Vjollca SADIKU
Dibër, 3 maj – Edhe pse kaluan mbi dy javë nga kërkesa që ka bërë kryetari i Dibrës për t’u larguar antenat e Telekomit në lagjen “Venec”, akoma nuk ka asnjë ndryshim. Për këtë shkak, Këshilli i Komunës Dibër solli vendim me të cilin kërkohet urgjentisht largimi i antenave që janë vendosur në një shtëpi të një banori nga Dibra që jeton në Shkup, shkruan gazeta KOHA. Me kërkesë të banorëve të lagjes “Venec 1”, të cilët i dorëzuan kuvendit një peticion të nënshkruar nga 400 banorë, këshilltarët sollën vendim unanim në përkrahje të banorëve. Pro vendimit për largimin urgjent të antenave votuan këshilltarët e BDI, PDSH, Unitetit, LSDM, VMRO DPMNE dhe PDT. Me vendimin i cili është dërguar edhe në adresë të Telekomit të Maqedonisë, është dhënë afat 10 ditor që antenat e këtij operatori të largohen, meqë banorët frikësohen nga rrezatimet, pasi antena është shumë afër banesave dhe shtëpive. Kryetari i Këshillit të komunës, Bashkim Mashkulli, na deklaroi se Këshilli i Komunës Dibër, është i mendimit se banorët kanë plot të drejtë kur është në pyetje mbrojtja e shëndetit të tyre. Me vendimin që solli Këshilli japim afat të caktuar që vet Telekomi të heq antenën. Pas afatit në fjalë, banorët kanë të drejt që vetë të bëjnë largimin e antenave. Antenat janë vendosur në një shtëpinë në lagjen “Venec”, në të cilën nuk ka banorë, por pronarët jetojnë në Shkup.
Përfaqësuesi i Këshillit protestues të banorëve të lagjes në fjalë, Adrian Telqiu, thotë se banorët në vazhdimësi kanë kërkuar largimin e antenës. Ne kemi protestuar dhe do të vazhdojmë të protestojmë deri në momentin kur antenat e Telekomit do të hiqen nga shtëpia në fjalë. Paraprakisht kemi reaguar tek kryetari i Komunës, Ruzhdi Lata, i cili po ashtu ka përkrahur kërkesat tona. Tani me vendimin e Këshillit të komunës, edhe një herë jepet mundësi që Telekomi i Maqedonisë në mënyrë korrekte të bëj largimin e antenave, të cilët sipas nesh, shkaktojnë probleme në shëndetin e banorëve, thotë Telqiu. Gazeta KOHA merr vesh nga burimet e pushtetit vendor, se në lidhje me këtë problem përfaqësuesit e Telekomit të Maqedonisë kanë qëndruar në Dibër. Ata janë takuar me përfaqësues të pushtetin vendor, të cilëve u është sugjeruar që të bëjnë largimin e antenave. Përfaqësuesit e Telekomit thonë se ekziston një vendim për vendosjen e antenave, por protestuesit theksojnë se vendimi nuk është në përputhje me Ligjin. Problemi i vendosjes së antenave është një problem që në masë ka shqetësuar banorët e Dibrës. Ka raste kur brenda natës janë vendosur antena të operatorëve në disa objekte kolektive për banim. Qytetarët vazhdimisht kanë reaguar, por zëri i tyre nuk është dëgjuar. Merret vesh se operatorët viteve të kaluara për antenat që kanë vendosur në disa lokacione dhe objekte të Dibrës pronarëve të objekteve dhe lokacioneve u paguajnë shuma të majme të parave, por që në asnjë moment nuk është dhënë sqarim rreth rrezatimit të tyre dhe rreziqeve për shëndetin që sjellin ata, thonë përfaqësues të shoqatave joqeveritare. Problemi në fjalë është debatuar dhe vazhdon të debatohet. Tani debatohet edhe në nivelin e institucioneve lokale. Pritet që protestat e fundit që u zhvilluan rreth vendosjes të antenave të Telekomit në lagjen “Venec 1” të hapin edhe pyetjet rreth vendosjes të antenave të tjera që janë bërë gjatë viteve të kaluara. Dibranët me interes të veçantë presin përfundimin me sukses të largimit të antenave në lagjen në fjalë, por njëkohësisht nga institucionet kompetente siç janë inspektoratet, presin të bëjnë edhe verifikimin e rrezikshmërisë ndaj shëndetit nga antenat e tjera që janë vendosur në qytet.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara