UNHCR: Hungaria të heqë dorë nga rregullat e rrepta për azil

23

Gjenevë, 30 qershor – Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) i bëri thirrje kryeministrit hungarez Viktor Orban që të heqë dorë nga rregullat e rrepta për azil, të cilat e shkelin të drejtën ndërkombëtare.

Hungaria muajin e kaluar i mbylli të ashtuquajturat zona transiti për emigrantë, liroi rreth 300 refugjatë, por vendosi rregulla dhe praktika më të rrepta për kërkesat e ardhshme të azilit, sipas të cilave kërkesa për azil të dorëzohet në konsullatat e vendeve fqinje, e jo në kufirin hungarez.

“Kjo do të mund t’i ekspozonte kërkuesit e azilit në rrezik nga dëbimi dhe trajtimi i keq, që është shkelje e Konventës për Refugjatë nga viti 1951 dhe instrumente të tjera ndërkombëtare dhe rajonale për të drejtat e njeriut, nënshkrues i të cilës është edhe Hungaria. Mundësia për qasje deri në territorin është parakusht kyç për të drejtën për kërkesë për azil”, bëhet e ditur në kumtesën e UNHCR-së.

Zëdhënësi i Qeverisë hungareze thotë se rregullat e reja iu ofrojnë mundësi kërkuesve të azilit që kërkesat e tyre t’i dorëzojnë në mënyrë të rregulluar.

“Migrimi ilegal është në kundërshtim me rregulloret hungareze dhe të Bashkimit Evropian. Për shkak të kësaj, në përputhje me qëndrimin e popullit hungarez, Hungaria do të vazhdojë t’i mbrojë kufijtë e Shengenit të BE-së nga emigrimi ilegal”, bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë hungareze.