Shkup, 11 tetor 2018 – Presidenti Gjorge Ivanov me rastin e 11 Tetorit – Ditës së Kryengritjes popullore, u dërgoi urim qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.
“Kryengritja e armatosur kundër pushtuesit fashist, që filloi më 11 Tetor 1941, na solli lirinë dhe realizimin e ëndrrës së formimit të shtetit të Maqedonisë. Rruga drejt fitores përfundimtare nëpërmjet Luftës për çlirimin e popullit, e mbushur plot me vuajtje dhe heroizëm, na dha një vend në anën e drejtësisë dhe njerëzimit. Lufta për liri mori shumë viktima para të cilëve përkulemi sot dhe veprën e të cilëve ne e festojmë”, thotë Ivanov në urim.
Prandaj sot, siç thekson presidenti i Maqedonisë, 11 Tetori është më shumë se festë shtetërore, është realizim i idealit për liri dhe drejtësi. Në këtë ditë festohet sakrifica dhe vendosmëria e popullit të Maqedonisë për liri dhe për krijimin e shtetit të pavarur. Ky ideal na udhëheq edhe sot në realizimin e të tashmes më të mirë dhe për të ardhme më të mirë për gjeneratat e ardhshme në Republikën e Maqedonisë.
Në këtë festë të madhe, edhe njëherë, porosit presidenti Ivanov ta përkujtojmë amanetin të cilin na e lanë paraardhësit tanë, që me dinjitet dhe krenari ta ruajmë këtë tokë pasi është gjithçka që kemi.