Urgjentisht të ndihmohen banorët e Malësisë së Karadakut

Shkup, 7 janar – Lëvizja BESA shpreh shqetësimin e saj për situatën në fshatrat e Malësisë së Karadakut, të cilët janë plotësisht të bllokuar nga reshjet e mëdha të dëborës dhe apelon deri te organet lokale dhe qendrore që urgjentisht t’u dalin në ndihmë banorëve të kësaj ane. Siç thuhet në kumtesë, “tashmë dy ditë me radhë banorët e fshatrave Tanushë, Malinë dhe Brezë mbeten të bllokuar nga reshjet e borës dhe rrezikojnë të mbeten pa ushqime dhe ilaçe për të sëmurit, ndërsa autoritetet deri në këtë moment kanë treguar një mospërfillje dhe mosinteresim shumë të madh përderisa gjendja në terren kërkon intervenim urgjent”.”Prandaj edhe një herë u bëjmë thirrje institucioneve të tregohen më të përgjegjshëm, t’i kryejnë detyrimet e tyre ndaj banorëve të këtyre fshatrave dhe sa më shpejt ta pastrojnë rrugën dhe të bëjnë furnizimin e banorëve me produktet e nevojshme ushqimore dhe me ilaçe”, thuhet më tej në kumtesën e Lëvizjes BESA.