(vazhdon nga numri i kaluar)
I shoqëruar nga dy përfaqësuesit e Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), Shukri Rrahimi dhe Sami Ibrahimi, kryetari i atëhershëm i Partisë Demokratike Popullore (PDP) Iljaz Halimi në vitin 1991 ishte nisur të marrë pjesë në Kuvendin panshqiptare në Kroaci, duke mos qenë në dijeni për adresën dhe vendin e saktë të mbajtjes së saj.
Në pamundësi ekonomike për një transport më luksoz, që të tre shfrytëzojnë linjën hekurudhore për të arritur në Zagreb, ku e dinin vetëm se do të kishte një takim me njerëzit e LDSHK-së, të cilët as nuk u kishin treguar se kush tjetër do të marrë pjesë në konferencë.
“Pasi kemi arritur në Zagreb organizatorët na kanë marrë dhe na kanë dërguar në Stubiçke Toplicë. Ne e kemi ditur se ky takim do të mbahet diku në Kroaci, por jo se pikërisht në këtë qytezë. Në një farë mënyre ky takim është mbajtur me një lloj konspiracioni, prandaj vendi i mbajtjes së tubimit u është bërë e ditur pjesëmarrësve vetëm pasi kanë arritur në Zagreb”, thotë Halimi.
Halimi aktualisht është nënkryetar i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), dhe në një bisedë për gazetën KOHA flet për rëndësinë e këtij takimi i cili, sipas tij, ishte i vetmi takim që arriti t’i tubojë gjithë forcat politike shqiptare në ish-Jugosllavi. Aty, thotë ai, u morën vendime për pozicionimin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, statusin e ardhshëm të Kosovës, të shqiptarëve në shtetin e sapoformuar të Maqedonisë dhe shqiptarëve në republikat tjera të ish-Jugosllavisë.
Sipas Halimit, qëllimi i këtij takimi ka qenë gjetja e një modaliteti se si të organizohen më mirë shqiptarët, ndërsa fillimisht është bërë një retrospektivë e punës së subjekteve politike të atëhershme dhe organizatave të ndryshme.
Strategjia e munguar e veprimit
Meqë ishte fillimi i shkatërrimit të Jugosllavisë, por edhe fillimi i ndërtimit të shtetit të ri të Maqedonisë, ku kjo republikë ende nuk kishte një Kushtetutë, ai thotë se ai vit ishte moment kur duhej të bisedohet për atë se si do të pozicionohen dhe si do të veprojnë politikisht shqiptarët që të mos bin ndesh interesat shqiptare drejt realizimit të idealit kombëtar. Në këtë takim, siç dëshmon Iljaz Halimi, janë biseduar të gjitha variantet e rezistencës. “Ka pasur propozime që të formohet edhe një formacion ushtarak, i cili në një moment të caktuar dhe situatë të caktuar do të mund që edhe fizikisht të mund t’ju bëjë ballë forcave serbe. Nga ai takim kemi dalë me diku 11 konkluzione, në bazë të tezave që u shqyrtuan nga ana e diskutuesve të këtij takimi. Më pastaj, mendoj se kemi vepruar në ato binarë. Ajo që është ma kryesorja është se të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim u pajtuan që Kosova të pavarësohet si një shtet”, deklaron Halimi. Një vëmendje e veçantë në këtë takim, sipas Halimit, i është kushtuar edhe Maqedonisë, ku të gjithë pjesëmarrësit janë dakorduar që shqiptarët në Maqedoni të jenë element shtetformues, me ç’rast shqiptarët të trajtohen njëjtë si maqedonasit, e jo si minoritet. “U vendos që të drejtat kombëtare, juridike shqiptarët t’i kërkojnë dhe realizojnë në kuadër të Republikës së Maqedonisë në kufijtë ekzistues. Ne vazhdimisht u jemi përmbajtur atyre konkluzioneve edhe si subjekt i atëhershëm politik si PDP, poashtu edhe pas bashkimit me PPDSH-në dhe me formimin e PDSH-së. Kemi vazhduar të punojmë në ato binarë që shqiptarët të jenë element shtetformues dhe të zgjidhet statusi i tyre juridiko-shtetformues, ngjashëm sikurse edhe i popullit tjetër maqedonas”, thotë Halimi. Ai më tej shton se përveç kësaj marrëveshje, në takim është biseduar edhe për variante të ndryshme në rast se nuk arrihet kjo barabarësi. “Janë shqyrtuar edhe variante të tjera, të cilat edhe ndodhën. Siç dihet, më 1991 u soll Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, në nëntor, ku shqiptarët nuk përfshihen si popull shtetformues dhe ky ishte shkaku që më 11-12 janar 1992 u organizua referendum për Autonomi territoriale të shqiptarëve në Maqedoni”, shpjegon Halimi njërën nga alternativat për statusin e shqiptarëve në Maqedoni.
