Liderët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor mbrëmë në Samitin përmbyllës në Londër në kuadër të Procesit të Berlinit krahas konfirmim për angazhimin e bashkëpunimit rajonal, dërguan edhe mbështetje unanime për Marrëveshjen e Prespës dhe zbatimin e saj me vlerësimin se guximi i kryeministrave Zaev dhe Cipras është model për zgjidhjen e çështjeve edhe më të ndërlikuara bilaterale.
Kryeministri Zaev, i cili në Samit e kryesoi delegacionin qeveritar të Maqedonisë, pati fjalim në panel me temë “Politika e jashtme, çështjet bilaterale dhe trashëgimia nga e kaluara”, me të cilin kryesoi kryeministrja britanike, ku vend të veçantë zuri pikërisht Marrëveshja për kontestin e Maqedonisë dhe Greqisë për emrin dhe për partneritetin strategjik midis dy vendeve, e nënshkruar më 17 qershor në Prespë. Në sesion, ai theksoi se Marrëveshja gjegjësisht është kontributi më i mirë për modele të reja të sjelljes dhe për vendosjen e miqësive të reja dhe marrëdhënieve midis shteteve dhe politikanëve.
“Me kryeministrin Cipras zgjodhëm të lëmë zgjidhje, si gjurmë pas nesh. Zgjidhje për qytetarët tanë dhe për shoqëritë tona, dhe jo për ne dhe për partitë tona politike. Të tillë janë liderët e Evropës. Çfarë do të ishte Evropa sot nëse nuk ishin liderët të cilët në skenën politike dilnin me gjurmë për t’u mbajtur në mend, gjurmë për të cilat ne sot i gëzojmë frytet e vizionit të tyre? Çfarë do të ishte Evropa sot nëse në skenën politike dilnin persona të vetpëlqyer, politikanë me pikëpamje të shkurtër, pa vizion?”, theksoi kryeministri Zaev.
Ai shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme që këtij procesi ia dhanë liderët e vendeve anëtare të BE-së, mbështetjen e liderëve të BE-së dhe për mbështetjen e liderëve të fqinjëve tanë dhe miqve të Ballkanit Perëndimor. Njëherësh, ju bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të bashkohen rreth bashkëpunimit rajonal dhe rreth faktit se historia është pjesë e rëndësishme e indetiteteve tona, por asnjëherë nuk mund ta zë vendin e të ardhmes sonë.
Në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në Londër, Zaev pati takim me përfaqësuesit e Grupit të Ohrit, miqtë dhe mbështetësit e Maqedonisë të kryesuar nga ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Xhorxh Robertson në të cilin ata porositën se progresi i Maqedonisë nuk do të ishte i mundur nëse nuk ishte lidershipi i guximshëm dhe realizimi i suksesshëm i reformave.
Në takimet diplomatët dhe politikanët me përvojë, përfaqësues të më shumë organizatave ndërkombëtare e kanë theksuar rëndësinë historike të marrëveshjes së arritur me Greqinë e cila i hapi dyert për anëtarësim në NATO dhe datën për negociata me BE-në.
Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dje në debatin i cili u mbajt në kuadër të Samitit “BE – Ballkani Perëndimor” në Londër, duke iu përgjigjur pyetjes theksoi se referendumi paraqet udhëkryq historik dhe se të mëdha janë mundësitë që qytetarët ta mbështesin marrëveshjen.
“Një prej leksioneve kryesore në të kaluarën ishte se si përdorej nacionalizmi për mbulimin e korrupsionit dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Kjo është luftë midis të kaluarës dhe të tashmes, nacionalizmit dhe patriotizmit, ndjenjës se jemi viktimë, se fqinjët janë të këqij. Do ta bëjmë më të mirën dhe besoj se do të jetë e mjaftueshme. Besoj se njerëzit në Maqedoni në të kaluarën kanë bërë zgjedhje të mençura për udhëkryqe të tilla historike. Më mirë është opozita më shumë të mendojë në vendin sesa në karrierën e saj politike, por të gjithë do të piqemi në këtë proces”, tha Dimitrov.