Athinë, 12 tetor – Plani B për Marrëveshjen e Prespës me nënshkrimin e marrëveshjeve ndërshtetërore me vendet e rajonit dhe hapjen e bazave të reja amerikane në Greqi – propozimet e ministrit grek të Mbrojtjes Panos kamenos gjatë vizitës së tij në SHBA, kanë shkaktuar reagime në Greqi.
Pas përfundimit të takimit të sekretariatit politik të SYRIZA-s, i pyetur nga gazetarët grekë për qëndrimet e Kamenosit i cili është partner koalicioni në Qeverinë, Aleksis Cipras me një dozë humori ka thënë se “në SHBA ka uragan, por nuk quhet Panos, por Majkëll”, transmetojnë mediat greke.
Në këtë, përmes Tuiterit zyrtar, mbrëmë vonë ka reaguar përgjegjësi për politikë të jashtme në Demokracinë e Re opozitare, Jorgos Kumucakos.
“Në Greqi ka uragan, por nuk quhet Majkëll, por Panos, Natën e mirë zoti kryeministër”, ka shkruar Kumucakos në Tuiter.
Sipas gazetës “Efemerida ton sindakton”, për planin B të ministrit të Mbrojtjes të Greqisë, ka pasur bisedë telefonike midis Ciprasit dhe Kamenosit, pas nismës së kryeministrit grek i cili ka kërkuar sqarim nga partneri i tij i koalicionit, Kamenos ka thënë se nuk ka pasur qëllim të krijojë probleme, ndërsa deklaratat kanë qenë në suaza të bisedimeve dhe asgjë nuk është prezantuar zyrtarisht.
Siç lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina, një numër i madh i përfaqësuesve të Qeverisë greke në deklarata për media, janë distancuar nga qëndrimet e Panos Kamenosit.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Terens Kuik, i cili vjen nga radhët e Grekëve të Pavarur dhe është bashkëpartiak i Kamenosit, në deklaratën për radio “Sto kokino”, thirret në qëndrimin e ministrit alternativ të Punëve të Jashtme, Katrugalos, i cili tha se nënshkrimi i marrëveshjeve ndërshtetërore nuk mund të jetë alternativë për Marrëveshjen e Prespës.