Gjithmonë pas avarive, hapen dosjet e verifikimit dhe të pakta janë rastet kur nuk gjenden defekte në ndërtim. Ngjashëm me urën e rrënuar në Gjenova, ekspertët kanë konstatuar edhe anomali të tjera anë e kënd botës. Por, pasojat asnjëherë nuk mund të justifikohen me arsyetime të vonuara. Ligjet që parashohin mbikëqyrje dhe sanksione duhet të jenë më rigoroze, në mënyrë që të garantohet jeta e qytetarëve
Nga Emin AZEMI
Rrënimi i një pjese të urës në Gjenova të Italisë, është alarm për të gjithë projektuesit dhe realizuesit e ndërtimeve të larta, përfshi edhe urat. Në Maqedoni dhe rajon ka qenë temë debatesh pikërisht cilësia e ndërtimit dhe qeveritë e vendeve respektive madje janë munduar që përmes infrastrukturës ligjore të vendosin rregull në industrinë e ndërtimit. Shpesh është abuzuar me cilësinë, kurse kostoja përfundimtare gjithmonë është shkarkuar, ose mbi investitorët, ose mbi shfrytëzuesit e objekteve. Por, këta të fundit, gjithsesi janë më të goditurit, sepse ata mundet edhe me jetë ta paguajnë neglizhencën e ndërtimtarëve.
Në Itali nuk ishin marrë parasysh vërejtjet e inxhinierëve të ndërtimit, të cilët kishin paralajmëruar pasigurinë. Konkretisht për urën që u rrënua në Gjenova, kishin kërkuar rindërtimin e saj vetëm 2 vjet më pare, pasi struktura e saj ishte përkeqësuar shumë, pavarësisht rikonstruktimit në vitet 1980, 1990 dhe së fundmi dy vjet më parë. E kualifikuar kjo urë si një dështim i inxhinierisë, nuk mjaftoi për autoritetet që të ndërhyjnë në sanimin e lëshimeve të hetuara gjatë viteve.
Rënia e urave, ose rrëzimi i objeteve të larta, nuk mund të konsiderohet thjeshtë një gabim teknik. Pasojat që mund të jenë fatale për jetën e njerëzve, janë gjithmonë më të mëdha.
Mediat e Prishtinës ditëve të fundit kishin zbuluar anomali edhe në ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, me ç’rast janë shtuar dyshimet se kompania ndërtuese po i kryen punimet jashtë standardeve europiane. Sipas këtyre raportimeve është konstatuar se shtyllat e urës më të madhe në Ballkan janë ndërtuar me material të dobët ndërtimor.
Një banor lokal i Kaçanikut, i kontaktuar nga “Gazeta Blic” ka pohuar se ka qenë një inxhinier gjerman, identitetin e të cilit nuk ka dashur ta tregoj, ai i cili ka konstatuar se materiali ndërtues që është përdorur në shtyllat e urës ka qenë jashtë çdo standardi. Ai tregon se kanë realizuar një vizitë private nga kureshtja, me ç’rast eksperti gjerman duke parë armaturën që vendosej në shtyllë, kishte tërhequr vërejtjen se trashësia që kishte pa nuk është e lejuar sipas rregullave ndërkombëtare nëpër autostradat europiane. Në Këmbët e urës, sipas këtij banori, është vendosur armaturë 16 -she kurse me kritere dhe rregulla ndërkombëtare duhet të jetë 26-she.
Ndonëse përgjegjësit e kompanisë ndërtuese kanë mohuar zërat për anomali të caktuara, me bindjen se nuk ka asnjë shmangie nga normat evropiane, megjithatë mbetet dyshimi për sa i përket cilësisë së ndërtimit, aq më tepër kur vitin e kaluar ishte rrëzuar një shtyllë e kësaj ure lidhëse për të dy komunat, e cila ka filluar të ndërtohet në nëntor të viti 2015.
Gjithmonë pas avarive, hapen dosjet e verifikimit dhe të pakta janë rastet kur nuk gjenden defekte në ndërtim. Ngjashëm me urën e rrënuar në Gjenova, ekspertët kanë konstatuar edhe anomali të tjera anë e kënd botës. Por, pasojat asnjëherë nuk mund të justifikohen me arsyetime të vonuara. Ligjet që parashohin mbikëqyrje dhe sanksione duhet të jenë më rigoroze, në mënyrë që të garantohet jeta e qytetarëve. (koha.mk)