(vazhdon nga numrin i kaluar)
Për herë të parë dhe të vetme shqiptarët nga gjitha trojet e ish Jugosllavisë, përfshirë këtu politikanë, krerë dhe përfaqësues të subjekteve politike, përfaqësues të organizatave humanitare dhe qytetare, lëvizjeve dhe intelektualë nga këto troje do të ulen në një tavolinë të përbashkët dhe do të diskutojnë për fatin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe rolin e tyre në proceset, të cilat në vitin 1990 shënuan dhe fillimin e prishjes së Jugosllavisë. “Ishte ajo periudha kur të gjitha kombet në Jugosllavi filluan lëvizjet e tyre. Sllovenia ishte ndarë nga federate, ndërsa Kroacia ishte futur në luftë, andaj u paraqit çështja se kah do të shkojnë shqiptarët dhe cili do të jetë roli i tyre. U hap çështja e Kosovës, Maqedonisë dhe trojeve tjera shqiptare dhe u pa se ishte e patjetërsueshme për këtë të ulen e të bisedojnë intelektualët dhe politikanët shqiptarë nga të gjitha trojet”, shpjegon Xhezair Miftari, një nga nismëtarët e lëvizjeve të shqiptarëve në Kroaci. Atë kohë, siç shpjegon Miftari, ishte formuar Lidhja Demokratike e Shqiptarëve të Kroacisë (LDSHK), e cila merr edhe detyrën e nikoqirit dhe organizatorit të Kuvendit mbarëkombëtarë në Kroaci. Stubiçka Toplica ishte vendi, ndërkaq 19-20 janari i vitit 1991 data kur ishte caktuar takimi i përfaqësuesve politik dhe intelektualëve shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Presheva dhe Mali i Zi. Theksi kryesor në këtë mbledhje do të vendoset për Kosovën, meqë këtu shihej rreziku më i madh i terrorit serb.
“Aty u diskutua edhe për trojet e tjera dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi. Por, një rëndësi e veçantë iu kushtua Kosovës, meqë shqiptarët në Maqedoni dhe vendet e tjera nuk ishin aq në rrezik. Kosova ishte prioritet për ne, sepse rrezikohej më shumë pas demonstratave të 1981-shit”, thotë Miftari. Sipas tij, qëllimi i parë i organizatorëve të Kuvendit ishte edhe gjetja e një modeli për statusin e ardhshëm të Kosovës, me insistim të formimit të republikës së saj dhe ndarjes nga Jugosllavia në bashkëpunim më Slloveninë, Kroacinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.
Formimi i partive politike
Paraprakisht në Kosovë kishin filluar dhe lëvizjet e para politike. Ishte themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Fshatare (PSH), Partia Shqiptare Demokristiane (PSHD), Partia Parlamentare (PP), Organizata humanitare “Nënë Tereza”, Forumi i Intelektualëve, Organizata e Studentëve dhe formacione të tjera politiko-qytetare. Në Maqedoni formohet Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) dhe Partia Demokratike Popullore (PDP), ku dy krerët e këtyre partive do të ishin edhe pjesëmarrës në Kuvendin mbarëkombëtarë. Në Mal të Zi formohet Lidhja Demokratike e Shqiptarëve (LDSH) dhe Forumi i Intelektualëve, kurse në Preshevë e Bujanoc themelohet Partia e Veprimit Demokratik (PVD). Paralelisht me këtë, subjektet e tyre politike tanimë i kishin themeluar edhe shqiptarët në Kroaci, Slloveni dhe Bosnjë e Hercegovinë: Lidhja Demokratike e Shqiptarëve në Kroaci, Lidhja Demokratike e Shqiptarëve në Bosnje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – dega Slloveni. Këto parti më pas formojnë edhe degët e tyre në diasporë ku më dominante kanë qenë Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Shqiptare Demokristiane nga Kosova dhe Partia për Prosperitet Demokratik nga Maqedonia, të cilat ishin shtrirë në shumë vende të Europës, në SHBA dhe Australi.
Pas shpalljes së deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2 korrik 1990 dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator 1990, takimet dhe bisedat bilaterale ndërmjet kryetarëve të partive shqiptare ishin më të shpeshta, ndërsa Zagrebi ishte vendi më i përshtatshëm për këto takime. Kroacia u bë vendstrehim i shumë shqiptarëve të përndjekur nga Kosova. Shqiptarët këtu tanimë ishin të organizuar në formacionin LDSHK.
Konstituimi i organeve shtetërore
Në takimin mbarëkombëtarë në Stubiçke Toplice u vendos që partitë politike të propozojnë sa më parë kryetarin dhe anëtarët e Qeverisë së Kosovës, të cilën Kuvendi arriti ta formojë pas dhjetë muajve, më 19 tetor 1991. Atëbotë ishte zgjedhur vetëm kryetari i Qeverisë, Bujar Bukoshi, ndërsa më vonë ishin emëruar edhe ministri i Financave, ministri i Mbrojtjes, ai i Drejtësisë dhe ministri i Arsimit.
