Tifozët dhe futbollistët e Manchester Unitedit i kanë kujtuar viktimat e tragjedisë në Munih, me rastin e 61-të vjetor të rrëzimit së aeroplanit me të cilin po udhëtonin lojtarët dhe stafi i klubit.
Klubi anglez e kujton këtë tragjedi çdo vit, pasi që aty kishin vdekur tetë futbollistë të Manchester Unitedit, që në atë kohë drejtohej nga Sir Matt Busby. Të vdekur kishin mbetur edhe tre zyrtarë të klubit dhe tetë gazetarë, transmeton Gazeta Express. Klubi e ka organizuar një ceremoni e cila do të mbahet në orën përkujtimore të Munihut në Old Trafford. Kjo ceremoni do të nisë në orën 15:40 dhe aty do të këndohet kënga e shkruar veçanërisht për këtë tragjedi, “Lulet e Mançesterit” (ang. The Flowers of Manchester).
Aeroplani i ekipit ishte rrëzuar menjëherë pasi ishte nisur nga aeroporti i Munihut. Ata po udhëtonin në kushte të vështira atmosferike, përderisa po ktheheshin nga Beogradi, ku e kishin zhvilluar një ndeshje kundër Crvena Zvezdas.
Gjithsej 23 persona vdiqën në atë tragjedi dhe 15 ditë pas aksidentit vdiq edhe Duncan Edwards, i cili konsiderohej si lojtari më i mirë i gjeneratës së tij. Lojtarët dhe ish-lojtarët e klubit i kanë dhënë nderimet e tyre përmes rrjeteve sociale.
“Në kujtim të #LuleveTëMançesterit”, shkruan faqja zyrtare e Manchester Unitedit.
“Ju deshëm atëherë, ju duam edhe sot. U prefshi në paqe”, shkruan Marcus Rashford.
“Gjithmonë në zemrat tona. Kurrë mos i harroni #LuletEMançesterit”, shkruan Jesse Lingard.
“Kurrë nuk do t’i harrojmë #LuletEMançesterit”, shkruajnë Victor Lindelof e Luke Shaw.
“Një aeroplan i thyer, një ëndërr e thyer, një zemër e thyer, një ekip i thyer, asnjë fjalë nuk u tha, një premtim i heshtur. Ju deshëm atëherë, ju duam edhe tani”, shkruan një tifoz i klubit.