Për të tretën herë merr fjalën Fran Berisha, i cili kërkon që të shkurtohen diskutimet dhe të sillet vendimi për formimin e Unionit Demokratik të Shqiptarëve në Jugosllavi, në bazë të harmonizimit gjithë-partiak të shqiptarëve. “Njëkohësisht propozoj që Unioni Demokratik të ketë një prej sektorëve të vet Këshillin ose Komitetin e Qëndresës shqiptare si bartës i rezistencës kombëtare. Kuptohet se Unioni Demokratik, si parti politike gjithë-shqiptare, do të ketë edhe sektorë tjerë”, propozoi Fran Berisha. Ai gjithashtu kërkoi që nga Kushtrimi që propozoi Mahmut Bakalli të dalin Deklarata politike dhe Kushtrimi. Sipas propozimit të Berishës, deklarata duhet të përfshijë themelet, vlerësimet, qëndrimet dhe parimet politike të Unionit Demokratik të Shqiptarëve të Jugosllavisë, ndërsa Kushtrimi duhet të jetë më sintetik, më i shkurtër, sepse, siç u shpreh ai, çdo Kushtrim nga vetë fjala është i shkurtër, është një thirrje dhe ka të bëjë me qëndresën dhe mbrojtjen. Propozimin për formimin e Unionit Demokratik të Shqiptarëve në Jugosllavi dhe Kushtrimin, Fran Berisha i vlerësoi si propozim të pjekura dhe me vend, dhe tha se ky duhej të jetë thelbi të cilin ndoshta edhe pak duhej ta begatojnë me diskutimet e tyre të pranishmit në Kuvendin mbarëkombëtarë që mbahej në Stubiçke Toplicë. “Sa i përket vlerësimit politik dhe qëndrimit të shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi, ata e kanë programin e vetë i cili ka dy objektiva. I pari është organizimi territorialo-administrativ në drejtim të konstituimit të komunave të banuara me shqiptarë, fitimi i pushtetit në ato komuna”, tha Fran Berisha, duke folur mbi pozitën dhe të ardhmen e shqiptarëve në Mal të ZI. Objektivi i dytë i shqiptarëve të Malit të Zi, pasi të fitonin pushtetin në komunat e banuara nga shqiptarët, sipas Berishës ishte që shqiptarët atje t’i përvishen “luftës” parlamentare për autonomi kulturore, kundër asimilimit që ishte prezent në Mal të Zi, si dhe te luftonin kundër diskriminimit ekonomik, kulturor, politik dhe për barazimin e plotë të popullatës shqiptare me atë malazeze. Përveç kësaj, Berisha tha se janë në përgatitje e sipër edhe të planeve për zhvillimin ekonomik e shoqëror të komunave shqiptare në Mal të Zi. Berisha u ndal edhe tek pozita e shqiptarëve në Maqedoni. Duke patur pjesëmarrjen e madhe të shqiptarëve në popullatën e Maqedonisë, Berisha vlerësonte se ekzistojnë kushtet që shqiptarët e Maqedonisë të paraqesin kërkesën para maqedonasve, për një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes shqiptare në suazat e Republikës. “Ne nuk duhet të luftojmë për sovranitetin e Maqedonisë për të pasur pozitë dhe trajtim formal. Pjesëmarrja e shqiptarëve prej rreth 800 mijë banorëve kërkon zgjidhje adekuate”, tha Fran Berisha. Çështja e tretë ku u ndal Berisha, ishte çështja e rezistencës. “Nëse e pranojmë vlerësimin e Mahmutit se Serbia ndaj Kosovës e ka bazën e politikës së saj në forcë, ne me Serbinë nuk kemi shumë shansa as mundësi të luajmë politikën, por duhet të japim theksin rezistencës, sepse ajo vetëm atë gjuhë e kupton dhe e merr vesh”, tha Berisha, i cili më tej shtoi se çdo rezistencë është dëmtimi i okupatorit dhe vështirësimi i zbatimit të pushtetit të tij. Kjo mënyrë e rezistencës, sipas Berishës është më e vështirë, por edhe më efikase. “Përveç kësaj, unë pajtohem me Mahmutin plotësisht kur thotë se nëse ne nuk do ta radikalizojmë rezistencën, atëherë interesi i botës demokratike, interesi edhe i