“Ky komb e ky popull nuk merret nëpërkëmbë… kjo është toka e heronjve të të gjitha kohërave…” (Lamartine)
Nga Dan DISHA
Më 14 dhjetor 20 18 Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi tre projektligje, të cilët i hapën rrugën ngritjes së Ushtrisë së Kosovës. Them i hapi rrugën, e jo “Ushtria u krijua.” Kjo është ashtu si e kuptoj unë thelbin e ligjeve të miratuar në Kuvend, sepse ushtria nuk krijohet me një dekret të Presidentit të një vendi. Por, ka edhe interpretime të tjera se çfarë në të vërtetë ndodhi me miratimin e projektligjeve, të cilët, si dokument, i ratifikoi Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, më 28 dhjetor 2018.
Pas këtij zhvillimi në Kuvend, zyrtarët e lartë të Prishtinës i deklaruan popullit të Kosovës se “Ushtria u bë,” për të vazhduar tutje se “Ushtria e R. së Kosovës do të ketë veçoritë e secilës ushtri në botë,” duke menduar, me siguri, në kompetencat që i rezervoi Kuvendi. Deklaruan poashtu me nxitim, me siguri, se Ushtria do të bënte “lëvizje te papenguara ne secilin cep te Kosovës,” pra edhe ne Veri. Por, siç do të konstatohet më vonë, Ushtria nuk do të mund të shkojë në Veri pa miratimin e KFOR-it. Dhe, ajo që poashtu nuk ndodhi ishte ndërrimi i emrit nga FSK në Ushtri; formacionet e armatosura lehtë të Kosovës do të vazhdojnë të quhen Forca e Sigurisë së Kosovës, (edhepse unë personalisht mendoj se duhen quajtur Forcat e Sigurisë së Kosovës, e jo “ Forca,” në njëjës, që në shqip ka tjetër kuptim; por kjo është një çështje tjetër që meriton të trajtohet, e qe nuk është i vetmi rast i tillë i gabuar me emërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.)
Pra, këto ishin dy gjërat që nuk ndodhen lidhur me Ushtrinë. Por, cilat ishin ato që aktualisht ndodhën pas vendimit të Kuvendit dhe dekretimit nga Presidenti Thaçi?
* * *
Thjeshtë e thënë, ajo që ndodhi ishte zgjerimi i kompetencave te FSK-së dhe, natyrisht, ndërrimi i misionit të Ushtrisë, siç parapëlqehet të quhet FSK-ja në të ardhmen. Por, jo vetëm kaq, tani e tutje, formacionet ushtarake të Kosovës do të kenë të drejtë të pajisen me armatimin dhe pajisjet e nevojshme për të përmbushur detyrat që i ngarkon Kuvendi i Republikës se Kosovës, në përputhje me doktrinën ushtarake të trupave të Kosovës. Por, për të bërë Ushtrinë, shtetarët e Prishtinës, me breza të tërë, duhet të djersiten mirë, sepse ushtria është një “instrument” i shtrenjtë.
Pavarësisht këtyre dy gjërave që nuk u realizuan, ajo që ndodhi është nje arritje historike, jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por edhe për shqiptarët kudo që janë. Kjo datë historike arsyeton plotësisht ceremonitë shtetërore, por edhe gëzimin e papërshkruar të shqiptarëve të Kosovës; ndërkaq, për pakicën serbe ishte një ditë zie, të cilët ngritjen e Ushtrisë së R. të Kosovës e shohin si Shpatën e Demokleut. Që, natyrisht, nuk është kështu, marrë parasysh të kaluarën paqësore të fqinjëve të tyre shqiptarë. Mund të jetë që pasiguria e pakicës serbe në Kosovë buron nga ndjenja e fajësisë ndaj shqiptarëve, e ngulitur thellë në ndërdijen e tyre. Dhe, frika e tyre nuk është aspak e paarsyeshme, marrë parasysh masakrat e ushtrive serbe ndaj shqiptarëve në kontinuitet, duke filluar nga ekspeditat ushtarake ndëshkuese gjatë Luftërave Ballkanike, Luftës së Parë Botërore, Luftës së Dytë Botërore, për të vazhduar me reprezaljet e pamëshirshme ne ish-Jugosllavi, sidomos gjatë mandatit të ministrit të Brendshëm, Aleksandar Rankoviq. Raportet e korrespondentëve të huaj mbi trajtimin barbar të shqiptareve gjate zhvillimeve te lartshënuara, por edhe përvoja e llahtarshme e shqiptarëve, arsyetojnë plotësisht nevojën, por edhe dëshirën e paepur të shqiptarëve për krijimin e strukturave mbrojtëse, por edhe frikën e serbëve si në Kosove, ashtu edhe në Serbi.