Më 2 maj 1992 Kuvendi i Kosovës vendos për zgjedhjet e Parlamentit të ri të Republikës së Kosovës dhe Kryetarit, që u mbajtën më 24 maj 1992.
Takimi në Stubiçke Toplice ishte zhvilluar kryesisht në një atmosferë demokratike dhe tolerante, megjithëse ishin shfaqur divergjenca thelbësore në pikëpamje të vazhdimit të rezistencës kundër pushtetit jugosllav, i cili dita ditës ashpërsonte masat e dhunës.
Në këtë takim u paraqitën dy qëndrime tejet të kundërta: një për vazhdimin e rezistencës paqësore që e kërkonte LDK dhe e dyta për përgatitjen e rezistencës aktive, e cila nënkuptonte në rast nevoje edhe rezistencën e armatosur.
Nga shumica e diskutuesve u theksua se rezistenca paqësore ishte “shterur” dhe në mënyrë të këtillë nuk mund të realizohen aspiratat kombëtare. Gjithashtu u theksua ashpërsia dhe barbarizmi i shovenizmit serb, i cili nuk do të kursente mjete dhe metoda më brutale për të eliminuar shqiptarët si faktorë që pengojnë sundimin nacional-shovenist serb.
Në këtë takim u bënë përpjekje për të dhënë vlerësime reale të së kaluarës dhe u theksua që LDK ka luajtur një rol pozitiv, duke organizuar popullin e Kosovës në organizata dhe institucione paralele. Në takimin e Stubiçke Toplices u bë një retrospektivë e ngjarjeve ku mund të konstatohet se LDK dhe Këshilli për të Drejtat e Njeriut bënë një punë të madhe për të informuar Europën dhe Amerikën për gjendjen në Kosovë, vuajtjet, torturat dhe vrasjet e përditshme. Dokumentet që u nxorën në takimin në Stubiçka Toplice, si tezat për diskutim ashtu edhe konkluzionet, janë rezultat i një analize serioze dhe të thelluar ku variantet e mundshme dhe shumica e ngjarjeve që do të pasojnë më vonë në hapësirën e ish-Jugosllavisë u parapanë me një saktësi të lakmueshme.
Mungesa kryesore e dokumentit përfundimtarë dhe në përgjithësi i takimit ishte se nuk hyri më thellë dhe më seriozisht në problemin e mbrojtjes dhe rezistencës. Konkluzionet për rezistencën aktive u paraqitën aq të buta dhe jo të obligueshme, saqë ishte tejet e qartë që duhet të lindë një krah i ri krahas faktorit politik që më vonë do të konkretizohej me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kjo ushtri do të dëshmonte se ishte themeluar në bazë të kërkesave dhe propozimeve që dolën nga Kuvendi i Stubiçke Toplices, ndërsa do të organizohej si një formacion demokratik që do të respektonte të gjitha rregullat ndërkombëtare të luftës, prandaj dhe do të bëhej shumë shpejt një aleate e fshehtë e NATO-s në luftën kundër Serbisë.
Uniteti i harruar
Çka kemi bërë dhe çka duhet bërë? Çfarë përpjekje kemi bërë për të pasur një përkrahje serioze nga republikat e tjera të Jugosllavisë për çështjen tonë? Në radhë të parë bëhet pyetja sa dhe si u përpoqëm për përkrahjen e Republikës së Kosovës?
Ishin këto disa nga pyetjet, të cilat i parashtroi kryetari i LDSHK-së, Tomë Berisha dhe për të cilat do duhej t’i diskutojnë më tej pjesëmarrësit në takimin në Stubiçke Toplice. Në këtë takim u kërkua që të gjitha partitë të dalin publikisht me një komunikatë ku do të përkrahet vendosmërisht Republika e Kosovës dhe menjëherë të hyhet në negociata me Kroacinë, Slloveninë dhe Bosnje e Hercegovinën. Kjo do t’i lehtësonte përpjekjet e tyre para faktorit ndërkombëtare, meqë në atë kohë tek pjesëmarrësit e kuvendit ekzistonte bindja se vetëm dhe pa përkrahjen e faktorit ndërkombëtarë, nuk do mund të arriheshin objektivat shqiptare.
Na hapjen e takimit në Stubiçke Toplice, Berisha foli edhe mbi propozimet që kishin përpiluar, e që do të ishin bazë për organizimin e mëtejmë të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë.
“Sa i përket rezistencës ndaj terrorit të Serbisë, më duket që ka kuptim të formojmë një organizatë që mund të quhet Këshilli ose Komiteti, si të merremi vesh, i cili do të organizonte tash për tash rezistencën pa dhunë dhe që do të bënte planet për përgatitjen për çdo gjendje dhe situatë tjetër që mundet eventualisht të paraqitet”, ka thënë ai. Karakteri i kësaj organizate dhe përmbajtja e punës së saj do të varet nga zhvillimi i situatës, ndërsa kjo organizatë mund të jetë burimi kadrovik për një resor në Qeverinë e Kosovës.
“Në lidhje me këtë dhe me problemin kombëtarë në tërësi, a thua se duhet të mendojmë për një organizatë të përhershme politike, e cila mund të emërohet Kuvendi Konsultativ Panshqiptar”, ka deklaruar më tej Berisha.
