Kishte vite që tenisti Rafael Nadal nuk bënte pushime të gjata jashtë Spanjës, pasi këtë vit, numri 1 në botë ka vendosur të kalojë më shumë kohë me miqtë dhe familjen në Karaibe dhe Bahamas. Një periudhë që i ka shërbyer për t’u relaksuar dhe karikuar bateritë pas një sezoni të gjatë dhe, mbi të gjitha, për të rikuperuar dëmtimin në gjurin e djathtë, që e detyroi të tërhiqej pas raundit të parë të turneut “ATP Championship”, që u zhvillua në Londër një muaj më parë. Spanjolli është ende duke bërë disa terapi kurative, ndërkohë që këtë fundjavë pritet të rikthehet në palestër, për të përgatitur sezonin e ri sportiv.
“Nuk e mbylla këtë vit në mënyrën më të mirë të mundshme, por ky ka qenë një ndër sezonet më të bukura dhe e kisha parashikuar një rikthim të tillë”, u shpreh Rafael Nadal, që më 29 dhjetor do të luajë në turneun “show” të Abu Dhabi. “Nuk jam në formë, por e rëndësishme është që gjuri të shërohet dhe të rikuperojë në momentin e duhur, pas një muaji. Do t’i marr gjërat hap pas hapi, pa u sforcuar, për të qenë gati kur të nisë sezoni i ri. Për t’u rikuperuar 100% duhet kohë, ndaj dhe mora këto pushime të gjata. Gjithçka do të nisë nga zero, duke shpresuar të jem gati për turnetë që do të zhvillohen në Australi”, u shpreh më tej tenisti spanjoll.