Laura PAPRANIKU
Shkup, 18 shtator – Është shënuar të hënën zyrtarisht fillimi i vitit akademik 2017/2018 në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup e që shënon vitin e dytë të ekzistimit të këtij universiteti, shkruan gazeta KOHA. Ndryshe nga viti i parë, i cili nisi me vonesë si në aspektin akademik (në muajin nëntor) ashtu edhe në aspektin historik (u themelua në vitin 2016), këtë vit UNT e filloi vitin akademik e barabartë me gjithë institucionet tjera të arsim të lartë, në aspektin e afateve të regjistrimit dhe fillimit të vitit akademik. Sivjet, pra për vitin akademik 2017/2017 janë regjistruar rreth 400 studentë të rinj, nga rreth 300 që u regjistruan një vit më parë. Rektori Aziz Pollozhani u shpreh i kënaqur me jehonën e interesimit që kanë treguar studentët për regjistrim në këtë universitet, ndërsa tha se gjithçka ka qenë brenda pritjeve të tyre.
“Procesi i regjistrimit dhe paraqitja e deritanishme e studentëve janë në nivelin e pritjeve tona. Ajo që na gëzon më së shumti është se përgjithësisht po përmbushen aspiratat tona për tu konsoliduar në sa më shumë grupe dhe studentë në fushat teknike edhe atë jo aq shumë si numër, por më shumë si ndjenjë e reflektimit të studentëve dhe familjet shqiptare për ti orientuar studimet e tyre pikërisht në këto fusha, si diçka e munguar për shkak të konjukturave shoqërore të cilat e dominuan tranzicionin tonë të stërzgjatur”, u shpreh Polozhani. Qëllimi ynë, plotësoi më tej ai, ka qenë dhe mbetet që të kontribuojmë në zhvillimin e dijeve dhe kompetencave të gjeneratave të reja, që të jenë në unison me nevojat për zhvillimin e individit me mendim kritik dhe konformë nevojave të tregut të punës. “Ndërkaq, që UNT të mund ta realizojë këtë mision, është fokusuar në drejtim të përmbushjes së standardeve dhe plotësimit të kushteve më të mira për studim”, pohoi rektori. Prej këtij viti, UNT – tha Pollozhani, ka hapësira shtesë në objektin e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, të shkollës fillore “Kongresi i Mansatirit”, si dhe të një salle sportive, e cila do të mund të shfrytëzohet për nevojat e Universitetit.
I pranishëm në ceremoninë e fillimit të vitit akademik në UNT ishte edhe zëvendëskryeministri me postin e ngrirë të çështjeve evropiane, Bujar Osmani. Duke parë liderët e së ardhmes në audotiriumet e tanishme të universiteteve, Osmani tha se arsimi cilësor është vlerë evropiane të cilën e synojmë të gjithë. “E kam thënë edhe në takimet tjera me studentë, se unë besoj fuqimisht që në mesin tuaj janë ulur liderët e së ardhmes dhe se nuk do të kalojë shumë kohë kur ju do të kuptoni rolin tuaj shoqëror, ndikimin tuaj dhe shpresoj edhe në përgjegjësinë tuaj shoqërore. Prandaj, është e rëndësishme të kemi një arsimim të lartë të suksesshëm që është një ndër vlerat evropiane që i duam edhe për veten tonë. Një arsim i lartë i suksesshëm është një prioritet i Bashkimit Evropian”, u shpreh Osmani. Ai, ka rikonfirmuar mbështetjen e Qeverisë së re për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup. Në kuadër të investimeve kapitale, Osmani tha se për vitin 2018 janë ndarë 7 milionë euro dhe po kaq do të ndahen edhe në dy vitet pasuese me qëllim të ndërtimit të kampusit universitar. Në vijë të kësaj, rektori Pollozhani premtoi se gjenerata e parë e të diplomuarve në UNT do të bëjë hedhjen e kapeleve në hapësirat deri atëherë të ndërtuara universitetit. Kampusi i UNT-së, sikurse është bërë e ditur, do të ndërtohet në hapësirat e ish-kazermës “Ilinden” dhe për këtë qëllim është publikuar edhe shpallja publike për përpilimin e projektit ideor, i cili duhet të përmbyllet këtyre ditëve. Prej këtij viti, UNT ka nis aplikimin e masave lehtësuese të studimit me qëllim të stimulimit financiar të studentëve që do të regjistrohen në këtë universitet. Të hënën, publikisht u ndanë indekset e pesë studentëve të ekselencës, të cilët janë liruar 100 për qind nga pagesat e studimeve. (koha.mk)