Çështja e pagave mbetet më e ndezura në Vlorë. Ngjarjet e ndodhura në ndeshjen me Kukësin u zhvilluan dhe u mbyllën brenda një nate, ndërsa pagat mbeten ende si një çështje që duket pa fund. Të gjithë lojtarët janë në pritje, por Muhamed Useini “kërcënon” sërish.
30-vjeçari shqiptar nga Maqedonia, që më parë ka qenë lojtar i ekipeve të njohura si Renovës, Shkëndijës, Robotniçkit, mund të largohet nga Vlora.
“Panorama Sport”, mëson se Useini ditët e fundit, ka kërkuar nga klubi pagat, duke vendosur edhe afate. Burime pranë klubit vlonjat bëjnë me dije për gazetën se mesfushori ka kërkuar nga drejtuesit që të shlyhet deri këtë javë, madje si afat i fundit është e mërkura, përpara ndeshjes së Kupës me Tiranën që luhet në Vlorë.
Useini me shumë gjasa do të jetë largimi i radhës nga klubi nëse situata financiare nuk do të ndryshojë dhe nëse deri në mesin e kësaj jave klubi nuk do të shpërndajë pagat. Me t’u larguar, lojtari del totalisht i lirë dhe këtë çështje me shumë mundësi do ta zgjidhë nëpërmjet rrugës gjyqësore.
“Panorama Sport” e paralajmëroi pak kohë më parë largimin e Useinit nëse situata nuk do të merrte drejtim. Mbetet për t’u parë nëse klubi do të reagojë apo jo me kërkesën e fundit të bërë nga lojtari, i cili erdhi në Vlorë në merkaton e verës së vitit 2017, si një kërkesë e ish-trajnerit Shpëtim Duro. Por nëse çështja e pagave nuk zgjidhet këtë javë, Useini pritet që të ndjekë rrugën e Alvesh, Bushiç e Siljanovskit që u larguan për shkak të pagave.
SITUATA – Sinan Idrizi nuk ka pranuar që të flasë deri më tani për çështjen e pagave me asnjë lojtar, me përjashtim të kapitenit Artim Pollozhani. “Panorama Sport” zbulon se para ndeshjes me Kukësin, Idrizi ka zhvilluar një takim kokë më kokë me Artim Pollozhanin. Për më shumë se 20 minuta, dyshja ka folur për çështjen e pagave. Idrizi me sa duket i ka kërkuar kapitenit që të përcjellë tek ekipi sigurinë se kjo çështje do të zgjidhet.
Madje administratori i ka shpjeguar Pollozhanit se vonesat po vijnë edhe si pasojë e ngërçit të krijuar nga borxhet e prapambetura që ka paguar dhe që nuk i përkisnin atij, kështu që është në pritje edhe të një përgjigjeje nga bashkia.
Burime jo zyrtare pranë klubit, bëjnë me dije për “Panorama Sport”, se drejtuesit po mendojnë që brenda muajit shkurt të zgjidhin çështjen e pagave dhe të paguajnë lojtarët dhe stafin teknik.