E turpshme, e tmerrshme ajo që po ndodh me Flamurtarin, aty ku çdo ditë ka një lajm të hidhur për tifozët dhe çdo ditë hiqet nga një tullë në themelet e ekipit, të ndërtuar me shumë pasion e sakrifica verën e shkuar. Kriza financiare që ka mbërthyer klubin ka bërë që tashmë skuadra të shpërbëhet dhe sot është larguar futbollisti i radhës, sepse Muhamed Useinii ka dhënë fund me vlonjatët, bën të ditur “Telesport”, përcjell gazeta KOHA.
Ka pritur gjatë 30-vjeçari, ka duruar më shumë se Busic e Siljanovski, duke i besuar një premtimi të Sinan Idrizit për zgjidhje të ngërçit financiar deri në 2-3 shkurt. E kotë, edhe vetë mesfushori e dinte që nuk do kishte zgjidhje, ndërsa tashmë është nisur për në Maqedoni.
Që sot Useini do të jetë në Shkup, ku pritet të firmosë për Rabotnickin (aty ku firmosi edhe Siljanovski), ndërkohë që me Flamurtarin është ndarë keq, sepse 5 pagat e pamarra do të detyrohet t’i marrë me gjyq. Çështja është në FIFA tashmë, përfundimi dihet, Flamurtari do të paguajë “kokërr më kokërr”, përveçse do të rrezikojë dënim të rëndë, sepse ka precedentë mjaft shqetësues.
Useini u transferua në Vlorë në verën e vitit 2017, duke braktisur për herë të parë kampionatin maqedonas, ndërsa me Flamurtarin luajti 56 ndeshje mes kampionatit e kupës, me 2 gola të shënuar sezonin e shkuar dhe asnjë karton të kuq, duke qenë një model sjelljeje në fushë, por edhe jashtë saj, sepse bëhet fjalë për një person mjaft të respektuar në Vlorë.
Ndërkaq, Flamurtari po fundoset, me Sinan Idrizin që nuk paguan më dhe me bashkinë që nuk ekziston, a thua se është diçka pa rëndësi, se Flamurtari nuk është pronë e bashkisë dhe qytetit. Na ishte një herë Flamurtari, na ishte një herë Vlora e futbollit…