Lajmet që i paraprinë “transformimit” të FSK-së në Ushtri, por edhe pas veprimit të Kuvendit të R. së Kosovës, Presidenti i Serbisë, Vuçiç i priti me një nervozizëm të theksuar, duke bërë lëvizje kërcënuese ndaj Kosovës. Ndërsa protestat e Presidentit Vuçiç janë të kuptueshme, ato mbeten joparimore dhe, në thelb, armiqësore. Nuk është se ai mendon që Ushtria e Kosovës, në embrion, mund të rrezikoje integritetin territorial të Serbisë “nesër.” Janë interesat strategjike ato që Serbia i konsideron të panegociueshme, por jo vetëm kaq.
* * *
Përkundrazi, mendoj se faktorizimi i Republikës së Kosovës do të kishte një efekt pozitiv në krijimin e një baraspeshe të forcave në Ballkan. Dhe, pikërisht është kjo një nga arsyet e ”vajtimit” te Presidentit Vuçiç. Por, kjo mundësi, me efekte marramendëse për Beogradin, do te rrezikonte statusin e hegjemonit te Serbisë në Ballkan, natyrisht me implikime të mëtejshme për interesat e Serbisë: por, vështirë se do të paraqiste rrezik për sovranitetin brenda kufijve të saj, të paktën jo aktualisht. Për të përcaktuar nëse ekziston një rrezik i besueshëm nga Beogradi për Kosovën, duhet bërë një analizë mbi opsionet e Serbisë, edhepse planet e saj ndaj Kosovës i përditëson rregullisht, në varësi të rrethanave të reja.
Pra, cilët janë skenarët që Serbia mund të përdorë kundër Kosovës pas zgjerimit te kompetencave të FSK-së? Skenari i parë më pak i kushtueshëm për Serbinë do të ishte fitorja diplomatike kundër Kosovës, duke e paraqitur Prishtinën si faktor destabilizimi në Ballkan. Natyrisht, një gjë e tillë do të paraqiste problem jo vetëm për Evropën Perëndimore, madje do ishte një skenar i dënueshëm edhe nga aleatët e Serbisë, siç janë Rumania, Sllovakia dhe, natyrisht, Rusia, të cilat janë kundër konsolidimit të R. së Kosovës. Po ashtu, destabilizimi i Ballkanit do te minonte projektin evropian aq të shtrenjtë të bashkëpunimit shumëpalësh dhe paqësor. Ndërkaq, frika nga Rusia, nga njëra anë, dhe retorika agresive e Presidentit Tramp ndaj Evropës Perëndimore, nga ana tjetër, kanë shtuar ndjenjën e pasigurisë te këto vende. Ky, pra është edhe një faktor që shpjegon afinitetin e Evropës Perëndimore ndaj Serbisë, gjegjësisht Rusisë. Kështu, fushata diplomatike e Serbisë kundër Kosovës dha frytet e para: reagimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg, i cili transformimin e FSK-se në ushtri e cilësoi si të “parakohshëm,” me fjalë të tjera, të padëshirueshëm. Këtij reagimi i shtohen edhe protestat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian kundër taksës (doganore) 100% ndaj prodhimeve serbe që importohen në Kosovë.
