Përkundër të gjitha kundërshtimeve nga Serbia, Bashkimi Evropian (BE) dhe Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Kosova me përkrahjen e madhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) arriti që me 14 dhjetor të këtij viti ta formojë Ushtrinë e saj, pra transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë me mandat për mbrojtje territoriale.
Për formimin e Ushtrisë së Kosovës sot ka folur edhe Komandanti i FSK’së, Gjenerallejtënant, Rrahman Rama, i cili tha se 14 dhjetori është momenti më i rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shkruan gazetametro.net.
Gjenerali Rama ka thënë se Ushtria e Kosovës është produkt i NATO’s, pasi synimi i Kosovës është që të jetë pjesë e strukturave euroatlantike dhe kjo forcë e armatosur do të ketë investim në pajisjet ushtarake nga SHBA’të në vlerë prej 12 milionë eurove.
“Ne si ushtri jemi produkt i NATO’s, sepse synimi jonë është që të jemi pjesë e strukturave euroatlantike. Kemi donacione dhe është shumë me rendesi qe nuk jemi barrë e shtetit të Kosovës për buxhet, 12 milionë do të kemi investimin nga SHBA’të vitin e ardhshëm”, ka thënë Rama,
Këto komente Gjenerali Rama i bëri të ditur në Mitrovicë ku mbajti një ligjeratë me studentët e universitetit “Isa Boletini”, ai para studentëve tha se ky është vetëm fillimi i një transformimi, por obligimet dhe angazhimet do të jenë shumë më të mëdha se tani.
Kujtojmë se për formimin e Ushtrisë së Kosovës, me kërkesë urgjente nga Serbia dhe Rusia, me 15 dhjetor është mbledhur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York, ku kanë folur rreth kësaj çështje.