Gjenevë, 8 nëntor 2018 – Numri i refugjatëve dhe emigrantëve nga Venezuela, të goditur nga kriza, prej gushtit e deri më tani u rrit për 700.000 persona, përkatësisht gjithsejt tre milionë njerëz e braktisën vendin, kumtoi sot Agjencia e KB-së për refugjatë (UNHCR).
“Ne vlerësojmë se 5.000 deri 6.000 persona çdo ditë e kalojnë kufirin e Kolumbisë”, deklaroi për DPA-në zëdhënësi i UNHCR-së, Uilliam Shpindler.
Nga gjithsejt tre milionë venezuelas, 2.3 milionë njerëz e braktisën vendin e tyre prej vitit 2015, theksoi Shpindler.
Edhe krahas rezervave të mëdha të naftës, Venezuela po vuan nga kriza ekonomike, politike dhe humanitare, me mungesë të madhe të mallrave elementare dhe inflacion të rritur.
Venezuelasit, gjithashtu ikin edhe nga represioni politik në vendin e tyre. Presidenti Nikolla Maduro akuzohet për shtypje të opozitës dhe tentim për krijim të diktaturës, thekson agjencia gjermane DPA.
Rreth një milion nga personat që e braktisën Venezuelën janë në Kolumbi, rreth 500.000 në Peru, 220.000 në Ekuador, 130 mijë në Argjentinë dhe nga 100 mijë venezuelas ndodhen në Kil, Brazil dhe Panama.
Shpindler paralajmëroi se vendet-nikoqire të refugjatëve po përballen me mjete të kufizuara dhe kanë nevojë për ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar