Prishtinë, 10 gusht – Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral-koloneli, Rrahman Rama, paralajmëroi se deri në vitin 2021, Ushtria e Kosovës për herë të parë do të jetë në mision ushtarak bashkë me ushtrinë amerikane në Irak dhe Afganistan.
“Pjesëmarrja e Kosovës në misionet paqeruajtëse do të jetë arritje e madhe”, deklaroi Rama për RTK-në. “E them me bindje të plotë që ushtarët e Kosovës, bashkë me Gardën Nacinale të Ajovës, do të jenë në këto vende për misione ushtarake”, tha Rama.
Sa u përket ankesave që ka pasur parregullësi në konkursin për kadetë të ushtrisë, ai ka thënë se gjithçka ka qenë në monitoruar me kamera dhe secili që është ankuar e ka parë testin dhe gjithçka që ka ndodhur në atë periudhë. Komandanti I FSK-së, ka theksuar se dekretimi i strukturës ushtarake nga presidenti është faza e parë e ndryshimeve strukturore që parashihen me ligj.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka thënë se bashkëpunimi i FSK-së me NATO-n dhe partnerët strategjikë po rritet. “Bashkëpunimi me NATO-n dhe partnerët strategjikë vetëm është rritur. Kemi aq shumë përkrahje dhe aq shumë oferta sa nganjëherë nuk kemi kënd ta dërgojmë. Jemi në proces të disa kontratave dhe është sigurt që do të kemi armatim të sofistikuar siç e kanë vendet e NATO-s”, ka thënë ai.