popullit të vetë, i fqinjëve, i të gjithë atyre me të cilët ne dëshirojmë me bë aleancë ka me ra sikurse ka ra edhe tani. Ne edhe atë faktor duhet ta marrim parasysh, se interesi i sllovenëve edhe i kroatëve, përveç boshnjakëve të cilët me të vërtetë na përkrahin pa rezervë ka ra, sepse me këtë qëndrim tonin ata praktikisht nuk gjejnë interes politik të na përkrahin”, tha Fran Berisha, i cili ishte nga mendimtarët se vetëm rezistenca e armatosur do të mund ta gjunjëzonte Serbinë dhe të mundësojë çlirimin e Kosovës. Rezistenca e deriatëhershme e cila ishte vetëm manifestive, Berisha tha se ka pasur rolin e vet, duke u bërë platformë e cila ka krijuar kushtet për të radikalizuar rezistencën. Rezistenca vetëm manifestive, sipas Berishës, kishte ndikuar pozitivisht që shqiptarët në Jugosllavi të fitonin edhe famën e paqedashësve para opinionit ndërkombëtarë. Ai tha se Serbia po luan një taktikë kolonizatori dhe i përdorë po ato mënyra të shfrytëzimit të tërë pasurive tokësore. “Kjo është dëmtim i rëndë i pasurive tona tokësore. Ne duhet të reagojmë ashtu që t’i biem armikut ku atë e dëmtojmë ma së forti, ku është më i ndjeshëm, e jo ta lëshojmë pasurin tonë ta shfrytëzojë pa kurrfarë pengesash, si hidrocentralet, Gllogovci, Trepça dhe t’i lëshojmë e të protestojmë një gjysmë ore para fabrikave”, tha Fran Berisha, duke pyetur se çfarë vlere do të kishin këto protesta dhe sa e pengojnë Serbinë këto demonstrime në zbatimin e qëllimit të saj. “Aspak, bile Serbisë i shërben si folklor para botës: ja, shqiptarët munden me dalë e me demonstrues para fabrikave. Prandaj diagnoza është e rëndë e terapia e butë”, vlerësoi Berisha.
“Merita e partive është që i kanë ndihmuar popullit me rritjen e vetëdijes, me pa rolin e vet, por në fund është treguar se populli është ai që është më i madhi. Në fund të fundit edhe serbët me këto mbrapshtime që kanë bërë me ne na kanë mobilizuar. Prandaj ne nuk guxojmë të shkojmë më prapa popullit tonë, por duhet t’i prijmë”, tha Fran Berisha, i cili kërkoi që i pari që do të vendoset t’i prijë popullit në rezistencë, duhej të ishte më trim dhe më i vendosur se sa të tjerët. Berisha sqaroi më tej para të pranishmëve në kuvend, se përderisa kishin të bëjnë me një formë okupimi të tokave shqiptare nga Serbia, atëherë ai tha se janë të lejuara dhe kanë mirëkuptim prej botës dhe opinionit botëror përdorimi i të gjitha mjeteve dhe formave të rezistencës që nënkuptohen në kushtet e okupimit. Pas tij mori fjalën Tomë Berisha, kryetari i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve të Kroacisë, njëherit edhe organizator i takimit të përfaqësuesve të të gjitha partive politike shqiptare dhe intelektualëve shqiptarë në ish Jugosllavi. Ai kërkoi që nga ky takim të dilet publikisht dhe të deklarohet që metodat e derit-atëhershme të rezistencës “gandiane” janë shterur dhe vazhdon eskalimi i rezistencës me metoda aktive pa dhunë. “Mendoj gjithashtu që Këshillin e vetëmbrojtjes të cilin e kemi përmendur, nuk duhet ta përmendim në deklaratën-kumtesën që do të dal nga ky tubim. Deklarata ose Kumtesa të cilën do ta bëjmë ne sot, ajo do të ketë vetëm ngjyrë politike edhe sa i përket çështjes së mbrojtjes vetëm të konstatohet, si thashë në fillim që metodat e deritanishme janë shterur dhe kalojnë në metoda tjera më aktive”, propozoi Tomë Berisha. Ai më tej tha se duhet formuar Këshilli por kumtesa e Këshillit për vetë-ndihmë dhe vetëmbrojtje aktive nuk duhet të publikohet menjëherë, por pas një kohe