Ana shqiptare duhet të jetë pro referendumit kategorikisht me kushtëzimin që një Ligj kushtetues mbi identitetin shqiptar të jetë pjesë integrale e ndryshimeve kushtetuese përballë dhe si plotësim i brendshëm ndaj ndryshimeve kushtetuese që i rekomandon “Marrëveshja për emrin”
Fatos RUSHITI
Shkup, 23 korrik – Pas pavarësimit të Maqedonisë, në muajt që pasojnë kemi referendumin për ndryshimin e emri të shtetit, si ngjarjen më të rëndësishme politike. Shqiptarët përsëri janë çelësi i suksesit të këtij referendumi dhe përcaktues për ndryshimet kushtetuese që do të pasojnë lidhur me zbatimin e pikave të Marrëveshjes për emrin me Greqinë. Nga ana tjetër Shqipëria dhe Kosova dhe vetë partitë politike shqiptare në Maqedoni, si në të kaluarën edhe tani nuk e kushtëzojnë palën maqedonase për të avancuar statusin juridik dhe politike të shqiptarëve në Maqedoni. Me këtë rast faktori politik shqiptar më shumë preferon që shqiptarët në Maqedoni sërish të mbeten vrojtues kundruall përpjekjeve të maqedonasve për ta zhvilluar betejën e tyre identitare-shtetërore. Shqiptarët mbetëm duke vëzhguar se si kryeministri Zaev (njësoj siç bënte në fillimet e tij Nikolla Gruevski) ,po premton reforma në vend, si Maqedonia do të hyj në NATO dhe në BE, ndërkohë që ligji për avancimin e gjuhës shqipe assesi të hyjë në fuqi me arsyetimin se ende nuk janë pjekur të gjitha kushtet që të shpallet në gazetën zyrtare.
Përderisa shqiptarët çdo ditë mbushin arkën e shtetit, përfshi edhe mërgimtarët me remitancat e tyre, buxheti i shtetit, në anën tjetër, lë shumë për të dëshiruar në sensin e kthimit për shumë nevoja që kanë shqiptarët. Një institucion i rëndësishëm shtetëror siç është Enti Shtetëror Statistikor, nga ku jepen të dhëna të sakta për shumë fusha e sektorë, por dhe shumë institucione tjera, përfaqësimi i të punësuarve shqiptare vazhdon të jetë minimal mos dhe zero përqind. Ishte lideri i BDI-së Ali Ahmeti që gjatë fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve të vitit 2016 përmendi Entin Shtetëror Statistikor ku shqiptarët duhet të kenë qasje si në udhëheqje, ashtu edhe në të dhënat që jep ky institucion por se deri më tani asgjë pozitive nuk ka në këtë drejtim. Ata që duhet të riakutalizojnë kauzat për avancimin kushtetues të të drejtave të shqiptarëve, aktualisht janë të përçarë. Kur u prit se Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA e Bilall Kasamit mund të bashkohen në një front opozitar, ata si duket nuk gjeten gjuhë të përbashkët për përfaqësimin në KSHZ, dhe kush duhet të shkojë në takimin e liderëve këto ditë.
Pasojat e mosunitetit politik të shqiptarëve
Sipas profesorit të së drejtës kushtetuese Mersim Maksuti partitë tona politike shqiptare pa dallim si ato deri dje dhe aq më shumë këto që i kemi sot, gjatë gjithë historisë së pluralizmit politik në Maqedoni, nuk mund t’i fajësojmë shumë pse nuk arritën të bëjnë më shumë.
“Por, e keqja është se, ato shpeshherë ishin vetërrënuesit dhe bartësit e së keqes si rezultat i mos konsolidimit të tyre në funksion të realizimit të të drejtave të shqiptarëve dhe të mundësive më shumë për ta. Mos homogjenizimi politik i shqiptarëve në Maqedoni i krijuar në vite por i shprehur si asnjëherë më parë sot, është përgjigja më adekuate në të cilën gjendemi”, thotë Mersim Maksuti. Sipas tij partitë tona politike duhet të kenë një shkallë më të lartë të vetëndërgjegjësimit, për ta kuptuar më mirë ndërlikueshmërinë e proceseve politike që ndodhin në Maqedoni.
“ Partitë tona duhet të ndërmarrin hapa më racional se si duhet vepruar më tej me të drejtat e shqiptarëve siç janë çështja ende e pazgjidhur e gjuhës shqipe dhe të drejtat tjera që duhet të bëhen pjesë e Kushtetutës së këtij vendi, edhe atë pikërisht tani kur kemi përpara sfidën e referendumit që shpie Maqedoninë para momenteve të reja historike të saj. Është një mundësi e mirë për t’u hapë çështja e avancimit më tej të të drejtave të shqiptarëve në Kushtetutë me rastin e ndryshimeve kushtetuese që priten të ndodhin pas mbajtjes me sukses të referendumit “, saktëson Maksuti.
A do të pranojnë shqiptarët të quhen “severnomakedonci”?
Ndërkaq veprimtari politik Gafurr Adili thotë se partitë shqiptare në Maqedoni e mbështesin që të gjitha referendumin meqë sipas tij janë në hipoteka tek pala maqedonase. “Të gjitha partitë politike si ata që janë në qeverisje (BDI, PDSH dhe Besa e Afrim Gashit), edhe ata që janë në opozitë (ASH dhe Besa e Bilall Kasamit) e mbështesin referendumin që do të mbahet në vjeshtë. Pse?,Sepse që të gjitha janë me hipoteka”, thotë Gafurr Adili. Ai thekson më tej se shqiptarët tanimë kanë filluar te vetëdijesohen andaj dhe nuk do ta mbështesin referendumin që do të mbahet ne vjeshtë. Pse? Sepse, shqiptarët, sipas tij, nuk do ta pranojnë që të quhen severnomakedonci.
