Ushtria e Mianmarit ka nxjerrë një rezultat të një hetimi të brendshëm, në të cilin shfajëson veten për krizën e myslimanëve Rohingya. Në deklaratë ushtria mohon të ketë vrarë, të ketë djegur fshatra dhe të ketë përdhunuar gratë dhe vajzat myslimane Rohingya. Megjithatë, kjo deklaratë bie në kundërshtim me raportin e bërë nga mediat ndërkombëtare, të cilat kanë theksuar se në “Mianmar është duke u kryer spastrim etnik”. Më shumë se gjysmë milioni njerëz, nga pakica pa shtetësi dhe kryesisht myslimane Rohingya, janë larguar nga Mianmari budist gjatë gushtit të këtij viti.