Uashington, 14 korrik – Ushtarët amerikanë u tërhoqën nga pesë baza ushtarake në Afganistan, në pajtim me Marrëveshjen e nënshkruar mes Uashingtonit dhe talebanëve në shkurt, konfirmuan të dyja palët, pa i cekur bazat.
Sipas burimeve afgane dhe amerikne, ushtarët amerikanë u tërhoqën nga bazat në provincat Helmand, Uruzgan, Paktika dhe Lagman.
Sipas Marrëveshjes, ushtarët amerikanë duhej të largoheshin nga bazat ushtarake dhe ta pakësojnë kontigjentin në Afganistan deri në 8.600 ushtarë në afat prej 135 ditëve pas nënshkrimit të Marrëveshjes, afati i fundit i të cilës ishte dje.
Talebanët e përshëndetën tërheqjen, por i akuzuan ushtarët amerikanë se kryen sulme ajrore në rajone “jashtë zonave të luftimeve aktive”.
Përfaqësuesi special i SHBA-së për Afganistanin, Zalmaj Halilzad sot konfirmoi se është realizuar etapa e parë e Marrëveshjes. Ai i hodhi poshtë kritikat për dhunë në Afganistan dhe e dënoi sulmin e djeshëm të talebanëve, me ç’rast jetën e humbën 12 anëtarë të shërbimit sekret afgan, ndërsa janë lënduar 63 persona.
Halilzad theksoi se për realizim të etapës së ardhshme të Marrëveshjes do të insistojë që Qeveri afgane dhe talebanët të vazhdojnë t’i lirojnë të burgosurit, me qëllim që të pakësohet dhuna në vend.
“Talebanët duhet ta përmbushin premtimin dhe të mos ndërmarrin aksione terroriste, si dhe premtimin për fillim të negociatave paqësore në Afganistan, me çka do të përfundojë lufta prej dekadash”, theksoi Halilzad.