Edhe ky variant ngeli vetëm në tentativë dhe nuk u realizua. Pse asnjëra nga pikat për të cilat u morën vesh në Kuvendin panshqiptar nuk u realizuan në Maqedoni? “Kjo fatkeqësisht nuk u realizua në kohën kur u themelua shteti, sepse kështu vendosi mekanizmi i votës. Nga ana e PPD-së, e cila kishte 22 deputetë, nuk është insistuar dhe nuk ka bërë pengesë në ndërtimin e Maqedonisë, që të mund të pranohet ky variant”, thekson Halimi. Sipas tij, ka ekzistuar mundësia reale që në vitin 1991 të zgjidhet statusi i shqiptarëve për shkak se, sipas tij, nuk kishte mundësi të formohet qeveri pa shqiptarë.
“Sikur atëherë mos të merrnin pjesë shqiptarët në qeveri dhe pjesëmarrjen e tyre ta kushtëzonin me definimin e statusit të shqiptarëve, atëherë do të kishte dy zgjidhje për shtetin e Maqedonisë: ose të formohej qeveri e përbashkët, ku do të zgjidhet statusi i shqiptarëve si popull shtetformues, ose do të shpërbëhej shteti”, thotë Halimi.
Involvimi i shërbimeve
“Ishte edhe momenti shumë i kapshëm që të arrihej ky synim, meqë Maqedonia atëherë ishte në fazën fillestare të ndërtimit të institucioneve shtetërore. Unë kam bindjen time se në atë kohë në formimin PPD-së me siguri janë përzier edhe shërbime, por ka pasur njerëz kombëtarë dhe njerëz të mirë që s’i kanë hetuar ato lojëra. Krejt kjo është bërë që përmes njerëzve të shërbimeve t’i menaxhojnë realizimin e të drejtave të shqiptarëve në atë vijë siç u ka konvenuar atyre të pushtetit”, sqaron Halimi. Ai akuzon PPD-në, si parti më e madhe e shqiptarëve në atë kohë, e cila nuk kushtëzoi pjesëmarrjen e saj në Qeveri me kërkesat që i kishin përpiluar bashkërisht në Kuvendin e Stubiçke Toplicës. “Më 1991, raporti i deputetëve ishte 22 të PPD-së dhe vetëm një ka patur PDP-ja. Ne kemi patur një mbledhje të përbashkët, ku jemi marrë vesh të ndërtojmë një strategji para se të miratohet Kushtetuta dhe të kërkojmë që shqiptarët të futen si element shtetformues, ashtu siç edhe u morëm vesh paraprakisht në takimin në Stubiçke Toplicë. Dhe, nëse kjo nuk do të kalonte, atëherë ishte paraparë që të gjithë deputetët ta lëshojnë seancën. Mirëpo, këtu qëndron ajo që them se ka patur njerëz që kanë qenë të dirigjuar dhe ajo nuk ndodhi ashtu siç u morëm vesh”, thotë Halimi.
Sipas tij, gabimi i madh u bë kur deputetët e Partisë për Prosperitet Demokratik nuk lëshuan mbledhjen e Kuvendit dhe qëndruan në sallë, edhe pse nuk votuan Kushtetutën e Maqedonisë. “Në demokracinë parlamentare nënkupton se vendimet miratohet me shumicë. Atëherë kryetar i parlamentit ishte Stojan Andovi dhe gazetarët e pyesin pse shqiptarët nuk e votuan kushtetutën. Ai deklaroi se s’është me rëndësi kjo, ata kanë qenë brenda dhe deri sa kanë qenë brenda, demokracia parlamentare nuk i kushtëzon që të votojnë një ligj apo kushtetutën. Dikush voton, dikush nuk voton, me rëndësi ishte se kanë qenë brenda dhe me vetë faktin se ishin prezent ata e legjitimuan sjelljen e asaj kushtetute”, shton Halimi. Ai vlerëson se Maqedonia s’mund të ketë kurrë qeveri pa shqiptarë, kurse dhe problemi është në atë se si pozicionohen shqiptarët në qeveri.
