Policia britanike kumtoi se e ka rritur numrin e pjesëtarëve të vet nëpër rrugët e Londrës, si dhe se pas sulmit vetëvrasës në Mançester pjesëtarë të ushtrisë do t’i sigurojnë objektet të cilat kanë rëndësi kyçe, mes të cilave Pallatin e Bakingemit dhe rezidencën e kryeministrit në Dauning Strit.
Kryeministrja britanike, Tereza Mej mbrëmë kumtoi se niveli i rrezikut është ngritur deri në atë “kritik” që shënon mundësi të madhe për realizim të sulmit terrorist. Ajo deklaroi se me qëllim që të parandalohen sulme të reja të mundshme, do të angazhohen edhe pjesëtarë të ushtrisë.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Amber Rad deklaroi në intervistë për BBC se në rrugët e vendit do të sistemohen 3.800 ushtarë. Rad theksoi se sulmuesi nga Mançesteri ka qenë i njohur për shërbimet e sigurisë dhe sipas të gjitha gjasave nuk ka vepruar vetë. Autoritetet britanike sulmuesin nga Mançesteri e kanë identifikuar si 22 vjeçari Salman Abedi, i lindur në Mançester në familje të prindërve libianë.