Kur VAR filloi të implementohet në futboll këtë sezon, pritej që ta përmirësonte lojën. Sidoqoftë, ky sistem ka shkaktuar shumë situata kontraverse. Duket se për çdo javë VAR merr një vendim kontravers, që shkakton shumë pakënaqësi në mesin e fansave, raporton Periskopi, përcjellë gazeta Koha. Disa fansa të futbollit tashmë janë ngopur dhe dëshirojnë largimin e sistemit nga përdorimi.
Sigurisht, këtë nuk dëshirojnë ta bëjnë krijuesit e rregullores. Më herët këtë javë, presidenti i Bordit Ndërkombëtar të Futbollit (IFAB), Patrick Nelson tha se po e shikojnë mundësinë që ta përmirësojnë përdorimin e VAR-it.
Sipas “Sky Sports”, një opsion që po diskutohet është që t’u lejohet gjyqtarëve që të komunikojnë direkt me fansat që ta shpjegojnë vendimin. Këtu përfshihet opsioni që gjyqtari të bëjë një shpjegim të shkurtër për fansat në stadium. Fansat sigurisht se nuk do të mund të dëgjonin zyrtarët duke diskutuar, por do të merrnin një sqarim rreth vendimit përfundimtar. Kjo do të ishte rregull e ngjashme me atë që aktualisht po përdoret në NFL.
Çfarë ideje e thjeshtë, por brilante.