Pra, ajo çfarë synonte Serbia të arrinte duke protestuar dhe duke u ankuar tek evropiano-perëndimoret lidhur me një ushtri në embrionin e saj rezultoi e suksesshme: koncesione nga Evropa, por edhe pakënaqësinë e vendeve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s ndaj Kosovës. Dhe, kështu ndodhi: për të qetësuar zemërimin e stisur të Serbisë, Evropa i akordoi Beogradit 98 milionë euro.
* * *
Këto reagime te Evropës Perëndimore ndaj interesave jetike të Kosovës treguan katërcipërisht vazhdimësinë e qëndrimeve armiqësore ndaj shqiptarëve. “Njëherë armik, gjithmonë armik,” thotë një proverb anglez. Të vetmet vende evropianoperëndimore që mbajtën qëndrim parimor, pra në të mirë të Kosovës, ishin Britania e Madhe, Gjermania dhe, deri-diku, Franca. Por, cilat janë problemet potenciale që Serbia do të mund të krijonte në Ballkan, me implikime edhe për Evropën Perëndimore, për shkak të zhvillimeve të fundit në Prishtinë? Këtu nuk duhet harruar se Presidenti i Serbisë, Vuçiç është vetëm një artikulues i qëndrimeve të Beogradit, por në asnjë mënyrë arkitekti i politikave shtetërore.
E para do të ishte destabilizimi i Kosovës, në rastin më të mirë, por edhe ndërhyrja e armatosur në Veriun e Kosovës, në rastin më të keq. Dhe e dyta, që është edhe me e frikshme, pra ajo që rrëqeth Perëndimin, është dislokimi i trupave ruse në Serbi. Është pikërisht kjo mundësi që është duke u lakuar kohët e fundit nga zyrtarë rusë. Ne fakt, në takimin Putin-Vuçiç në Serbi më 17 janar, sipas analistëve, Kosova do të jetë çështja kryesore e bisedimeve, por edhe një sërë çështjesh që synojnë forcimin e potencialit ekonomik dhe ushtarak të Serbisë. Rrjedhimisht, pas 17 janarit, duhet pritur radikalizimin e qëndrimit të Serbisë karshi Kosovës. Baraspeshën delikate që është duke mbajtur President i Serbisë, Vuçiç, midis Evropës Perëndimore dhe Rusisë, mund ta prishë Ariu i Moskës, Putin, duke i bërë presion Beogradit për të dislokuar trupa ruse në Serbi. Realizimi i këtij synimi nga ana e Rusisë do të kishte pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Ballkanin, por edhe për Evropën, përfshi edhe SHBA-në.
Këtë kërkesë drejtuar Serbisë, Rusia do ta arsyetonte me pretekstin se krijimi i Ushtrisë së R. së Kosovës prek interesat kombëtare të Rusisë. Duke përgatitur terrenin për dislokimin e trupave ruse në Serbi, qarqet ruse theksojnë se Ushtria e Serbisë nuk ka kapacitetet e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial në rast të ndonjë ndërhyrjeje ushtarake kundër Serbisë. Pasi aneksoi një pjesë te Gjeorgjisë dhe Krimenë, por edhe nxiti separatistët në Rajonin Donbas të Ukrainës, Rusia vazhdoi me helmimin e disidenteve në Britaninë e Madhe dhe minimin e demokracive Perëndimore me sulme kibernetike.
Dhe, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto akte agresive, Rusia vazhdoi hapërimin drejt objektivave të saj të mëtejshëm, realizimin e interesave strategjike në Ballkan, me ndërhyrjen e saj për grushtshteti në Malin e Zi, duke përdorur territorin e Serbisë dhe duke bërë të njëjtën gjë edhe në Maqedoni, që rezultoi me përgjakjen e zyrtareve të larte pro-perëndimorë të Maqedonisë.
