Në Paris, Londër, Mynich, Barcelonë, Uashington pedagogët universitarë bëjnë gara se cili do ta lexojë më shpejt librin që qëndron në top listën e bestsellerëve të botuar ditëve të fundit. Atje, përveç se te ne, flitet për autorë e për vepra, që kanë sjellë risi në fushat e shkencës e dijes dhe bëhen përpjekje që mbi përvojat e fituara të bëjnë projekte vetanake, individuale apo ekipore
Nga Emin AZEMI
Universitet tona janë shumë pasiv në organizimin e jetës kulturore në mjediset ku veprojnë. Universitet tona nuk janë të përfshirë fare në strategjinë e zhvillimit kulturor të vendit. Universitet tona kanë dëbuar sensin kulturor e estetik nga ambientet ku sillen studentët.
Te ne ende nuk e kemi një klub letrar të studentëve. Ende nuk e kemi një trupë teatrore të studentëve. Ende nuk e kemi një revistë letrare të studentëve. Ende nuk e kemi një asociacion krijuesish të studentëve. Studentët janë pjesë e pandashme e një kronike që popujt e shkruajnë me shekuj. Kapitujt e kësaj kronike kanë qenë edhe të përgjakshëm, por studentët kanë mbajtur mbi supe barrën e organizimit shoqëror, përfshi edhe atë kulturor.
Të përfshirë në skena teatri, në bende muzikore, në pjesë baleti, apo në galeri e salla leximi letrar, studentët në gjithë botën paraqesin paradhomën e përgatitjes së elitave të një kombi. Studentët gjithkund, përveç se te ne, janë kritikuesit më të mëdhenj të pedagogëve të tyre. Studentët gjithkund , përveç se te ne, organizohen nëpër forume e organizata rinore, si mekanizma që ushtrojnë trysni sociale për ndryshime radikale në shoqëri. Në qytet tona universitare, edhe ato pak aktivitete kulturore që i kemi, organizohen nga institucionet qendrore e lokale. Studentët këtu te ne madje jo vetëm që janë larg të qenit në trend me gjithë botën e dijes e kulturës, por ata tregojnë interes minimal për të frekuentuar ato pak vende ku organizohet ndonjë ngjarje kulturore.
Si mund të jetë e ardhmja e një shoqërie me student të cilët kanë harruar kur kanë vënë në skenë ndonjë shfaqje teatrore, kur kanë organizuar një orë letrare, apo ndonjë ekspozitë pikturash. Në vend se të jenë model i organizimit të mirëfilltë kulturor, studentët tanë janë bërë bisht i papërfillshëm i jetës kulturore te ne. Qasja stereotipe që po na imponohet në shoqëri, si rezultat i një jete të vobektë kulturore, ka bërë që të humbas kuptimi i të qenit intelektual, sepse tharmi i intelektualizmit nuk po kultivohet brenda një atmosfere të mirëfilltë krijuese, me sens garimi dhe konkurrimi. Universitet tona duhet të ndajnë më tepër fonde për jetën kulturore të studentëve. Çdo universitet i yni duhet ta ketë revistën e vet letrare, bendin e vet muzikor, trupën teatrore etj.
Në botë ka shumë shembuj se si organizohen këto punë dhe universitet tona nuk e kanë vështirë të dërgojnë studentët e tyre të shohin se si atje krahas procesit mësimor, zhvillohet edhe një jetë e begatshme kulturore. Universitet, fundja, janë edhe rekrutuesit më të mëdhenj të emrave krijues të cilët nesër bëhen bartës të ngjarjeve e veprave të mëdha artistike e kulturore. Por, studentët në këto përpjekje duhet të mbështeten edhe nga pedagogët e tyre. Te ne, pedagogët kanë harruar kur kanë lexuar ndonjë libër të hairit, e mos të flasim për teatrin, ky nocion i huaj për mediokritetin tonë akademik, që injorancën e shet si indiferentizëm kulturor.
Në Paris, Londër, Mynich, Barcelonë, Uashington pedagogët universitarë bëjnë gara se cili do ta lexojë më shpejt librin që qëndron në top listën e bestsellerëve të botuar ditëve të fundit. Atje, përveç se te ne, flitet për autorë e për vepra, që kanë sjellë risi në fushat e shkencës e dijes dhe bëhen përpjekje që mbi përvojat e fituara të bëjnë projekte vetanake, individuale apo ekipore. Atje, gogle përdoret vetëm për ndonjë referencë që mungon në libër, kurse te ne të gjitha referencat bashkë me tekstin e kopjuar merren nga google, kurse libri i palexuar mbetet pengu më i madh i injorancës akademike. (koha.mk)