Ish-portieri i Satton, Uejn Shov u gjobit nga FA me 375 sterlina gjithashtu edhe u pezullua për dy muaj, nga çdo aktivitet futbollistik, për akuza që lidhen me bast vënien. Shov u shpall fajtor pas një seance dëgjimore disiplinore të zhvilluar këtë të mërkurë, pasi akuzohej se ai kishte ndikuar qëllimisht tregun e basteve në humbjen e Satton 2-0 ndaj Arsenal në muajin shkurt. Portieri 45-vjeçar u fotografua dhe filmua duke ngrënë byrek ndërkohë që qëndronte në stolin e rezervave gjatë ndeshjes së vlefshme për raundin e pestë të FA Cup, ndërkohë që kompania e basteve “Sun Bets” kishte ofruar në treg një bast pikërisht mbi shanset që ai të filmohej nga kamerat duke bërë atë gjë.
Akuza për ndikim në tregun e basteve u vlerësua e provuar gjatë seancës dëgjimore në një komision të pavarur rregullator në “Wembley”. Federata Angleze, nëpërmjet një deklarate, njoftoi se Shov ishte pezulluar në mënyrë të menjëhershme nga të gjitha aktivitetet që lidhen me futbollin për dy muaj, pasi ishte akuzuar se kishte shkelur rregullat e FA. Shov, i njohur gjithashtu me nofkën ‘roly poly goalie’, u tërhoq nga Satton pasi iu kërkua nga klubi të tërhiqej, si pasojë e incidentit në muajin shkurt. Ai deklaroi për “BBC” në maj se skandali kishte përmbysur të gjithë jetën e tij, duke e lënë të përballej me depresionin dhe stresin. “E gjithë bota ime u përmbys. Isha mes lotësh.
Nuk isha përjashtuar kurrë në jetën time. Mbetet në mendjen time çdo ditë, me siguri do të qëndrojë për shumë kohë. Kam kaluar përmes depresionit. Nuk po flija mirë, e ndjeja teksa stresohesha. Ende e kam atë nyje në stomak. Situata ishte e tillë, më kërkuan që të tërhiqesha, ose do të më shkarkonin. Askush nuk pyeti për versionin tim të fakteve. Reagimi i menjëhershëm i klubit ishte që të distancoheshin në mënyrë të menjëhershme. Unë nuk kam fituar ndonjë para dhe as miqtë e mi”, kishte deklaruar Shov për “BBC”, ndërkohë që “Sun Bets” kuotonte me koeficient 8, shfaqjen e portierit në televizion duke ngrënë.