Shkup, 20 mars – Apel që urgjentisht të sillet ligji për mbrojtje sociale kanë dhënë sot organizatat joqeveritare të cilat punojnë në sfera të ndryshme të cilat e prekin këtë fushë dhe të cilët morën pjesë në debatin publik për Propozim-ligjin për mbrojtje sociale në seancën e Komisionit kuvedor për punë dhe politikë sociale. Mbrojtja sociale është mbipartiake, mbietnike, deputetët t’i lënë mënjanë dallimet dhe të mendojnë për qytetarët, porositën ata, njofton gazeta KOHA.
Me përplasje politike midis qeverisë dhe opozitës, vërejtje se ka tentime për pengesa që të sillet ligji, i cili në procedurë kuvendore është lënë nga fundi i vitit të kaluar dhe është dashur të jetë efektiv nga 1 janari i këtij viti, por edhe mosmarrëveshje nga ana e organizatave joqeveritare se deputetët në vend që të fokusohen në betejat e tyre në sferën sociale i shfrytëzojnë për llogaritje politike e shënuan debatin e sotëm publik për propozim ligjin.
Për të marrë fjalën janë paraqitur rreth 30 folës nga sektori joqeveritar, megjithatë një pjesë e tyre për shkak të përplasjeve partiake midis deputetëve në mënyrë demonstruese e lëshuan sallën.
“Të gjithë deputetët nga ky Parlamenti ynë t’i largojnë blindat e tyre partiake dhe të tregojnë se kujdesen për qytetarët para interesave të ngushta partiake nga të cilat me siguri udhëhiqen”, u porositi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska deputetëve të cilët ishin të pranishëm në debatin publik.
Përmendi se politikat në të kaluarën kanë pasur për qëllim ta rrisin pabarazinë, të akumulojnë më shumë mjete financiare për më të pasurit, kundrejt më të varfërve dhe për këtë, siç tha sot kemi numër prej 400 mijë qytetarëve, të cilët jetojnë në varfëri.
Theksoi se ligji është transparent. Më shumë se 40 ditë ishte në ENER, në të ishin të përfshira vërejtje nga të gjitha palët relevante.
Reforma, siç sqaroi Carovska ka dy linja, rritje të financave për ndihmë sociale dhe decentralizim të shërbimeve sociale me sistemimin e tyre midis pushtetit qendror, lokal dhe sektorin joqeveritar.
“Kemi ngritje drastike të transfereve financiare ndaj qytetarëve edhe atë për 300 për qind, duke i përfshirë shtesat për fëmijë si të drejtë universale për të gjithë të varfrit dhe ata me të ardhura të ula, të cilët kanë pagë minimale dhe sot a e dini kush ka të drejtë për shtesa të fëmijëve – jo më shumë se 3.000 fëmijë të cilët kanë familje në të cilat ka një të punësuar me të ardhura prej dhjetë mijë denarëve. Më të varfrit dhe pranues të ndihmës sociale nuk kanë qasje”, ka thënë Carovska.
Ajo përmendi se për momentin sistemi ynë për mbrojtje sociale nuk është plural, nuk ka dhënë mundësi për përfshirje të organizatave civile, sektori i biznesit dhe të gjitha palët tjera të cenueshme.
“Ligji tani jep mundësi për zhvillimin e mbrojtjes sociale. Të gjitha organizatat joqeveritare, kompanitë, personat fizikë mund të krijojnë shërbime, të cilat duhet të akreditohen dhe të licencohen dhe më tej shteti dhe vetëqeverisjet lokale ta mundësojnë këtë proces të japë shërbime”, tha Carovska.
Me atë që, siç tha, ligji nuk filloi nga 1 janari për arsye të panjohura më shumë se 30 mijë amvisëri nuk e marrin ndihmën dinjitoze sociale, më shumë se 60 mijë fëmijë nuk marrin shtesa për fëmijë ose arsimore, mijëra të punësuar në qendra për punë sociale nuk i marrin pagat e tyre dinjitoze.
Në fund të fjalimit të saj, ministrja u tha deputetëve që të gjithë të bashku të thonë “po” për drejtësi sociale në Maqedoni. (koha.mk)