Shkup, 30 mars – Misioni i USAID-it ka shënuar 25 vjetorin e miqësisë me Maqedoninë, themelimin e zyrës së kësaj agjencie në Shkup, në vitin 1993. Përvjetori jubilar u shënua përmes një konferencë për liderë të rinj me temën “Rruga e Maqedonisë, nga zhvillimi në vetë-zhvillim”. Gjatë këtyre viteve USAID ka investuar mbi 600 milionë dollarë për realizimin e 157 projekte në sfera të ndryshme, si përfshirja në arsim, demokraci dhe zhvillimin ekonomik. Agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar në Maqedoninë partneritet me qytetarët, institucionet, shoqatat dhe organizatat e ndryshme ka dhënë mbështetje të konsiderueshme për përmirësimin e cilësisë së jetës, përmes projekteve të ndryshme, duke prekur pothuajse të gjitha fushat e jetës shoqërore. Ndihma nga populli amerikan ka mbështetur shumë sektorë, duke filluar nga arsimi, sistemi i drejtësisë dhe gjyqësori, mbrojtja e të drejtave të njeriut, mirëqeverisjen.., e deri tek bujqësia dhe agrobiznesi. “Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për ne, pasi USAID po feston 25 vjet miqësi me Maqedoninë”, tha përfaqësuesi i zyrës së USAID, David Attberri, në fjalën përshëndetëse.
Në këtë konferencë ishin të ftuar për të folur për eksperiencat e tyre disa individë të suksesshëm në fusha të ndryshme. Si bashkëthemeluesi i Akademisë së Biznesit e Neëmen, Irena Çausheska, drejtoresha e forumit për arsim të të rinjve Dona Kosturanova, drejtori i shkollës fillore “Kiril dhe Metodi” nga Tetova, Satki Ismaili, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i “Edna Pravi” Doroti Paçkova, udhëheqja për programe “Polio Plus” Elena Koçoska dhe Sefer Selimi, themeluesi i shoqërisë “Democracy Lab”, Meral Musli-Trajkovska, ambasadore dhe përfaqësuese nga Maqedonia e organizatës “Gratë pa Kufi”e të tjerë.
Ndërsa në panelin e diskutimit me temë “Çfarë duhet të bëhet që të jesh i suksesshëm në Maqedoni?” theksi u vendos tek të rinjtë, si elementet më të rëndësishëm të shoqërisë, pasi jo vetëm që e ardhmja iu takon atyre, por se edhe vetëm ata mund ta çojnë përpara progresin dhe zhvillimin. “Këto ngjarje kanë si qëllim që të forcojnë dhe të motivojnë rininë, e cila duhet të provojë dhe të besojë tek vetja, të mendojë pozitivisht dhe të mos ketë frikë të ëndërrojë. Ka shumë shembuj të mirë të njerëzve që kanë histori suksesi në Maqedoni, por edhe në botë”, u shprehën diskutantët. U sollën shembuj të njerëzve që kanë arritur të jenë të suksesshëm dhe ata që synojnë të bëhen të tillë, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. (E.H)