Laura PAPRANIKU
Shkup, 7 gusht – Institucionet e arsimit të lartë në gjuhën shqipe, pavarësisht hapësirave në të cilat veprojnë – mbeten ende shumë larg standardeve përkatëse të krahasuara jo vetëm me shtetet e zhvilluara dhe me traditë, por edhe vendeve të rajonit, shkruan gazeta KOHA. Më mirë i pozicionuari prej shqiptarëve edhe këtë vit në listën e vebfaqes ndërkombëtare webometrics.com është Universiteti i Prishtinës, në vendin e 3938, por shumë larg universiteteve të Serbisë, Sllovenisë apo Kroacisë, të cilat gjenden deri në listën e 1000 universiteteve të ranguara më të mirë në botë. Në këtë të fundit, prej shteteve të rajonit gjenden Universiteti Kombëtar i Athinës (209), ai i Beogradit (423), i Lubjanës (433), Zagrebit (606) Sofjes (676) e kështu më radhë.
Sidoqoftë, Webometrics – agjencia prestigjioze e cila analizon 30 mijë universitete, kolegje dhe institucione të tjera të arsimit të lartë në botë, ka rëndësi edhe sa i përket pasqyrës për ulje-ngjitjet e universiteteve në gjuhën shqipe. Sikurse shihet në listën e publikuar ditë më parë, në Kosovë prin për nga pozicionimi më mirë Universiteti i Prishtinës dhe menjëherë pas tij vjen Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë. Nga 20 institucionet e arsimit të lartë në Maqedoni, i pari renditet Universiteti “Kirili dhe Metodi” në Shkup, në vendin e 1519, kurse pas tij vjen Universiteti “Goce Dellçev” i Shtipit dhe UEJL në vendin 3491, respektivisht në vendin 4618. Universiteti i Tetovës gjendet në pozitën e 6291 të kësaj liste. E përbashkëta e këtyre dy institucioneve të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni është se viteve të fundit po shënojnë ngjitje në listën e Webometrics-it. Nga viti 2014 ë deri sivjet, UT ka shënuar ngitje prej 5247 vende. Konkretisht, ka lëvizur në këto pozicione: 11.334 në matjen e performancës për vitin 2014 – në 8680 për vitin 2015; në 8149 për vitin 2016 dhe 6762 për vitin 2017. Ndërkaq, për të njëjtën periudhë kohore – pozitat e UEJL-së në Webometrics janë përmirësuar për 2452 vende. Pra, nga pozita 7070 në vitin 2014, në pozitën 7840 në vitin 2015 dhe në pozitën 7741 në vitin 2016 – është ngjitur në pozitën 4618 për këtë vit. Progres gjithashtu të madh në matjet me vetveten prej universiteteve shqiptare kanë shënuar edhe kolegji AAB i Prishtinës dhe Universiteti i Prizrenit me nga 6641 vende më lartë, respektivisht 6506 vende, përcjell KOHA.
Rënie më të madhe ndër vite kanë pësuar Kolegji “Iliria” në Prishtinë, Universiteti i Shkodrës dhe Kolegji UBT në Prishtinë, me nga 5047, 4732 dhe 3936 vende më poshtë. Rënie me 999 vende ka shënuar edhe Universiteti i Prishtinës, megjithëse i pari në mesin e universiteteve shqiptare, ndërsa lehtësisht kanë shënuar rënie Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti Epoka në Tiranë dhe Universiteti i Tiranës, me respektivisht 302, 59 dhe 13 vende më poshtë. Ëebometrics konsiderohet si një nga ranglistat më të rëndësishme botërore, sepse ndjek trendet e transformimit të arsimit të lartë me mbështetjen e teknologjisë së komunikimit e informimit. Listat përkatëse përpilohen nga grupi hulumtues Cybermetrics Lab, që është pjesë e institucionit më të madh kërkimor publik në Spanjë, Këshillit të Lartë për Kërkime Shkencore (CSIC). Në metodologjinë e renditjes, Webometrics merr për bazë njohjen e nivelit të mirë të punës shkencore të botuara, si dhe përmbajtjen dhe shpërndarjen e informacionit nga burimet elektronike nga institucionet përkatëse. Sipas kësaj liste, në krye qëndrojnë universitetet amerikane si Harvard, Standford e MIT, por pas nuk mbetet dhe Universiteti i Oksfordit, i pozicionuar në vendin e shtatë. Nga UEJL e kanë konsideruar suksesin e tyre të radhës pozicionimin si i dyti më i mirë në mesin universiteteve shqiptarë dhe të tretin në nivel të universiteteve të Maqedonisë. “Kjo ranglistë e publikuar dëshmon edhe njëherë se Universiteti i Evropës Juglindore mbetet universitet që vazhdimisht shënon rritje në performancën akademike dhe kërkimore shkencore. Puna jonë dhe zbatimi i politikave zhvilluese të universitetit në drejtim të harmonizimit të kurrikulës, përshtatja me risitë më të fundit teknologjike dhe zbatimi i risive të fundit në mësimdhënien digjitale, kanë bërë që të vlerësohemi jo vetëm nga studentët, por edhe nga institucionet relevante ndërkombëtare të rangimit të universiteteve”, është shprehur doc.dr.Demush Bajrami, këshilltar ekzekutiv për komunikim i UEJL-së. Ai pret që ky përmirësim i performancës së këtij universiteti në Ëebometrics të reflektohet edhe në ranglistën që duhet të përpilojë për universitetet në Maqedoni nga qendra “Xhoa Tong” e universitetit të Shangait. Në ranglistën e fundit të publikuar për vitin 2016, ky universitet gjendet në mesin e katër universiteteve më të mira në Maqedoni, kurse i pari në mesin e universiteteve me statusin publik-privat. Bajrami pret që në ranglistën për vitit 2017, UEJL të pozicionet më lartë se kaq.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.