Ylli i Real Madrid, Cristiano Ronaldio, e ka quajtur veten lojtarin më të mirë të historisë së futbollit. Të enjten, ai fitoi Topin e Artë për herën e pestë dhe ka barazuar rekordin e rivalit të tij më të madh, Lionel Messi. “Jam më i miri në histori, në momentet e mira dhe të këqija”, ka thënë CR7 për “France Football”, revista që organizon dhënien e trofeut prestigjioz. “I respektoj preferencat e të gjithëve, por nuk kam parë kurrë asnjeri më të mirë se unë. Nuk ka asnjë lojtar më të kompletuar se unë. Unë luaj me të dy këmbët, jam i shpejtë, i fuqishëm, i fortë me kokë, shënoj gola, jap asiste. Ka nga ata që preferojnë Neymar-in ose Messi-n. Por unë mund t’ju them se nuk ka asnjë më të kompletuar se unë”.
“Askush nuk fituar më shumë trofe individualë se unë. Dhe nuk po flas vetëm për Topin e Artë. Kjo do të thotë diçka, apo jo? Nuk është vetëm rezultati i punës që bëj në palestër, siç mendojnë pjesa më e madhe e njerëzve. Është totali i shumë gjërave. Legjenda si Floud Mayëeather dhe LeBron James nuk arrijnë aty ku kanë arritur falë fatit. Janë shumë faktorë që ndikojnë. Të jesh në majë dhe të qëndrosh aty, duhet të kesh më shumë talent se të tjerët”.
Ronaldo ka pranuar se në një fazë të karrierës së tij ai ka qenë “i demoralizuar” dhe se nuk donte të shkonte në ceremonitë kur Messi fitonte ndaj tij çdo vit. “E fitova Topin e Artë para Messi-t, më pas ai ma kaloi dhe fitoi katër radhazi”, ka vazhduar Ronaldo. “Nuk mund ta fsheh se kam qenë i zemëruar. Kam shkuar në ceremonitë e dhënies së çmimit dhe nuk kam fituar asnjëherë. Në një moment të caktuar u ndjeva i demoralizuar. Nuk kisha më dëshirë të shkoja, nuk më interesonte të shfaqesha sa për të bërë fotografinë tradicionale. Më pas, hap pas hapi, falë atyre që më rrinë afër, i thashë vetes se në jetë ka një fillim dhe një fund. Dhe në futboll ka më shumë rëndësi si e mbyll dhe jo si e fillon. U tregova i duruar dhe fitova katër Topa të Artë të tjerë”.
Cristiano ka thënë se fitoret e Real Madrid e kanë ndihmuar ta fitonte çmimin prestigjioz këtë vit, por ka pranuar se do të jetë shumë e vështirë që ta bëjë një gjë të tillë vitin e ardhshëm. “E dija se, nëse do të fitoja Champions League, do të bëja një hap tjetër drejt Topit të Artë. Ne fituam dhe unë kam qenë përsëri golashënuesi më i mirë i kompeticionit. Për më tepër, kam shënuar dy gola në finale. Ai ka qenë çelësi. Nuk e di nëse mund ta fitoj vitin e ardhshëm. Ka aq shumë kompeticione për të luajtur me Real-in, më pas është Kupa e Botës me Portugalinë. Botërori do të jetë thelbësor për Topin e Artë. Imagjinoni sikur Real të fitojë Champions League përsëri dhe unë të jem përsëri golashënuesi më i mirë, por të paraqitem keq në Kupën e Botës. Ose e kundërta. Fitorja e kampionatit nuk do të mjaftojë, do të duhet më shumë se kaq”.