të caktuar. “Ajo duhet të përputhet me vendimin tonë që ky Këshill dhe ky organizim është jasht-partiak. Prandaj ai vepron praktikisht I pavarur, natyrisht në kontakte me partitë që do ta ndodhin dhe do të jenë. Besoj se kam qenë i qartë sa i përket kësaj pike. E dyta, duhet ta kuptojmë që Kuvendi i Kosovës sot praktikisht është Kuvendi shumëpartiak i Kosovës, pa i hyrë në shpjegim teorikë, ligjorë etj. Deri sa Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria kosovare pret direktiva prej partive politike ai praktikisht është shumëpartiak. Në kumtesë, sipas aktivitetit të Kuvendit, do të përkrahin rekonstruimin e Qeverisë kosovare, në bazë të Kushtetutës dhe në bazë të ligjit që i ka deklaruar Kuvendi kosovar”, tha Tomë Berisha. Në kumtesën që do të lëshohej pas përfundimit të kuvendit, Berisha kërkoi që të thuhet që partitë politike e kanë shqyrtuar aktivitetin e vetë dhe janë të vetëdijshëm për atë që është bërë deri tani. Në pikëpamje të definimit të programit dhe të aktiviteteve, do t’i marrin parasysh ndryshimet që kanë ndodhur, në këtë kuptim edhe të definohen. Edhe Tomë Berisha, mbështeti propozimin që të marrin vendimet për formimin e Unionit Demokratik Shqiptar, i cili do të përfshinte të gjitha partitë politike shqiptare në Jugosllavi. “Në këtë Union Demokratik, propozoj që të jenë kryetarët e partive edhe të gjitha personat e dalluar politikë të pavarur, në të cilat kemi besim të plotë për çështjen kombëtare. Besoj që formimi i Unionit do të jetë një hap i rëndësishëm për aktivitetin tonë të mëtutjeshëm, për organizimin e aktivitetit si në vend ashtu edhe jashtë Jugosllavisë”, tha Tomë Berisha, kryetari i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve të Kroacisë. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, pyeti të pranishmit në kuvend nëse ka nevoje që në komunikatën që do të publikohej në përfundim, ka nevojë apo jot ë përmenden edhe lëshimet që janë bërë deri në ato momente. Tomë Berisha ndërhyri duke pyetur nëse duhej të theksohet edhe hutia që lindi rreth kuvendit, por Rugova propozoi që kjo çështje t’ju mbetet për të vendosur personave që do të përgatisnin komunikatën. Ali Aliu ndërhyri mes bisedës së Berishës dhe Rugovës, me propozimin e tij që kumtesën ta përpilojnë bashkërisht dhe të gjithë të pranishmit të vendosin unanimisht se çfarë do të përfshihet në të. Aliu u ndal edhe në një problem tjetër që, siç e quajti ai, të menduarit parcial tek shqiptarët që është tradicional. “Ajo vërehet në sjelljet tona dmth. se ende është mënyrë e të menduarit tonë, është vetëdija e jonë edhe mënyra e sjelljes së tillë. Vërehet edhe në subjektet brenda Kosovës, partitë, kuvendit, individët, në një mënyrë secili kërkon mbështetje në njeri tjetrin, që është po ashtu e natyrshme në këtë krizë, në këtë gjendje okupuese”, tha Ali Aliu. Por kjo që secili kërkon mbështetje tek tjetri, sipas Aliut, merr një kahe tjetër dhe secili kërkon në një mënyrë pjesërisht fajin tek pala tjetër, për mos mundësinë e vetë dhe për mosefikasitetin e vetë. “Po ashtu, në këto kushte është fenomeni i njohur grindjet, traumat. Besoj që ne e kemi kaluar fazën e një trauma masive dhe mospajtimet tona janë të natyrës mjaft racionale. Në përgjithësi janë të një niveli të artikuluar dhe ato nuk duhet të na shqetësojnë as të na brengosin nëse i shfaqim publikisht”, tha Ali Aliu, para të pranishmëve në takimin në Stubiçke Toplicë të Kroacisë. (vijon)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara