Omer XHAFERI
Shkup, 5 nëntor – Në sheshin “Skenderbeu” në Shkup, qindra protestues kanë shprehur indinjatën e tyre kundër aktgjykimeve të shqiptuara ditë më parë ndaj të akuzuarve në rastin “Lagjja e Trimave”. Pjesëmarrësit, familjarë, organizata joqeveritare, personalitete të njohura të shoqërisë shqiptare në Maqedonisë, përsëritën kërkesën për hetim ndërkombëtar dhe rishikim të rastit, i cili sipas tyre, është edhe një padrejtësi ndaj shqiptarëve të Maqedonisë.
Kryetarja e Këshillit familjarë të grupit të Kumanovës, Dashurie Sefa, tha se dënimet arbitrare me 20, 40 dhe burg të përjetshëm, për familjarët dhe gjithë botën demokratike janë të papranueshme. “Kërkojmë që e gjithë ngjarja e 9 dhe 10 majit të hetohet e procedohet nga ndërkombëtarët, sepse strukturat e larta shtetërore të Maqedonisë kanë qenë direkt të përfshirë si manipulues dhe nxitës në sajimin e skenarit të 9 majit. MPB, shefi i shërbimit maqedonas, janë ideologët dhe zbatuesit e skenarit të 9 majit në Kumanovë”, ka thënë Sefaj.
Në ndërkohë, Daim Hiseni në emër të SHVL-UÇK-së tha se Gjykata ka dhënë dënime të padrejta dhe politike ndaj të akuzuarve të Kumanovës. “Mbi 700 vite burg dhe 7 dënime me burg të përjetshëm, tregojnë fytyrën e vërtetë të drejtësisë maqedonase. Ndal persekutimit të shqiptarëve, dënimeve drakonike, ndal dhunës, ndal drejtësisë selektive dhe skenarëve të montuara ndaj shqiptarëve. Kërkojmë rasti të hetohet nga faktori ndërkombëtar, drejtësi dhe liri për grupin e Kumanovës”, ka thënë Hiseni.
Protestuesve i është drejtuar edhe ish-deputeti Hysni Shaqiri, sipas të cilit, dënimi i fundit është ngjarja më e dhimbshme dhe se nuk ka mbizotëruar drejtësia.
“Nuk pajtohemi me akuzën ndaj grupit të Kumanovës. Reagimi duhet të jetë gjithëkombëtarë. Politika e Maqedonisë me çka mbërrin po dënon shqiptarët. Procesi duhet të hetohet që drejtësia të vihet në vend. Kjo çështje u hesht nga shumë qendra shqiptare, pse mos them nga Prishtina e Tirana, sepse njollosja drakonike shqetësoi gjithë botën shqiptare. Protestat duhet të vazhdojnë, sepse ka të bëjë me një çështje serioze. Maqedonia me këtë po hyn në krizë të re, pres nga faktori ndërkombëtar të ndërhyjë dhe të merr masat adekuate. Një hetim ndërkombëtar është më se i nevojshëm”, ka thënë Shaqiri.
Kryetari i Shoqatës të të Përndjekurve dhe të Burgosurve Politik Shqiptarë, Shpëtim Pollozhani, tha se pret që faktori ndërkombëtar të aktivizohet dhe të kërkojë zbardhjen e vërtetë të ngjarjes. “Ky është dënim politik… Kërkojmë nga faktori ndërkombëtarë që të intervenojnë si që kanë intervenuar edhe tjetër- herë, të përsëritet ky rast dhe pala shqiptare e maqedonase ta dinë të vërtetën. Ky do të jetë fillimi i protestave dhe në do të protestojmë derisa ato të lirohen nga burgjet”, tha Pollozhani para protestuesve protestuesve.
Krahas për të dënuarit në rastin “Lagjja e trimave”, protestuesit kërkuan liri edhe për të dënuarit e tjerë në rastet “Monstra”, “Brodeci” dhe të tjera. Në protestë është vërejtur prani e madhe e policisë, ndërsa për shkak të protestës – komunikacioni në rajonin qendror të qytetit në Shkup ishte rikëahëzuar.
Ndryshe, Gjykata Penale të akuzuarve për ngjarjet në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë në maj të vitit 2015, në të cilat jetën e humbën tetë pjesëtarë të forcave të sigurisë së Maqedonisë dhe 10 pjesëtarë të Grupit të Armatosur, u shqiptoi tetë dënime me burg të përjetshëm, 13 me nga 40 vjet, gjashtë me nga 20 vjet, një me 18 vjet dhe dy me nga 14, dy me 13 dhe dy nga 12 vjet dhe katër aktgjykime për lirim.