Flamurtari është një nga skuadrat që pritej të ishte në garën e titullit këtë sezon, por skuadra vlonjate ka pasur shumë ulje-ngritje në gjysmën e parë të kampionatit, duke lënë shumë pikë dhe tani ka një diferencë të konsiderueshme me kreun. Flamurtari mban vendin e 6-të dhe është 9 pikë larg vendit të parë.Mesfushori 30-vjeçar i vlonjatëve, Muhamedin Useini, në një prononcim për “Vipsport.al”, pasi tregon faktorët që kanë ndikuar në ecurinë e deritanishme, thekson se Flamurtari i ka mundësitë të shkojë në Europë, aq më tepër nëse bën dy-tre afrime cilësore. Ai prek edhe çështjen e gjykimit:
“Po besoj se nuk kemi qenë aty ku duhej, mirëpo nuk jemi prapa shumë, sepse Kupat e Europës janë afër. Kemi gabuar në shumë ndeshje që realisht duheshin fituar. Duhet cekur se ka ndikuar njohja e ekipit, pastaj edhe mungesat, sepse gati gjithë kampionatin ndoshta 2-3 ndeshje kemi luajtur me kontigjent të plotë. Besoj se me një fazë të mirë tani në janar dhe me 2-3 përforcime nga ato që mund të bëjnë diferencën, do të jemi Flamurtari që presin të gjithë”, – shprehet mesfushori me përvojë i vlonjatëve.
Gjykimi ka qenë gjithmonë një problem për Flamurtarin sezonet e fundit, por Useini gjykon se gabime ka dhe ato janë njerëzore, kështu që nuk duhet menduar për këtë çështje, por vetëm për fushën: “Gjykimi? Nuk është se nuk na kanë dëmtuar fare, mirëpo unë besoj gjithmonë se janë gabime njerëzore dhe faktikisht s’duhet të merremi ne futbollistët me arbitrat ose të gjejmë arsye tek arbitrat, sepse puna jonë është të japim maksimumin në fushë, pastaj ka njerëz të tjerë që merren me arbitrat.
Në fund një mendim edhe për garën e titullit kampion në Superiore, ku titullari i Flamurtarit nuk i shpëton dot diplomacisë: “Po shumë pak diferenca kanë ekipet nga njëri-tjetri. Do të jetë luftë e fortë deri në fund dhe besoj se gjithë ekipet lart kanë shanset e veta për titullin. Ekipi që do të gabojë më pak dhe do të ketë vazhdimësi, do të shpallet kampion”, – ka përfunduar mesfushori i Flamurtarit, Useini.