* * *
Por, cili do të ishte skenari i fundit i Serbisë në përgjigje të zhvillimeve të fundit në Kosovë? Lufta, natyrisht. Ndërkaq, cili do të ishte preteksti ose objektivi i Serbisë për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë? Preteksti i parë do të ishte gjoja mbrojtja e pakicës serbe në Kosovë dhe rreziku ndaj interesave nacionale të Serbisë. Natyrisht, ndërhyrja ushtarake kundër Kosovës do të mund të ndodhte nëse kostoja do të arsyetonte një hap të tillë. Edhepse gjithashtu është e vërtetë se “interesat nacionale” mbeten një arsyetim subjektiv, që përdoret për të mbështetur luftën.
Çështja e dytë që Serbia do të duhej të merrte parasysh është nëse ndërhyrja ushtarake kundër Kosovës do të kishte një justifikim ligjor ndërkombëtar. Lidhur me këtë, autoritetet e Beogradit do të duhej të dinin cilat vende do të mbështesnin ndërhyrjen ushtarake kundër Kosovës. Shpresat e Serbisë mbështeten tek Rusia, por edhe kjo mundësi teorike mund të mbetet vetëm si e tillë. Bombardimi i Serbisë nga aleatët e NATO-s tregoi se Beogradi nuk mund të llogarisë me siguri në mbështetjen e Moskës; ndërkaq, Perëndimi e ka të qartë se Rusia nuk është ajo që ishte pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik kur, p.sh., një grusht ushtarësh rusë në afërsi të Prishtinës “mbanin shpirtin” me konserva të dhuruara.
Por, gjithashtu, Serbia është e vetëdijshme se Uashington-i nuk e ka harruar qëndrimin anti-amerikan të Beorgadit, kundër interesave strategjike amerikane në Evropë, qe çoi në bombardimin e Serbisë nga NATO-ja, të udhëhequr nga Uashingtoni.
Ndërkaq, një shtet serioz i bën mirë llogaritë përpara se të hyjë në luftë, por Serbia njihet si një terren pjellor për udhëheqës joracionalë, siç ishte rasti me Sllobodan Millosheviqin. Siç duket, nxënësi i tij Aleksandar Vuçiç e ka kuptuar mirë këtë hendikep të udhëheqësve arrogantë të Serbisë, por edhe ndryshimin e rrethanave në Evropë. Pavarësisht këtij fakti, Presidenti i Serbisë, Vuçiç është duke luajtur një lojë të shkëlqyer prej diplomati, duke bërë “viktimën,” ndërkohë që po armatos Serbinë me pajisje luftarake të cilat i rezervojnë Beogradit epërsi të dukshme ndaj fqinjëve në Ballkan.
Republika e re e Kosovës e fillon Vitin e Ri 2019 me optimizëm, duke bërë një hap të vogël, por shumë domethënës, drejt konsolidimit të institucioneve shtetërore. Ndërkaq, koha e euforisë iku me Vitin e Vjetër 2018; tani e tutje klasa politike shqiptare duhet t’i përveshë mëngët e të punojë seriozisht që, jo vetëm t’i ruajë fitoret e arritura deri tani, por edhe të luftojë për fuqizimin e Shtetit të Kosovës. Është hendikep të jesh i rrethuar nga fqinjë me agjenda armiqësore, por shtetarët e vërtetë nuk i gjen asnjëherë të përgjumur. Duke patur aleate SHBA-në, të vetmen superfuqi botërore, Prishtina ka një rast të papërsëritshëm për të ndërtuar një shtet që do tu impononte respektin vendeve të Ballkanit. Dhe, për shembull ka Izraelin; por vallë, e kanë shqiptaret ndjenjën e solidaritetit dhe sakrificës të zhvilluar si hebrenjtë? Nuk do thosha, por qofsha i gabuar!
(Autori është ish-redaktor i Zërit të Amerikës në Washington DC)