Urim HASIPI
Tetovë, 8 maj – Brenda dy muajve pritet që të përfundojnë punët për ndërtimin e Urës së Kazazëve në Tetovë, që ndodhet afër objektit të ish shkollës së mesme të mjekësisë. Vonesat në përfundimin e punëve janë shfaqur për shkak se e njëjta filloi të ndërtohet në fund të vitit të kaluar, ndërsa tashmë kanë rifilluar sërish punët, shkruan gazeta KOHA.
“Punët kanë filluar para viti të ri dhe për shkak të kushteve klimatike, nuk është mundur që të punohet. Po ashtu, në pengesat e punëve ka ndikuar edhe rritja e nivelit të ujit të Lumit Shkumbin. Deri më tash janë ndërtuar dy shtyllat e urës. Punimet presim që të përfundojnë brenda dy muajve”, njoftuan nga Komuna e Tetovës.
Nga Komuna e Tetovës njoftojnë se me lëshimin në përdorim të kësaj ure, dukshëm do të përmirësohet qarkullimi i automjeteve dhe do të lehtësohet komunikacioni në rrugët përreth, sidomos në pjesën e Çarshisë së Epërme. Përndryshe, kur filluan punët në muajin tetor, ura e vjetër prej metali është dislokuar, gjegjësisht konstruksioni që shërbente për qarkullim vetëm të këmbësorëve. E njëjta është shfrytëzuar për qarkullim për qytetarët që kanë pasur punë në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë dhe tek ish objekti i shkollës së mesme të Mjekësisë. Krahas kësaj, e njëjta shfrytëzohej nga ana e qytetarëve për punët e tyre në Çarshinë e Epërme.
Ura, sipas informacioneve zyrtare, ndërtohet prej fillimi, kurse do të jetë e qarkullueshme edhe për automjete që do të lehtësojnë edhe komunikacionit në bulevardin e Ilindenit.
“Gjatësia e Urës do të jetë 15 metra, gjerësia 10 metër e gjysmë, ndërsa rruga do të jetë 6 metër, trotuaret nga 2 dy metra. Shuma e përgjithshme e realizimit të këtij objekti është 9 milionë e 300 mijë denarë, kurse afati i realizimit në bazë të projeksioneve ka qenë 120 ditë”, pohojnë nga Komuna e Tetovës. Përndryshe, Ura e Kazazëve është një nga monumentet e trashëgimisë nga e kaluara. Kjo urë është ndërtuar në shekullin e 16-të dhe e rrënuar në vitin 1979 gjatë vërshimeve në Tetovë. E njëjta është ndërtuar nga Kazazët apo shtresa e Kazazëve, të cilët në kohën e Perandorisë osmane kanë qenë punëtorë teknik të ushtrisë osmane, prandaj edhe është thirrur Ura e Kazazëve. E njëjta është rrënuar në vitin 1979 për, siç është thënë, të penguar vërshimin e qytetit nga ujërat e Lumit Shkumbin. Sipas shënimeve, kjo urë përbënte një konstruksion inxhinierik interesant të stilit oriental, me një hark me hapësirë drite të mjaftueshme. Ura ka qenë e punuar me gurë të gdhendur nga mjeshtrit vendas..
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara