Derisa maturantët ishin në fazën e përcaktimit të lëndëve për provimet e maturës shtetërore, shumë universitete filluan organizimin e kurseve për mësimin e lëndëve të caktuara. Në disa fakultete të UKM-së paguhet regjistrimi në këto kurse, ndërsa UNT këtë vit i organizoi falas kurset e matematikës dhe biologjisë
Laura PAPRANIKU
Shkup, 4 qershor – Të sigurosh studentë në kohën kur tregu i institucioneve të arsimit të lartë është tej mase i liberalizuar, nuk është aspak e vështirë. Për më tepër, në raste të caktuara, universiteteve u duhet të bëjnë deri edhe punën e shkollave të mesme, pra të angazhohen dhe të gjejnë mënyrat si të rrisin nivelin e dijeve të nxënësve që ata i llogarisin si studentë potencial, shkruan gazeta KOHA. Kjo përpjekje në disa universitete ka rezultuar me organizimin e kurseve për mësimin e lëndëve të veçanta sikurse janë ato të shkencave matematike- natyrore dhe varësisht institucioneve, kurset mund të jenë me pagesë apo falas.
Qendra për mësimin e gjuhëve të huaja në kryeqytet, prej vitesh ka zgjeruar paletën e aktiviteteve të veta duke e plotësuar ofertën me kurse nga informatika, matematika, fizika, biologjia e kështu me radhë.
Për këtë qëllim janë formuar dhe veprojnë edhe shumë qendra të ngjashme në Shkup dhe qytete të tjera. Fakultete të caktuara të Universitetit “Kirili dhe Metodi”, organizojnë gjithashtu aktivitete për mësimin e lëndëve të ndryshme e që në fakt janë lloj kursesh që ata ofrojnë për studentët e tyre të ardhshëm. Kuptohet që regjistrimi nëpër këto kurse ka një çmim të caktuar, ndërsa organizatorët shprehen relativisht të kënaqur me numri e atyre që regjistrohen të ndjekin kurset e tyre.
Përveç këtyre formave institucione në Maqedoni nuk kanë dalë mode as sot e kësaj dite format e organizimit të kurseve në mënyrë individuale nga vetë profesorët e lëndëve, që me mjeshtëri i kanë emëruar si “mbajtja e orëve plotësuese”. Mirëpo, konkurrenca e fortë ka sjellë edhe organizimin e kurseve pa pagesë për maturantët nga ana e institucione të caktuara. Kështu, kohë më parë, derisa maturantët ishin në fazën e përcaktimit të lëndëve për provimet e maturës shtetërore, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup organizoi mbajtjen e kurseve falas për lëndët e matematika dhe biologjisë.
UNTu angazhuan të punojnë me maturantët e Shkupit profesorët të cilat ligjërojnë në këto lëndë, ndërsa kurset u organizuan posaçërisht për këta dy lëndë me arsyetimin se “matematika dhe biologjia mbeten edhe më tej lëndë jo shumë të lehta për nxënësit”. Për këtë qëllim, sikurse shpjegojnë në UNT, “angazhimi ynë qëndron në organizimin e kurseve përgatitore për maturantët nga këto lëndë”. UNT, plotësojnë më tej ato, ka vendosur në dispozicion profesorët përkatës dhe ambientet e universitetit për organizimin e kurseve të cilat ofrohen falas për të gjithë të interesuarit.
Universitet, pa dyshim që mbeten të angazhuar në krijimin e kushteve lehtësuese dhe ndihmesës për mësimin e lëndëve, ku ata akne interes të regjistrojnë studentë të ardhshëm. Në rastin konkret meqë UNT është e fokusuar të programe studimore të shkencë teknike dhe sociale është në interesin eter që nga gjenerata e sivjetme e maturantëve të ketë sa më shumë kandidatë të cilët për provime të maturës shtetërore do të zgjedhin matematikën si lëndë të dytë dhe biologjinë, fizikën, apo sociologjinë si lëndë të treta.
Përcaktimi sa më i madh i maturantëve për këta lëndë dhe kuptohet vlerësimi me nota sa më të larta në provimet përkatëse shton gjasat për studentë sa më cilësor. Në këtë mënyrë ritën edhe pritjet për cilësinë e kuadrove të tyre, në përfundim të studimeve. Në fund të fundit cilësia e studimeve është në varësi të drejtpërdrejtë me cilësinë e shkollimit të mesëm, pasi edhe universitete do të nxjerrin produktet e tyre sipas elementëve hyrëse. Në këtë logjikë është mbështetur edhe angazhimi i universiteteve për organizimin e kurseve për mësimin e lëndëve të caktuara, qofshin aton falas apo me pagesë e që me logjikën e ekonomisë përkthehet si investim në llogari të vetvetes. (koha.mk)