Ishin afruar çastet e fundit të takimit mbarëkombëtarë të shqiptarëve në ish Jugosllavi, që u mbajt më 19 dhe 20 janar të vitit 1991, në Stubiçke Toplicë të Kroacisë. Lëvizja Kombëtarë apo Unioni Demokratik, këto ishin propozimet më të zëshme për organizimin e shqiptarëve në Jugosllavi, rreth së cilave diskutuan përfaqësues të partive politike shqiptare dhe intelektualë të pavarur nga të gjitha trojet shqiptare në ish Jugosllavi. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe president i Republikës së Kosovës, i ndjeri Ibrahim Rugova, ndër të tjera tha se Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Mark Krasniqi dhe shumë politikanë të tjerë kishin qenë të kyçur në takimet dhe aktivitetet e ndryshme politike në Kosovë, edhe pse të njëjtit nuk kanë qenë anëtarë të LDK-së. Të vetmit që nuk kanë qenë të ftuar në aktivitetet e partisë së tij, Rugova tha se ishin Mahmut Bakalli dhe Azem Vllasi, të cilët i konsideronte si persona me shumë përvojë në politikë. Ali Aliu tha se personat e përmendur vendin e kanë të hapur nëse duan të vijnë.
Lazër Krasniqi u kërkoi të pranishmëve që propozimi për formimin e Unionit Demokratik t’u dorëzohet partive politike për shqyrtim, e më pas të bisedohet përsëri nëse i njëjti propozim do të pranohet. Kurse Muharrem Nexhipi kërkoi që për kontakte me Qeverinë kroate të mbeten zyrtarisht Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Shqiptarëve të Kroacisë dhe mos të lejojnë kontakte individuale ose kontakte të rastit. Ai gjithashtu kërkoi që të formohet Shoqata e të Burgosurve në Kosovë dhe në Maqedoni, ndërsa informatat për kumtesa edhe informatat zyrtare të shkojnë prej një grupi koordinues e jo të në mënyrë individuale, pasi ai vlerësoi se me mënyrën e si veprohej krijohen shqetësime në popull. “Propozoj që anëtarët e Qeverisë zyrtare të Kosovës të bëhen anëtarë të LDK-së, të kufizohen udhëtimet folklorike në Amerikë dhe botë dhe me në fund të ndahen detyrat e caktuar dhe mos të ngarkohemi për së tepërmi me atë se a kemi rejting të madh në botë apo jo”, tha Nexhipi.
Për Veton Surroin, problem kryesor ishte definimi i bashkimit politik të shqiptarëve në Jugosllavi, grupeve, personave dhe individëve. “Konceptualisht na lajmërohet i njëjti problem i cili na ishte lajmëruar më parë. Kemi nevojë për unitet të subjekteve politike gjithëkombëtare në Forumin Demokratik”. Ai tha se bashkimi i shqiptarëve në Jugosllavi mund të quhet edhe Unioni Demokratik, por edhe Trup koordinues, mirëpo lëvizja semantike, sipas Surroit, duhet të ketë lëvizje përmbajtëse. “Nuk mund të quhet Unioni Demokratik takimi në kafe, në shtëpinë time, shtëpinë e tjetrit, ku 4-5 veta do të merremi vesh për strategjinë”. Në fund të mbledhjes Veton Surroi paraqiti propozimin e konkluzioneve të cilat u aprovuan me këtë përmbajtje:
Përfaqësuesit e partive shqiptare në Jugosllavi dhe përfaqësues të subjekteve tjera politike, në takimin konsultativ të mbajtur me 19 dhe 20 janar 1991 u morën vesh për këto pika të veprimit dhe të synimit të përbashkët:
-Mbrojtja dhe zhvillimi i qenies kombëtare shqiptare.
– Sovraniteti i shqiptarëve si popull në Jugosllavi.
– Jetësimi i Kushtetutës në Republikës së Kosovës, pra sovraniteti i Kosovës brenda bashkësisë Jugosllave si republikë e qytetarëve apo popullit shqiptar-platformë kjo unike për bisedimet e ardhshme lidhur me fatin e Jugosllavisë.
– Njësimi i të drejtave kulturore në të gjitha viset shqiptare të Jugosllavisë, barazimi politike, sociale dhe ekonomike i shqiptarëve me qytetarët e tjerë në njësitë ku jetojnë dhe pengimi i diskriminimit të shqiptarëve.
– Komunikimi i lirë ekonomik, politik e kulturor brenda tërë hapësirës etnike shqiptare.
– Bashkimi pa dhunë i shqiptarëve brenda një njësie gjeopolitike në një shtet në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë, me integrime rajonale apo evropiane në rast të ristrukturimit të Jugosllavisë.
– Bashkëpunimi dhe unifikimi i Lëvizjes politike shqiptare (formohet grupi punues që do t’i ofrojë tezat koncepteve për këtë qëllim).
– Strategjia unike dhe intensifikimi i rezistencës institucionale dhe jashtë-institucionale.
Grupi punues për hartimin e rezymesë propozon që tezat për diskutim rreth pikës së rendit të ditës “Perspektivat e Lëvizjes politike shqiptare në Jugosllavi” të trajtohen si pjesë përbërëse e kësaj marrëveshje konsensuale. Ky dokument u aprovua njëzëri nga pjesëmarrësit e takimit. (Fund)
KOMUNIKATA PËR OPINION
Përfaqësuesit e partive politike në Jugosllavi mbajtën një takim konsultativ në të cilin u arrit ujdia për veprimin e ardhshëm politik në kushtet dhe rrethanat e krijuara aktualisht. Pikënisje për veprimin e tyre të ardhshëm është statusi i shqiptarëve si popull në Jugosllavi, Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe sigurimi i barazisë së popullit shqiptarë në Jugosllavi me popujt e tjerë në hapësirën ku jetojnë. Edhe me këtë rast u theksua se pa pjesëmarrjen e popullit shqiptar nuk mund të bëhet marrëveshje për rregullimin e ardhshëm të marrëdhënieve midis popujve në Jugosllavi. Gjithashtu në këtë takim u vlerësua se bashkëpunimi i tillë i partive politike shqiptare dhe i subjekteve të tjera është frytdhënës dhe në të ardhmen do të intensifikohen.
Fjala përfundimtare e Tomë Berishës
“Punë të mbarë në të ardhmen dhe të shihemi sa më shpesh. Kemi nevojë të bisedojmë, kemi nevojë të merremi vesh. Kësaj here kemi nevojë ta themi që problemi kyç është Kosova. Po e them një fjalë që del nga bisedat tona që shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi, të gjithë jemi kosovar, të gjithë jemi bashkë me ju për të realizuar atë që ka vendosur Kuvendi i Kosovës dhe populli i Kosovës. Mirë u pafshim”. (fund)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara