(Me rastin e mbledhjes komemorative për ndarjen nga jeta të Alajdin Demirit, mbajtur në Komunën e Tetovës)
Nga Vebi BEXHETI
Të nderuar anëtarë të familjes së Alajdin Demirit, e nderuara kryetare e Komunës së Tetovës, Zonja Teuta Arifi, të nderuar këshilltarë të përbërjes së Këshillit në kohën kur me Komunën udhëhiqte i ndjeri, të nderuar këshilltarë të përbërjes aktuale, përfaqësues të mediave dhe të pranishëm tjerë në këtë takim mortor me rastin e ndarjes nga jeta të ish Kryetarit të kësaj komune!
Sot jemi mbledhur në këtë sallë jo për seancë të zakonshme, por për ta kujtuar figurën e intelektualit të madh para së gjithash, Alajdin Demirit, që një ditë më parë u nda përgjithmonë nga familja, miqtë , shokët e veprimtarët e betejave të përbashkëta për çështjen kombëtare. Të nderuar të pranishëm, ndarja e hershme e tij nga jeta, nuk do të thotë edhe heshtje për te , kjo ndarje nuk është fjala e fundit e tij, mbase filozofia politike e bazuar në dijen teorike mbi problemet globale sociologjike, do mbetën udhërrëfyes dhe shembull se si duhet gërshetuar dijen teorike shkencore me veprimtarinë praktike politike. Që në rininë e tij, Alajdin Demiri, pas mbarimit të Gjimnazit u nis drejt Universitetit të Sarajevës, në kërkim të dijes, në një mjedis të panjohur për te, por me shpresë se në një qendër universitare shumë larg vendlindjes së tij, më lehtë do depërtojë shtigjeve të dijes, me njohuri paraprake se në Katedrën e Sociologjisë të atij universiteti do merrte dije nga profesorë të dëshmuar shkencërisht, emrat e të cilëve i përmendte shpesh në bisedat tona për ditët e rinisë studentore.
Pas mbarimit të universitetit me sukses të shkëlqyeshëm, kthehet në qytetin e lindjes, në Tetovën e tij të që e lidhnin aq rrënjë të thella të kushedi sa brezave. Me dije të mirëfillta në fushën e shkencave shoqërore dhe njohuri të përgjithshme të absorbuara nga veprat e shkencëtarëve më të njohur të kohës, shkëlqeu në gjimnazin e Tetovës , si profesor shumë i ri, edhe pse pa ndonjë përvojë paraprake në arsim. Pikërisht në këtë gjimnaz nis edhe beteja e tij politike, në vitet e mbrapshta kur pushteti atëhershëm sllavo- komunist donte ta shkatërrojë këtë shkollë shqipe që ishte edhe çerdhja e vetme, ku mësonin dhe edukoheshin brezat e rinj, që më pastaj të shpërndaheshin nëpër universitetet e vendit e veçmas në atë të Prishtinës. Profesor Alajdini, edhe pse ndër më të rinjtë, ose më i riu në atë vatër shkollore, ishte më i respektuari nga kolegët më të vjetër, madje edhe nga profesorët e dikurshëm të tij, pikërisht se ishte i pakompromis kundër padrejtësisë dhe dëshirës shfarosëse të hienave komuniste për shqiptarët e shkolluar. Këtë qëndrim të pathyeshëm të tijin për t’i mbrojtur shokët dhe shkollën shqipe e pagoi me largim nga puna, në të ashtuquajturat procese diferencimi. Edhe pse që në rininë e tij u munduan ta ndërpresin këtë uragan , siç do thoshte Kadare për Migjenin, Alajdini nuk dorëzohet, nuk gjunjëzohet e as mposhtet, përkundrazi mburrej se duke viktimizuar veten i kishte shpëtuar shokët, a nuk është ky shembulli më i mire i flijimit të vetes për të tjerët?
Pas një kohe si i papunë, e gjen një shteg për t’u punësuar në bibliotekën e qytetit, por që sërish e largojnë në momentin kur fushata kundër shqiptarëve merrte intensitet më të fuqishëm. Tanimë synim e kishte kurbetin, por që ndryshonte nga ai i zakonshmi, sepse ky edhe pse i papune dhe me gjendje të rrënuar ekonomike, kishte ende etje për dije, prandaj, krahas punës së përditshme, e studionte frëngjishten, por asnjëherë pa u ndarë edhe nga veprimtaria atdhetare që atëherë zhvillohej në Zvicër dhe mbarë diasporën shqiptare. Në kohën kur po shpërbëhej Jugosllavia dhe krijoheshin kushte në vend për organizim legal politik, Alajdini kthehet ta vazhdojë këtë veprimtari në Tetovën e vet me idetë se kontributi i tij i duhet vendlindjes dhe shqiptarëve të pa ndonjë përvojë në këtë drejtim. Edhe pse si një intelektual që diti ç’do të thotë të merresh me politikë dhe sa e ashpër është ajo në rrethana të caktuara, ai vazhdoi të ecë vertikalisht, ballëlartë i pathyeshëm dhe pa hequr dorë nga kauza kombëtare. Të nderuar miq e dashamirë, në zgjedhjet lokale të vitit 1996, Alajdin Demiri u zgjodh Kryetar komune dhe pikërisht në këtë sallë e filloi betejën e radhës, atëherë, kur në të ashtuquajturin shtet demokratik, pjesa maqedonase e Qeverisë se Maqedonisë së kohës, shkëputjen nga shteti i përbashkët jugosllav ende e shihte me nostalgji, ndërsa shqiptarët i kishte sanksionuar me Kushtetutën famëkeqe të vitit 1991, ku i zhveshi edhe nga ato pak të drejta të trashëguara nga ajo e vitit 1974.
Puna vetëm njëvjeçare e tij si kryetar Komune, bashkë me bashkëpunëtorët dhe Këshillin komunal, kaloi nën trysninë e politikes së ashpër të qeverisë që, kulmoi me sulmet brutale të policisë së shtetit, me rastin e ngjarjeve të Gostivarit, në mbrojtje të Flamurit kombëtar, kur u vranë tre djem të ri gostivaras, u plagosën dhe u burgosën qindra të tjerë, ndër të cilët edhe kryetari Gostivarit, Rufi Osmani me Kryetarin e Këshillit Refik Dautin dhe vet Kryetari Alajdin Demirin me kryetarin e Këshillit komunal të Tetovës. As burgosja nuk e mposhti atë, përkundrazi, pas një viti brenda grilave, si papunë e vazhdoi veprimtarinë e tij politike e kombëtare, zanat të cilin e kishte pjekur gjatë kohë si bashkëpunëtori më i ngushtë Arbën Xhaferit, ideologut të përmasës mbarëkombëtare që në politikën shqiptare solli filozofi te politikbërjes.
Alajdin Demiri ishte njeriu që kurrë nuk e njohu dorëzimin , përkuljen dhe kthimin prapa, madje, që në rininë e tij si gazetarë e analist politik në Radiotelevizionin e atëhershëm të Shkupit, prej nga u largua gjithashtu si i papërshtatshëm për politikat redaktuese të kësaj shtëpie informative. Ai nuk u dorëzua as para betejave të ashpra të diferencimit ideo- politik si profesor, as kur punonte në Bibliotekën e Qytetit, prej nga gjithashtu u përjashtua si element armiqësor. Ai mbeti i tillë edhe kur e shijoi bukën e hidhur të kurbetit, edhe atëherë kur iu kthye Tetovës dhe Tetovarëve. Ai nuk iu nda kauzës kombëtare madje edhe kur ushtroi detyra diplomatike, të i vetëdijshëm se pa të drejtat e plota të shqiptarëve, në këto hapësira nuk do ketë shtet stabil e me ardhmëri të sigurt.
Ishte ai , njeriu i betejave edhe në debatet e organizuara nga shtëpitë informative më antishqiptare në vend, duke i mposhtur politikisht gjithmonë hienat albanofobe, sepse para së gjithash kishte guxim, dije dhe argumente të pakapërcyeshme për të gjithë ata që dëshironin ta shihnin të nënshtruar, ate dhe bashkëkombësit e tij. Ky njeri i pathyeshëm që e urrente zhagitjen për toke dhe lëmoshën nga ata që të shtypnin, e përballoi edhe dhembjen familjare, i vetëdijshëm se beteja është e gjatë dhe nuk duhet ndërprerë edhe në përjetimet e momenteve më të vështira jetësore. Koha që kaloi në Universitet si udhëheqës i Bibliotekës, dhe mes librash, i cili me kohë i kishte bërë pjesë të jetës, ishin vite të prehjes, që sado pak e qetësuan shpirtin e tij luftarak, edhe pse vazhdoi të mbetet një luftëtar i pakompromis kundër padrejtësisë, deri në momentet e fundit , kur edhe i mbylli sytë, duke na lënë të pikëlluar, por njëkohësisht edhe me mburrje që e patëm këtë URAGAN TE NDËRPRERË, para kohe. (koha.mk)