Duke bashkëvepruar, ne mund t’i bëjmë më pak të rrezikshme përpjekjet individuale, të vendosin standarde mjedisore në aktivitetet thelbësore komerciale, të krijojmë modele të reja të qëndrueshme afariste dhe ta arrijmë shkallën e nevojshme për sigurimin e të ardhmes së planetit tonë. Përpos ofrimit të resurseve dhe ekspertizës sonë, ne duhet që t’i qepemi pas veprimit kolektiv për ta rikthyer baraspeshën midis njerëzve dhe natyrës, para se për këtë të bëhet tepër vonë. Në rast se veprojmë të izoluar, të bashkuar do të jemi në dështim
Nga Michael FROMAN
Më pak se dymbëdhjetë muaj më parë, liderë të sektorit privat ishin bërë bashkë në Forumin Ekonomik Botëror me njëfarë ndjenje optimizmi dhe një sërë përkushtimesh të reja për ta rigjallëruar betejën kundër ndryshimeve klimatike. Ishin përcaktuar caqe ambicioze dhe plane konkrete ishin paralajmëruar. Dhe më pas ndodhi COVID-19. Duke e pasur parasysh ndikimin e saj të egër dhe të kudondodhur, pandemia ka trazuar jetët dhe bizneset në mënyra të papara përgjatë gjithë jetëve tona, derisa bota është shtrënguar që të ndërmarrë veprime drastike – mbylljet ekonomike, kufizimet e udhëtimeve, mbylljen e shkollave dhe shumëçka tjetër – në emër të vetëmbrojtjes.
Midis kaq shumë vuajtjeve njerëzore, një ironi perverse ngërthen faktin se shkalla e lirimit të gazeve serrë kudo në botë sivjet ka rënë në përmasa rekorde. Të paktën tani, të gjithë jemi bërë dëshmitarë të ndikimit potencial të veprimit kolektiv. Por nuk duhet t’i trajtonim zhvillimet e përkohshme si një normale e re. Derisa vaksinat kundër COVID-19 veçse janë duke u dhënë dhe bota ka fituar që ta krijojë përshtypjen e parë se po dilet nga krejt kjo krizë, ne do të duhej që ta shtronim një shteg të ri drejt rimëkëmbjes gjithëpërfshirëse, duke siguruar që gara për rinisjen e ekonomisë të mos e sprapsë përparimin e shënuar në fronte të tjera – jo vetëm në aspektin e klimës dhe mjedisit. Nëse ky vit na ka treguar ndonjë gjë, atëherë kjo është se shëndeti dhe mirëqenia e njerëzve dhe planetit janë pashmangshmërisht të ndërlidhura. Luftimi i kërcënimeve globale me të cilat po ballafaqohemi do të kërkojnë veprim urgjent dhe të koordinuar. Në vend se të shërbejë si justifikim për shtyrjen e përkushtimeve mjedisore, COVID-19 tregon se sa e rëndësishme është që secila organizatë – qoftë publike apo private – t’i rivlerësojë ndikimet e saja mjedisore dhe t’i riafirmojë përkushtimet e bëra.
Prej kohësh e kemi ditur se kriza klimatike kërkon veprim kolektiv. Në konferencat e OKB-së për klimën në Kopenhagë më 2009 dhe më pas në Paris më 2015, qeveritë e lanë mënjanë pikëpamjen se ndryshimet klimatike ishin përgjegjësi e vetëm vendeve të kamura e të industrializuara. Derisa këto vende natyrisht se kanë kontribuar shumë më tepër në emetimin akumulativ, sesa bota në zhvillim, të gjithë nënshkruesit e marrëveshjes së Parisit kanë marrë përgjegjësi kolektive për luftimin e këtij problemi. Sipas një raporti të tetorit të 2020-s nga Qendra e Kërkimeve Pew, 70 për qind e njerëzve në 14 shtete të botës kanë pretenduar se ndryshimet klimatike përbëjnë një kërcënim madhor. Dhe megjithëkëtë, falë polarizimit politik në rritje mes shumë vendeve, përparimi që nga viti 2015 ka ngecur apo, në rastin më të mirë, ka qenë jokonsistent. Teksa qasjet multilaterale si korniza e Parisit mbesin kritike, është bërë e qartë se vetëm veprimi qeveritar nuk është i mjaftueshëm për ta parandaluar ngritjen përtej 2 gradë Celsius të ngrohjes globale (përafërsisht sa në nivelet paraindustriale). Kemi nevojë për mënyra alternative të ecjes përpara.
