Policia palestineze thotë se trupat izraelite qëlluan për vdekje të riun 17-vjeçar dhe kanë plagosur edhe pesë të tjerë gjatë një përleshjeje mes tyre. Incidenti ka ndodhur në qytetin Jenin në Bregun Perëndimor. Sipas policisë palestineze, palestinezët kanë gjuajtur me gurë ushtarët izraelitë të cilët janë kundërpërgjigjur me zjarr. Po ashtu edhe ushtria izraelite ka konfirmuar incidentin, duke shtuar se trupat e saj ishin sulmuar me bomba të improvizuara para se të kundërpërgjigjen me zjarr. Që nga viti 2015, palestinezët kanë kryer disa sulme me armë të ftohta apo me armë zjarri ndaj izraelitëve, nga të cilat u vranë 40 persona. Nga ana tjetër forcat izraelite kanë vrarë 235 palestinezë brenda periudhës së njëjtë. Organizata për të Drejtat e Njeriut ka akuzuar Izraelin për përdorimin e forcës së tepruar në përleshje me palestinezët.