Gjenevë, 31 janar – Komisariati i lartë i KB-së për refugjatë (UNHCR) paralajmëroi për mundësinë e rritjes së retorikës për anti emigrim në vigjilje të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në maj edhe krahas rënies së numrit të emigrantëve në Evropë në vitin 2018.
“Rreth 116.000 emigrantë hynë në Evropë në vitin 2018, që është për më pak se 172.000 në vitin 2017, 360.000 në vitin 2016 dhe më shumë se një milionë në vitin 2015, kur kontinenti e përjetoi hyrjen më të madhe të emigrantëve që nga Lufta e Dytë Botërore, bëri të ditur UNHCR në raportin vjetor.
Komisari Filipo Grandi deklaroi se politizimi i emigrimit i pengon vendet që të lejojnë hyrjen “madje edhe të disa refugjatëve”, ndërsa shpresat që të arrihet deri në ndryshime para zgjedhjeve, në të cilat pritet që partitë populiste dhe euroskeptike të arrijnë rezultate të mira, janë shumë të vogla.
“Për fat të keq parashoh retorikë më të keqe në muajt në vazhdim”, tha Grandi.
Ai shtoi se retorika për anti emigrim ka sjellë shumë vota për disa politikanë, por se beson se mund të arrihet kompromis për çështjen e emigrantëve me deputetët evropianë pas zgjedhjeve në maj.
“Në fund, në interesin e secilit, madje edhe të liderëve populist, është që të gjejnë zgjidhje”, tha komisari Grandi.
Kandidatët dhe partitë populiste dhe anti emigrante në vendet si Polonia, Italia dhe Hungaria shpresojnë se do të fitojnë vende shtesë në Parlamentin Evropian.
Qeveria italiane, e cila erdhi në pushtet vitin e kaluar, i mbylli portet e saja për anije të cilat bartin emigrantë, që t’i detyrojë vendet tjera anëtare të BE-së që të marrin pjesë më të madhe të emigrantëve që kanë arrit nga Mesdheu.
Në raportin e UNHCR-së theksohet se numri i emigrantëve të vrarë gjatë kalimit në Mesdhe është rritur, edhe pse është ulur numri i emigrantëve të cilët vijnë.
Grandi tha se shkaku për këtë është fakti që numri i anijeve të cilat bartin emigrantë është ulur nga dhjetë në vitin 2015 në dy, si dhe ajo që njerëzit, për shkak të qëndrimit të fuqishëm të Italisë, po tentojnë që të arrijnë deri në Evropë nëpërmjet rrugëve të tjera të rrezikshme.