Banorët dhe kreu i Komunës së Tearcës, Isen Asani, u kanë dhënë ultimatum Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore që të mos fillojnë me asfaltimin e rrugës derisa nuk rregullohet edhe çështja e rregullimit të gypave, të cilët tashmë janë dëmtuar edhe nga mbipesha e automjeteve të rënda që kalojnë në këtë rrugë
Urim HASIPI
Tetovë, 11 prill – Këtyre ditëve ka filluar rikostruimi i rrugës regjionale Përshefcë-Jegunoc. Punimet financohen nga ana e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, kurse punimet i kryen kompania “Ekskavatori”. Por me fillimin e punëve, banorët e fshatrave Përshefcë dhe Gllogjë kanë dalë në protesta dhe kanë bllokuar këtë aks rrugor, shkruan gazeta KOHA.
Ata janë të revoltuar që gjatë punimeve nuk riparohen gypat për vaditje në shtatë vende. Shumica e këtyre gypave tashmë janë edhe të dëmtuar dhe jashtë funksionit. Kjo u pamundëson atyre që të ujisin rreth 1500 hektarë tokë të mbjellur.
“Fillimisht kur është bërë projekti, është dashur që të bëhet sanimi i gypave dhe më pas të fillohet me asfaltimin. Këtu është filluar mbrapsht, pra asfaltimi dhe më pas sanimi të bëhet, ku do të duhet leje e veçantë. Neve këta gypa na nevojiten për vaditje. Këta gypa janë me dekada dhe tash të dalin jashtë funksionit kjo nuk është normale”, tha Qamil Asani, kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Përshefcë. Në ndërkohë, banorët e fshatit Gllogjë janë shprehur se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, do të dalin në protesta edhe më radikale.
“Nëse kjo nuk mjafton, atëherë ne do të dalim të protestojmë edhe në rrugën kryesore Tetovë-Jazhincë. Më pas, nëse nuk merren masa – do të protestojmë edhe në Tetovë”, deklaroi Sadik Sadiku, banor i fshatit Gllogjë. Nuredin Abduli, banor i Përshefcës ankohet se nga e gjithë kjo situatë e nisur mbrapsht do të pësojnë tokat e tyre.
“Kemi shumë tokë të mbjellur, e cila vaditet nga këta gypa. Nëse mbyllen tash, ne nuk do të kemi me çka të ujisim tokat tona. Në këtë kohë ka shumë ujë dhe i njëjti ka vërshuar gjithandej për shkak të mos pasjes së gypave. Kur do të vjen koha për vaditje, ne nuk do të kemi ujë dhe pikërisht për këtë ne protestojmë dhe kërkojmë që të merren masat tash sa nuk është vonë”, tha Abduli. Në krah të banorëve ka dalë edhe kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani. Ai është shprehur se ka dërguar kërkesë deri tek Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore, por përgjigje nuk ka.
Sipas tij, është dalur në vendngjarje dhe është konstatuar se gypat janë jashtë funksionit dhe duhet që të njëjtat të rregullohen. Ai u ka premtuar banorëve se nuk do të lejohet asfaltimi i rrugës nëse nuk zgjidhjet kjo çështje. “Neve si komunë, dy javë më parë kemi pranuar kërkesë në rrugë zyrtare nga dy bashkësitë lokale, respektivisht nga fshati Përshefcë dhe Gllogjë lidhur me punët që kryhen në këtë rrugë regjionale dhe ne dërguam ekipet profesionale ku edhe është konstatuar gjendja faktike. Në këtë rrugë ka të vendosur gypa për vaditje dhe ato janë vendosur para 5 dekadave dhe janë jashtë funksionit. Pas kësaj, ne kemi dërguar shkresë tek Agjencia për rrugë shtetërore, por përgjigje nuk kemi marrë. Ne i informuam banorët për këtë situatë dhe sot kemi dalë në protestë për të shprehur edhe pakënaqësinë tonë. Ne si komunë përkrahim këtë kërkesë sepse është shumë reale. Gypat janë të dëmtuar dhe jashtë funksionit dhe banorët kërkojnë që të sanohen të njëjtit”, tha Asani.
Banorët e këtyre fshatrave u kanë dhënë afat autoriteteve të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore që nëse ata nuk e rregullojnë këtë problem, atëherë ata vet do të ndërmarrin hapa më radikal. Po ashtu, banorët dhe kreu i Komunës së Tearcës, Isen Asani, u kanë dhënë ultimatum Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore që të mos fillojnë me asfaltimin e rrugës derisa nuk merr epilog ky problem dhe të rregullohet edhe çështja e rregullimit të gypave, të cilët tashmë janë dëmtuar edhe nga mbipesha e automjeteve të rënda që kalojnë në këtë rrugë. (koha.mk)