“Jam shume i bindur se referendumit do t’i thonë PO vetëm militantët e partive politike te “pozitës” dhe të “opozitës”, por populli shqiptar që jeton në trojet e veta të Iliridës do t’i thotë JO, dhe pastaj, pas dështimit të referendumit, do të hapet një kapitull i ri, jo vetëm këtu ne Iliridë, por edhe në Prishtinë dhe në Tiranë. Pse? Sepse, ashtu nga Tirana do të fillojë skërmoqja e mafies politike e trekëndëshit Tiranë- Shkup-Prishtinë”, thotë Gafurr Adili. Ai mendon se pas dështimit të referendumit, FYROM siç e quan Adili Maqedoninë do të jetë e detyruar të konfigurohet si shtet binacional, si Belgjika.
“Dhe, ashtu si në Preambulën e Kushtetutës së Belgjikës e zeza mbi të bardhe shkruan: “Belgjika është shtet i flamanëve dhe valonëve”, edhe ne Preambulen e Kushtetutës së FYROM-it do të shkruhet: “Republika e Maqedonise është shtet i maqedonasve dhe shqiptarëve”, konsideron Gafurr Adili.
Mobilizimi i masës jopartiake
Sipas publicistit Nijazi Muhamedi Referendumi për Marrëveshjen rreth emrit të Maqedonisë përbën një oportunitet (një rrethanë,një kontekst) që ndërgjegjes politike kolektive të shqiptarëve në Maqedoni i bën thirrje imperative për një mobilizim politik të esëlluar,të qartë dhe mbipartak për të evaluar,për ta rivlerësuar vullnetin politik shqiptar në përputhje me aspiratat e tyre për dinjitet të barabarte politiko-shteteror në Maqedoni,duke iu kundervënë manipulatorëve të deritashëm ,”takbirëve” hutimbjellës që poshtnimin politik të shqiptarëve e shesin si “avancim” dhe “përmbyllje avancimi”.
“Fushata për referendumin,pra,për anën kombëtare të shqiptareve këtu përbën një oportunitet që t’i jepet fund sagës së zhagitjes së rëndë kolektive afër tri dekadëshe nëpër baticat dhe zbaticat e tranzicionit demokratik të Maqedonisë,e cila, me “Marrëveshjen për emrin”, poqe se mbaron pa një shtesë juridiko-kushtetuese për mbrojtjen dhe afirmimin e identitetit shqiptar,një shtesë e cila duhet të jetë e njëkohshme me ndryshimet kushtetuese që i rekomandon “Marrëveshja”,mund t’u japë një fund poshtnues dhe të “mbyllur për gjithmonë të drejtave te tyre legjitime për dinjitet te barabarte politik,social-ekonomik,kulturor dhe gjuhësor në tërësinë politiko-shtetërore të Maqedonisë”, thotë Nijazi Muhamedi. Sipas Nijazi Muhamedit “Marrëveshja për emrin” në disa pika të saja, duke dalë si fryt i një hipokrizie konsensuale greko-maqedonase pretendon të imponohet dhe të legjitimohet me do mekanizma që do shërbejnë më tepër si rrënues të identitetit shqiptar në rrafshin e tij historiko-territorial,të historisë dhe të trashëgimisë historike e kulturo-civilizuese të shqiptarëve në dimensionin global të këtij identiteti. “Ato pika shpërfaqin “hipokrizinë” e negociuesve, që duke harruar kontestin mes tyre,kanë ngritur gardhe në lëmë të huaj si “zgjidhje” për kontestin”. Mobilizimi i anës kombëtare shqiptare, thotë më tej Nijazi Muhamedi, pra i anës deri tash të heshtur dhe jopartiake, prandaj,duhet të jetë një imperativ demokratik kategorik,një mobilizim që do strukturohej përmes një Këshilli Kombëtar Shqiptar si përfaqësues moral i vullnetit shqiptar në Maqedoni. Kjo duhet të bëhet, vazhdon ai, për arsye se organizimi politik i shqiptarëve pikërisht në këtë kontekst ndodhet në fazën më të rëndë të kolapsit të tij dhe mbijetimin e kërkon në tuxharinë pa turp të vullnetit politik kolektiv për dobi të interesave të tyre turpërisht korruptive dhe nuk i bëhet vonë se votën shqiptare e vë në funksion të projekteve politike që i kundërvihen identitetit shqiptar.
“Së këndejmi,anës kombëtare shqiptare i bie për përgjegjësia historike që fushatën pro referendumit ta marrë në duart e veta për të marrë në mbrojtje legjitime votën shqiptare karshi manipulatorëve që atë votë, atë manifestim të vullnetit shqiptar do pretendojnë ta tjetërsojnë keqazi,si kanë bërë gjer me tani. Ana shqiptare duhet të jetë pro referendumit kategorikisht me kushtezimin që një Ligj kushtetues mbi identitetin shqiptar të jetë pjesë integrale e ndryshimeve kushtetuese përballë dhe si plotësim i brendshëm ndaj ndryshimeve kushtetuese që i rekomandon “Marrëveshja për emrin”, thekson Nijazi Muhamedi.