Ky Kuvend, sipas propozimit të parë, do të përbëhej nga përfaqësuesit e të gjitha partive, njerëzit e dalluar nga ish-Jugosllavia, nga Shqipëria dhe shqiptarët në emigracion. Ky projekt, që kishte për qëllim te konkretizohet në takimin e dytë, nuk u realizua meqë nuk u mbajt takimi i dytë ku duhej të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit nga Shqipëria dhe diaspora shqiptare në Europë, SHBA dhe Australi.
Vendimi për FARK-un
Në takimin e Stubiçke Toplices u diskutua edhe për rezistencën e armatosur të shqiptarëve, që u paraqit si nevojë për organizim në prag të luftërave që kishin filluar tanimë në Jugosllavi dhe planifikohej që një gjë e tillë të ndodhë edhe në Kosovë. Aty lindi dhe formimi i njësitit ushtarak shqiptarë që do të emërohet Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), që kishte për qëllim trajnimin e ushtarëve deri në fillimin e luftës në Kroaci.
“Kjo ushtri u formua me qëllim që të trajnohen ushtarët për në Kosovë. Këtë dëshironin edhe kroatët që të hapet fronti në Kosovë dhe me këtë t’u lehtësohet fronti i tyre. Mirëpo, LDK-ja dhe Qeveria e Kosovës gjithnjë ishin kundër rezistencës së armatosur në Kosovë”, thotë Xhezair Miftari, i cili më pas do të emërohet udhëheqës i logjistikës së FARK-ut në Kroaci.
Ky njësit shqiptarë filloi trajnimet në Kroaci dhe nuk ishte planifikuar të futej në frontin kroat, por në një moment merret vendimi që pikërisht njësiti shqiptarë të jetë i pari që do të shijonte ndjenjën e luftës.
Nga kjo luftë do të binin dhe dy dëshmorët e parë të Kroacisë, pjesëtarë të FARK-ut, ndërsa do të plagoseshin dhe nëntë të tjerë. Më vonë njësiti i shqiptarëve u shpërbë, ndërsa shqiptarët do të angazhoheshin në njësitet e tjera kroate.
“Njësiti jonë dhe shumë shokë tanë nga kjo ushtri u penguan nga Qeveria e Kosovës dhe LDK-ja që të hapin frontin në Kosovë. Prandaj këta njerëz më pas u afruan me lëvizjen e ilegalitetit dhe u ndanë përfundimisht nga Qeveria e Kosovës. Këta djem dhe vasha në bashkëveprim me ilegalen më vonë formuan edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, shpjegon Xhezair Miftari vazhdimësinë e njësitit ushtarak shqiptarë, i cili ishte inicuar që në takimin e Stubiçke Toplices.
Sipas Miftarit, ushtria e formuar më vonë në Kosovë dhe FARK-u, i udhëhequr nga Bujar Bukoshi, nuk kishin asgjë të përbashkët me FARK-un e formuar në Kroaci.
“FARK-u i Bujar Bukoshit nuk kishte të bëjë me ushtrinë tonë në Kroaci. Nuk ishte as vazhdimësi e asaj, sepse Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, bashkë me shumë bashkëluftëtarë të tjerë, e themeluan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa emrin e FARK e keqpërdori Bujar Bukoshi”, shprehet Miftari.
Pjesëmarrësit e Kuvendit
- Ibrahim Rugova – kryetar i LDK-së
- Tomë Berisha – kryetar i LDSHK-së
- Veton Surroi – analist i pavarur politik
- Ali Aliu – anëtar i kryesisë së LDK-së
- Lazër Krasniqi – kryetar i PSHD-së
- Mahmut Bakalli – kryetar i PPK
- Burhan Kavaja – Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës
- Ton Marku – LDSHK
- Muharrem Nexhipi – nënkryetar i LDSHK
- Zef Marku – LDSHK
- Mehmet Kraja – LDK
- Gafur Hyseini – Kuvendi i Kosovës
- Muharrem Shabani – Kuvendi i Kosovës
- Skender Skenderi – Kuvendi i Kosovës
- Sabri Hashani – Kuvendi i Kosovës
- Iljaz Ramajli – Kryetar i Kuvendit të Kosovës
- Bujar Gjurgjala – Kuvendi i Kosovës
- Halit Muharremi – Sekretar i Kuvendit të Kosovës
- Nijazi Hoxha – Kuvendi i Kosovës
- Hysen Ramadani – Këshilltar i PPD
- Sami Ibrahimi – PPD
- Hifzi Islami – kryetar i PFK
- Shukri Rrahimi – PPD
- Fehmi Agani – LDK
- Rexhep Hasani – PVD
- Isak Ramadani – PPD
- Nikollë Camaj – LD e Malit të Zi
- Lek Lulgjuraj – LD e Malit të Zi
- Frane Berisha – LDSHK
- Harun Miniri – LDSHK
- Iljaz Halimi – PDP
- Xhezair Myftari – LDSHK
- Hakif Hamiti – LDSHK
- Kadri Hamiti – LDSHK
- Ismet Salihu – LDSHK
(vijon)