Në disa komuna rurale ka gatishmëri për krijimin e Bankave për Ushqim, por në rajonin e Pollogut dhe në qytete urbane – nuk ka magazinë për ushqim, u tha në këtë takim. Madje, organizatat nuk kanë gjetur ndihmë nga autoritetet lokale të Tetovës
Urim HASIPI
Tetovë, 12 shkurt – Qendra për zhvillim e rajonit planor e Pollogut ka qenë nikoqire e takimit ku është diskutuar për urinë. Sipas diskutimit, në Maqedoninë e Veriut hidhet sasi e madhe e ushqimit, ndërsa nga Banka Ushqimore, e cila kryen funksionin si bankë e vetme për ushqim në vend, potencojnë se zgjidhja për ushqimin e hedhur është tek miratimi i një ligj.
Në Maqedoni hidhet aq ushqim sa mund të ushqehet një e treta e popullatës në Tetovë. Këtë e theksojnë nga Banka për Ushqim, e cila është angazhuar që të sillet një ligj për ushqimin që tepron. Përmes një projekti nga Bashkimi Evropian, tentohet që të bëhen hapa që ushqimi i cili tepron dhe hidhet, të arrijë deri tek ata që kanë nevojë. “Në qytetet si Kavardari, Sveti Nikollë, Manastir, Komuna Qendër dhe në Çair, koalicioni ynë i përbërë prej organizatave joqeveritare me pushtetet lokale tashmë ka ndërmarrë shumë aktivitete dhe ushqimi ndahet për ata, të cilët nuk e kanë. Hulumtimi ka treguar se një familje brenda vitit hedh ushqim me vlerë prej 300 euro apo 50 denarë në ditë. Nga ana tjetër, kemi mbi 70 mijë njerëz të cilët brenda javës ushqehen dy apo tre herë, ndërsa 60 për qind prej tyre janë fëmijë”, tha Dushko Hristov nga organizata “Banka për Ushqim” në Maqedoninë e Veriut.
Në Pollog është problem grumbullimi i ushqimit që hidhet, sepse nuk ka magazinë ku do të vendosej ushqimi me afat. “Në Tetovë ose në rajonin e Pollogut, kryesisht nuk ka magazinë për grumbullimin e ushqimit. Shpresoj që në të ardhmen në zonat urbane edhe në rajonin e Pollogut siç janë Tetova dhe Gostivari, të krijohen mundësitë për grumbullimin e ushqimit, por në Komunën e Tetovës kemi hasur në vesh të shurdhër për grumbullimin e ushqimit dhe nuk na kanë lënë deri tash ndonjë hapësirë për grumbullimin e ushqimit. Kompanitë private kanë kapacitete dhe dëshirë të ndihmojnë iniciativa të tilla, praktika të ngjashme ka shumë që janë jashtë rajonit të Pollogut, funksionon mirë në Kavadar, në Komunën Qendër të Shkupit, por për fat të keq – nuk funksionon si duhet të Tetovë”, tha Naim Iljazi nga Aleanca Rinore. Deri më tash janë ndërmarrë aksione për të grumbulluar ushqim që tepron, por sërish shfaqet problemi i magazinimit.
“Me aktivitetet tona konkrete në terren kemi bere disa herë shpërndarjen e ushqimit për festa apo të ngjashme, por problemi qëndron tek magazina. Nuk kemi magazinë të veçanta për grumbullimin e ushqimit që të dhurohet. Për sa i përket kompanive private, ato kanë gatishmëri të madhe për grumbullimin e ushqimit dhe e kanë bërë ketë, por kur ka ardhur një kompani e madhe dhe dhuron ushqim, ne nuk kemi ku ta mbajmë ushqimin. Pra, krejt problemi është tek magazina për grumbullimin e ushqimit. Ndërkaq aktivitete për grumbullimin e ushqimit janë bërë edhe më herë, ka pasur diskutime edhe me herët për formimin e bankës për rajonin e Pollogut”, tha Iljazi. Në disa komuna rurale ka gatishmëri për krijimin e Bankave për Ushqim, por në rajonin e Pollogut dhe në qytete urbane ku është më e përshtatshme, nuk ka magazine për ushqim, u tha në këtë takim. (koha.mk)