Strugë, 23 prill – Universiteti Ndërkombëtar në Strugë ka shënuar të shtunën 10-vjetori e themelimit, ndërkaq është realizuar edhe Konferenca e Katërt Ndërkombëtare Shkencore “Sfidat Shkencore për Zhvillim të Qëndrueshëm”, e cila është e mbështetur nga Instituti për Zhvillim Ekonomik dhe Menaxhment Ekologjik dhe EURAS – Eurasian Universities Union. Ceremonia e 10-vjetorit ka nis që të premten pasdite, ndërsa një ditë më pas, UNS ka shpërndarë mirënjohje si shenjë falënderimi për të gjithë personalitetet, institucionet, kompanitë dhe qytetarët që kanë kontribuar dhe kanë dhënë mbështetje të fuqishme për Universitetin Ndërkombëtar në Strugë, por edhe për zhvillimin e arsimit të lartë në Maqedoni në 10 vitet e kaluara. Në këtë eveniment i pranishëm ka qenë presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, akademik Anastas Angjeli, rektori i Universitetit të Tiranës, prof.dr.Mynyr Koni, rektori i Universitetit të Korçës, prof.dr. Ali Jashari, prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, prof.dr. Reshat Qahili, përfaqësues të Universitetit Internacional të Novi Pazarit, përfaqësues të “Odlar Yurdu University” nga Azerbejxhani, përfaqësues të “Tsenov Academy of Economics” Svishtov-Bulgaria, përfaqësues të Institutit për Studime Strategjike dhe Trajnim-“ISSAT”, përfaqësues të EURAS, Ambasadori i Hungarisë në Maqedoni, shkëlqesia e tij László István Dux, Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka, përfaqësues të ambasadës së Federatës Ruse në Maqedoni, përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Agim Nuhiu, profesor të nderuar dhe personalitete të politikës, kulturës dhe botës së biznesit, qytetarë, studentë dhe mbështetës të UNS-së. Në mes të tjerash, Senati i Universitetit Ndërkombëtar në Strugë ka ndarë titullin Professor Honoris Causa për dy profesorë shumë të respektuar – prof.dr. Fabio Grasi, rektor i Universitetit “Roma di Sapienca” të Italisë dhe akademik Anastas Angjelit,- zëvendëskryetar i Akademisë Evropiane të Shkencës dhe Arteve. Njëkohësisht, në ambientet e UNS-së janë promovuar katër libra shkencor e që janë botuar me mbështetje të UNS-së. “Bilanci i këtyre 10-të viteve flet vetë, qindra të diplomuar në studimet deridiplomike dhe dhjetëra të tjerë në ato postdiplomike, si edhe në programet Master dhe Doktoraturë. Historia vazhdon çdo vit duke hapur dyert e edukimit të së ardhmes. Ne ngelemi me shpresën se do festojmë edhe shumë përvjetorë të tjera të Universitetit Ndërkombëtar në Strugë dhe mbi të gjitha me qëllimin për të dhënë një kontribut kualitativ në rrugëtimin e dijes”, ka thënë rektori i Universitetit Ndërkombëtar në Strugë, prof.dr. Bashkim Rama. (koha.mk)