Legjenda e ‘Djajve të Kuq’ shpreson që ata të fitojnë trofe të çmuar në fund të sezonit. Paul Scholes beson se Manchester United ka kualitetin e nevojshëm për të garuar në të gjitha kompeticionet dhe sipas tij ekipi i drejtuar nga Jose Mourinho ka mundësi për të triumfuar si në Premier Ligë ashtu edhe në Ligën e Evropës, transmeton KosovaPress. Në një intervistë për Goal, Scholes ka deklaruar: “Nuk besoj se synimi i vetëm i United është Liga e Evropës, pasi që ata janë në garë edhe për trofe të tjerë si Premier Liga, Kupa e Ligës dhe Kupa FA. Do të jetë e vështirë për ta, por unë mendoj se kanë skuadrën e duhur për të luftuar në të gjitha frontet”. “Në këtë fazë të stinorit lojtarët janë të përgatitur mjaftueshëm për ta përballuar orarin e ngjeshur. Stërvitjet janë shumë më të thjeshta pasi që atyre u duhet fokusi për lojë pasi që kanë takime, të shtunave dhe të enjteve dhe shpresoj që në fund t’ia dalin”, ka përfunduar ai.Scholes tashmë 42 vjeçar ka regjistruar në total 718 paraqitje me Manchester United në karrierën e tij 20 vjeçare ku ka realizuar 155 gola dhe ka fituar plot 11 herë Premier Ligën me ‘Djajtë’.