Kërkesat Halimit
Iljaz Halimi dha propozimin e tij në këtë takim në lidhje me statusin e shqiptarëve të Maqedonisë, duke mos i ndarë ata nga shqiptarët e tjerë në ish-Jugosllavi. Ai kërkoi që në rast të dy skenarëve të mundshme shqiptarët të jenë të bashkuar. Nëse shqiptarët do të merrnin autonomi në kuadër të Jugosllavisë dhe do ruhet federate, atëherë duhet t’u jepet një autonomi për të gjithë shqiptarët. Në rast se prishet Jugosllavia dhe formohet një Republikë Shqiptare, kjo do të duhet t’i përfshijë të gjitha trojet shqiptare në ish-Jugosllavi, përfshirë këtu Kosovën, pjesë të Maqedonisë dhe viset tjera ku jetonin shqiptarët. “Nuk u pranua kjo kërkesë për arsye se Kosova si autonomi territoriale-politike, si pjesë e federatës jugosllave, i kishte kufijtë e caktuar. Kishte rezistencë për ndryshimin e kufijve të brendshëm. Propozimi im kishte të bënte me këtë, meqë shpërbëhet Jugosllavia, pse mos të hyhet edhe në ndryshime të brendshme të hapësirave të ish-Jugosllavisë, sepse në këtë ndarje këtu më së tepërmi cenoheshin shqiptarët”, shpjegon Halimi.
Siç rrëfen Halimi, në Kuvend ishte vlerësuar se një propozim i tillë i shqiptarëve do të haste në rezistencë edhe nga faktori ndërkombëtar dhe vetë faktorët e brendshëm në ish-Jugosllavi. Propozimi i Halimit nuk u pranua në këtë takim, dhe siç thotë ai, u kalua heshtazi dhe nuk u dhanë argumente as pro as kundër tij.
Pengesat në realizimin e konkluzioneve
Marrëveshja në Kuvendin e Stubiçke Toplicë, sipas Halimit, ka qenë dhe vazhdon të jetë program i punës së tij dhe partisë ku ai vepron aktualisht. Ai thotë se janë në rrugë të realizimit të kësaj, por për shkak të pengesave të ndryshme, për shkak të ndërrimit të qeverive dhe për shkak të pamundësisë që PDSH-ja të ngadhënjen në raport me partitë e tjera shqiptare, kjo nuk arrin të përfundojë me sukses.
Pengesa e dytë e realizimit të këtij program, sipas Halimit, ka qenë konflikti i armatosur. Për Kuvendin panshqiptar, Halimi thotë se ai ka qenë një nga takimet ku për nga përfaqësimi i subjekteve politike ka qenë i vetmi i këtij lloji gjatë 20 viteve të kaluara. “Shqiptarët asnjëherë nuk kanë mundur të organizohen kësisoj në hapësirat e ish- Jugosllavisë”, vlerëson Halimi. Ai thotë se ka pasur edhe një mundësi për një takim tjetër të përfshirjes më të gjerë të shqiptarëve, pasi në atë takim nuk ka pasur përfaqësues nga Shqipëria dhe diaspora shqiptare. “Në atë takim është biseduar edhe për formimin e një Këshilli mbarëkombëtarë, apo një komitet ku do të përfshiheshin përfaqësues të të gjitha subjekteve politike nga diaspora, Shqipëria dhe hapësirat tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. U bisedua të mbahet edhe një takim i atillë me përfshirje më të gjerë, por ajo nuk ndodhi. Se për çfarë arsye, nuk e di edhe sot e kësaj dite”, shprehet Halimi.
Rezistenca e armatosur
Halimi thotë se në këtë Kuvend nuk është biseduar për rezistencë ushtarake apo ndonjë luftë tjetër në Maqedoni, por është biseduar për rezistencën ushtarake vetëm në Kosovë. Por, sipas Halimit, edhe për këtë në takim u fol shumë pak, ndërsa më vonë pasuan zhvillimet e tjera, me ç’rast u formua një formacion ushtarak me emrin Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), të cilat në Kroaci do të përgatiteshin dhe trajnoheshin ushtarët për luftën e ardhshme në Kosovë. Ai më tej shton se për shqiptarët e Maqedonisë u vendos që të jenë element shtetformues, ndërsa konflikti i vitit 2001 nuk kishte dalë nga ky takim. (vijon nesër)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.