë. “Janë në rend dite çështja e votimeve, përpjekjet tona për pavarësinë e Kosovës, institucionalizimi i Qeverisë, koordinimi me Kuvendin e Kosovës. Dëshiroj të shtoj që të gjithë duhet të jemi të interesuar për të gjitha problemet e shqiptarëve në të gjitha viset”. (vijon)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara