Laura PAPRANIKU
Shkup, 12 shtator – Afati i dytë i regjistrimit te studentëve për vitin akademik 2017/2018, ashtu sikurse edhe afati i parë, ka dëshmuar se Universiteti i Tetovës mban primatin e institucioneve të arsimit të lartë në gjuhën shqipe sa i përket zgjedhjes që bëjnë studentët e ardhshëm, shkruan gazeta KOHA. Në të njëjtën kohë, është ripërsëritur dyndja e kandidatëve drejt shkencave mjekësore në këtë Universitet, ku vetëm në afatin e dytë u dorëzuan 178 dokumente, ndërsa janë pranuar 89 kandidatë, të gjithë shtetas të Maqedonisë. Ndërkaq, në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup gjatë afatit të dytë të regjistrimit numrin më të madh të studentëve e ka regjistruar Fakulteti i Shkencave Sociale, që do të thotë se as në këtë universitet nuk kanë ndryshuar tendencat. Gjatë afatit të parë të regjistrimit të studentëve si në UT ashtu edhe në UNT, numri më i madh i tyre u regjistruan në Fakultetin e Shkencave Mjekësore, respektivisht në Fakultetin e Shkencave Sociale.
Afatet e rregullta të regjistrimit të studentëve tanimë kanë përfunduar dhe në bazë të interesimit të treguar në dy universitete publike në gjuhën shqipe, nuk janë plotësuar një numër bukur i madh i vendeve në dispozicion. Analizuar mbi listat preliminare të publikuara nga vetë UT dhe UNT, në afatin e parë dhe të dytë të drejtën e regjistrimit e kanë fituar 1397 kandidatëve në UT dhe 375 në UNT. Në të dyja këta universitetet numri i studentëve që do të regjistrohen këtë vit mbete shumë larg vendeve në dispozicion, respektivisht ofertës që ata kishin publikuar me Konkurset për regjistrimin në ciklin e parë të studimeve për vitin akademik 2017/2018. Konkretisht, nëse nga 3870 vendet e lira në UT, gjatë dy afateve të regjistrimit janë plotësuar vetëm 36 për qind e atyre vendeve, ndërsa në UNT nga 1580 vende janë plotësuar 23.7 për qind e vendeve. Pra, universitete publike në gjuhën shqipe sillen rreth çerekut të vendeve të ofruara me Konkurs. Në afatin e dytë të regjistrimit, i cili ka përfunduar para një jave, në UT sipas atyre që kanë fituar të drejtën për statusin e studentit janë regjistruar 520 kandidatë, ndërsa 857 e kishin fituar këtë të drejt në afatin e parë të regjistrimit. Në UNT, afati i dytë solli plus 158 studentë, ndërsa në afatin e parë 217. Shihet qarët se jehona e regjistrimit në këta dy universitete nuk ka qenë edhe aq e madhe, pavarësisht deklarimeve zyrtare nga UT dhe UNT për jehonë të kënaqshme dhe regjistrimi sipas pritjeve të tyre. Kështu, jehona më e madhe e studentëve në UT, edhe për këtë afat ishte në programet e Fakultetit të Shkencave Mjekësore, edhe atë 89 studentë apo 16.5 për qind e atyre që kanë fituar të drejtën e regjistrimit në këtë afat. Gjatë afatit të dytë në UT ka rënë në sy edhe numri relativisht i madh i studentëve të huaj të regjistruar në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore, edhe atë 22 nga 61 kandidatë gjithsej. Ndërkaq, në Fakultetin e Arteve bien në sy të dhënat se të 22 kandidatë për regjistrim në këtë fakultete gjatë afatit të dytë janë në kategorinë e studentëve me vetë financim. Fakulteti Juridik, Fakulteti Filozofik, Fakultetit Ekonomik dhe Fakulteti Filologjik edhe në afatin e dytë janë fakultete me numrin më të madh të studentëve të regjistruar (pas mjekësisë) me respektivisht nga 64, 61, 55 dhe 50 studentët. Dy fakultete e reja të UT-së, ai i Bujqësisë dhe Pedagogjisë kanë rezultuar të jenë më pak të preferuarit bashkë me atë të Ushqimit, ët cilët kanë regjistruar nga 8, 18, respektivisht 13 studentë. Në trembëdhjetë Fakultete e UT-së, sivjet është planifikuar të regjistrohen 3870 studentë të rinj, prej të cilëve 1405 me kuotën shtetërore, 2005 me bashkëfinancim dhe 460 me korrespondencë.
Në pesë fakultet e UNT-së për sivjet ishin planifikuar të regjistrohen 1580 studentë, prej të cilëve 940 me kuotën shtetërore, 410 me vetëfinancim dhe 230 me korrespondencë. Në afatin e dytë të regjistrimit pas Fakultetit të Shkencave Sociale ku të drejtën e regjistrimit e kanë fituar 56 kandidatë, sipas numrit më të madh të kandidatëve vijnë: Fakulteti i Shkencave teknike (37), Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës (18), Fakulteti i Shkencave Informatike (13) dhe Fakulteti i Shkencave teknologjike (5). UNT është institucioni më i ri i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni, i themeluar para dy viteve, me pretendimin se shqiptarëve u duhet një universitet i shkencave kryesisht teknike, pasi për këtë thuhej se ka nevojë më së shumti tregu i punës. Mirëpo, sipas interesimit që është treguar këtë vit, janë pikërisht shkencat teknike ato që kanë jehonë më të dobët në mesin e gjithë programeve studimore të këtij universiteti.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.