Shkup, 9 maj – Sjellja e vendimit për hapjen e bisedimeve për anëtarësim nga ana e Këshillit Evropian në qershor me Maqedoninë do t’i inkurajojë dhe motivojë të gjithë aktorët e shoqërisë sonë që të japin kontribut më efektiv në implementimin e reformave të nevojshme për vendin dhe në shpërndarjen e vlerave evropiane.
Këtë e thekson kryeministri Zoran Zaev në urimin dërguar presidentit të KE-së Zhan Klod Junker me rastin e Ditës së Evropës.
Në urimin, kryeministri përkujton se në ditën e sotme, më 9 maj të vitit 1950, pas dy luftërave katastrofale botërore të cilat e gjunjëzuan Evropën, ministri francez i Punëve të Jashtme, Robert Shuman, i ftoi armiqtë e mëparshëm ta fillojnë ndërtimin e Evropës së re.
“Nën hirin dhe tymin e luftës i cili ende hidhej mbi shtëpitë e evropianëve, ky vizionar i madh bëri thirrje për bashkim, për lidhje të politikave dhe ekonomive për realizimin e një vizionin për Evropën në të cilën gjithmonë do të pamundësohen luftërat e ardhshme shkatërruese. Shtatë vite më vonë, shtatë vende evropiane e themeluan Bashkësinë Ekonomike Evropiane me Marrëveshjen e Romës dhe e filluan procesin e integrimit evropian. Liderët e atyre vendeve e mbollën idenë për BE-në dhe vendosën se të gjitha dallimet do t’i zgjidhin në tavolinë dhe jo në arenat luftarake”, thekson Zaev.
Kryetari i Qeverisë theksoi se pas luftërave liderët evropianë vendosën se forcën e armës dhe dhunën do t’i zëvendësojnë me forcën e solidaritetit, drejtësisë dhe ligjit, sepse e njohën dhe e panë të ardhmen e kontinentit si vend i lirisë dhe si një nga ekonomitë me më prosperitet në botë.
“Të shtyrë nga vlerat evropiane dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë e bënë zgjidhjen e tyre dhe e zgjodhën të ardhmen – të ardhmen e Bashkimit Evropian”, thuhet në urimin e kryeministrit Zaev.
Sipas tij, Evropa sot nuk është vetëm lokacion gjeografik. BE nuk janë vetëm institucionet në Bruksel dhe Strasburg. Evropa dhe Bashkimi Evropian janë koncept i bazuar në besimet dhe bindjet e përbashkëta themelore për lirinë, për demokracinë dhe të drejtat njerëzore, për ekonominë e tregut, si dhe për realizimin e mundësive ekonomike ndaj themeleve të solidaritetit.
“Të bashkuar dhe unik rreth këtyre vlerave mund të ballafaqohemi me sfidat e kohës sonë”, thekson kryeministri Zaev.
Ai thekson se me një qasje të tillë, sot, kur u dërgojmë urime miqve tanë në Bruksel dhe Strasburg, deri te partnerët tanë në BE, në Këshillin Evropian dhe në Komisionin Evropian, kur u dërgojmë urime të gjithë evropianëve, dërgojmë edhe porosi se BE duhet të llogaritë në Republikën e Maqedonisë.
Kryetari i Qeverisë, shton se Republika e Maqedonisë synon arritjen e vizionit të njëjtë edhe përmes implementimit të reformave të nevojshme përpiqet që sa më shpejtë të bëhet pjesë e familjes evropiane.
“Në periudhën e kaluar, vendi ynë arriti që me sakrifica dhe synime serioze të kalojë nga një shtet me krizë shumëvjeçare politike, në një shtet të mundësive dhe shembull në rajon për zgjidhjen e çështjeve të hapura. Republika e Maqedonisë tregoi edhe pjekuri në ndërmarrjen e hapave konkretë në lidhje me përmirësimin dhe thellimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe në aktivitetet për kthimin e besimit reciprok. Sjellja e vendimit për hapjen e bisedimeve për anëtarësim nga ana e Këshillit Evropian në qershor me Maqedoninë do t’i inkurajojë dhe motivojë të gjithë faktorët e shoqërisë sonë që të japin kontribut më efektiv në implementimin e reformave të nevojshme për vendin dhe në shpërndarjen e vlerave evropiane”, thekson kryeministri Zoran Zaev në urimin dërguar presidentit të KE-së Zhan Klod Junker me rastin e Ditës së Evropës