Të rinjtë janë duke insistuar për veprimin më të sertë të liderëve politikë karshi ndryshimeve klimatike, ndërsa konsumatorët janë duke kërkuar më shumë transparencë nga bizneset lidhur me rolin e tyre në shkaktimin e problemeve sociale dhe mjedisore, si dhe për përpjekjet e tyre në adresimin e këtyre. Korporatat dhe grupet e bizneseve kanë artikuluar aspirata premtuese, si ato që e mbështesin fushatën e WEF-së “Trillion Tree”, një përgjigje kjo tejsektoriale në përkrahje të iniciativës amerikane për Dekadën e Rigjallërimit të Ekosistemit.
Detyra tani është që të jetësohen këto iniciativa, në shkallën e duhur. Ka pasur goxha skepticizëm nëse kompanitë do të munden dhe do t’i ndjekin “synimet” e manifesteve të tyre, dhe se kush do t’i mbajë ata përgjegjës po qe se nuk i ndjekin. Por, realiteti është se bizneset më nuk mund të ikin nga qëllimi. Qëndrueshmëria është e arritshme vetëm atëherë kur ngulitet si një tipar thelbësor i strategjisë së rritjes afariste, e jo kur trajtohet si një mendim i përtejshëm filantropik. Sa për siguri, hisedarët kanë ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj shefave ekzekutivë për ta dokumentuar përparimin e arritur në synimet mjedisore, shoqërore dhe të qeverisjes, ndërsa vendosmëria e kompanive për të treguar se janë “duke e kryer hisenë e tyre të punës” ka ushqyer një lloj konkurrence të shëndoshë meqenëse bizneset garojnë për të qenë në hap me standardet e përbashkëta mjedisore. Por, kjo nuk mjafton.
Kompanitë duhet që të shikojnë përtej vetë mureve të tyre dhe të marrin përgjegjësi për bashkëdyzimin edhe të të tjerëve – përtej sektorëve, kufijve dhe sfondeve. Një angazhim i tillë nuk mund të ndodhë mjaftueshëm shpejt. Derisa aktiviteti ekonomik është cunguar më 2020, katastrofat atmosferike dhe klimatike kanë vazhduar që të shtohen në frekuencë dhe në peshë. Sipas Qendrave kombëtare për Informata Mjedisore, më 2020 kanë ndodhur të paktën 16 ngjarje të ndërlidhura me motin që kanë shkaktuar humbje më të mëdha se 1 miliard dollarë secila – dhe kjo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka pasur mesatarisht 6.6 të këtilla ngjarje për vit midis viteve 1980 dhe 2019; por kjo shifër është rritur në 13.8 në periudhën midis viteve 2015-2019.
Veprimi i përnjëmendtë dhe i shkallëzuar klimatik mund të ndodhë vetëm në rast se sektorët publikë dhe privatë rreshtohen prapa planeve të ekzekutuara. Partneriteti dhe iniciativat publiko-private, siç përkufizohen në Synimin e 17-të të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, e kanë përparësinë e jetësimit të ndryshimeve esenciale politike dhe të modeleve të shkallëzuara afariste për luftimin e sfidave serioze globale. Për më tepër, këto partneritete e krijojnë vetë sojin e tyre të “efektit të rrjetit”. Përpjekjet si ajo e përkushtimit klimatik 1 miliard dollarësh të “Microsoft”-it demonstrojnë se si kompanitë mund t’i bashkojnë forcat për të mbështetur programe ekzistuese që kanë dëshpërimisht nevojë për kapital, ashtu që të peshkojnë nëpër tregje. Një tjetër shembull është “Koalicioni i Planetit të Pashembullt” i “Mastercard”-it. Kjo iniciativë i përbashkon qeveritë, organizatat jofitimprurëse dhe bizneset për mbjelljen e 100 milionë lisave, si pjesë e përpjekjeve më të gjera të shpyllëzimit, dhe e çon idenë e bashkëpunimit një hap tutje, duke i ndihmuar konsumatorët që ta kuptojnë vetë ndikimin e tyre në emetime dhe duke ofruar një shtegdalje që ata të përfshihen drejtpërsëdrejti.
Duke bashkëvepruar, ne mund ta bëjmë më pak të rrezikshme përpjekjet individuale, të vendosin standarde mjedisore në aktivitetet thelbësore komerciale, të krijojmë modele të reja të qëndrueshme afariste dhe ta arrijmë shkallën e nevojshme për sigurimin e të ardhmes së planetit tonë. Përpos ofrimit të resurseve dhe ekspertizës sonë, ne duhet që t’i qepemi pas veprimit kolektiv për ta rikthyer baraspeshën midis njerëzve dhe natyrës, para se për këtë të bëhet tepër vonë. Në rast se veprojmë të izoluar, të bashkuar do të jemi në dështim. (koha.net)
(Michael Froman, përfaqësuesi amerikan për Tregti gjatë administratës së presidentit Barack Obama, është kryetar për Rritjen Strategjike në “Mastercard”)