Profili i saj është i një zonje të vërtetë. Dikur e shihnim nëpër konferenca për media si zëdhënëse të Qeverisë së Kosovës, mirëpo sot – Ulpiana është një diplomate shumë e zonja e angazhuar për momentin si ministër këshilltarë në ambasadën e Kosovës në Paris. Në një bisedë shumë interesante mbi jetën e saj kemi folur për InfraRed të gazetës KOHA për të njohur më shumë Ulpianën me shumë sharm e klas…
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Kemi kuptuar që veshja është e rëndësishme për ty. I bën vetë blerjet apo ke një stilist që kujdeset për imazhin tënd?
Vetë sigurisht. Nuk kam portofolin për të paguar një stilist. Mirëpo besoj se nuk vuaj nga mungesa e shijes. Në çdo rast, edhe kur portofoli e lejon, është mirë që shija të kultivohet e jo të blihet (ndryshon puna me dinjitarë të lartë, prezantimi i të cilëve në publik parashihet nga protokolle shtetërore). Kultivimi i shijes kushton. Kushton kohë dhe para: orë në libra të lexuar, galeri artistike të vizituara, salla koncertale e muzikë të dëgjuar, kureshtje e sens vëzhgues në udhëtime. Nga ana tjetër, kultivimi i shijes është shumë më shpërblyes sesa ‘blerja’ e saj, sepse kultivimi i shijes do të thotë akumulim i përvojave dhe pasurim i brendshëm.
KOHA: Po stili vjen me kohën?
Po. Me zhvillimin personal, njohjen e botës si dhe të vetes në kuptim të imazhit që dëshiron të projektosh dhe morfologjisë fizike.
KOHA: Cilat janë pasionet e tua?
Nuk di të them. Etimiologjikisht fjala “pasion” lidhet me vuajtjen, me një prirje thuajse opsesive dhe te parezistueshme. Një dashuri është pasionante. Kemi pasion kur jemi të dashuruar. Talenti, gjenialiteti të çojnë pashmangshmërisht drejt pasioneve. A mund te imagjinoni Ajnshtajnin, psh, pa pasionin për kërkimin? Apo Nënën Terezë t’u shërbente më të varfërve pa pasionin për Krishtin dhe njeriun? Në këtë kuptim të thellë të fjalës pasion, druaj se nuk mund ta kualifikoj veten si person pasionant. Etik, por jo pasionant.
KOHA: Të pëlqen të gatuash?
Me raste. Më pëlqen të ha mirë dhe kjo më bën të gatuaj mirë.
KOHA: I përgatit vetë?
Po. Por nuk bëj kurrë rezistencë kur gjej të gatshme nga dikush.
KOHA: Po apartamentin (shtëpinë) e mban vetë?
Shumicën e kohës. Ndonjëherë kërkoj ndihmë.
KOHA: Të pëlqen të bësh në shtëpi nga këto organizime?
Të themi më pëlqen të krijoj atmosferë. Festat e mia nuk janë të çmendura, janë të ngrohta.
KOHA: A ka Ulpiana një mikeshë?
Kam dhe janë shumë të rëndësishme në jetën time. Dashuria, në kuptimin e erosit, përfundon. Miqësitë janë forma të dashurisë jo-pasionante (philia, për të cilën flitej në antikitet) dhe si të tilla kanë shansin të jetojnë gjatë. Shans që duhet ushqyer, përmes të qenit sinqerisht i pranishëm në jetën e tjetrit. Të ndash, është të duash.
KOHA: Si është dita jote sot kur je diplomate?
Punë, organizim ngjarjesh, komunikim, kontakte, lexime. Nuk është gjithmonë e lehtë – të ruash aktive disa gjuhë, të lexosh rreth shume vendeve – atij ku shërbej (Francës), vendit të cilit i shërbej (Kosovës), Ballkanit dhe botës. Pastaj një kryeqendër e madhe është tepër kërkuese, sado të bësh e të japësh nuk është kurrë mjaftueshëm.
KOHA: A del gjithmonë vetëm apo me shoqërues?
I gëzohem shoqërisë, nuk i trembem vetmisë.
KOHA: E ke problem të të ndalojnë në rrugë, të të flasin, të bëjnë foto?
Varet. Nëse jam me nxitim po. Nëse jam në pritje, jo. Fotot më bezdisin deri-diku. Eshtë një spontanitet të cilin nuk e pëlqej.
KOHA: Çfarë muzike dëgjon?
Gjithçka. Play-lista ime huton. Ka hip-hop, reggae, R&B, dance, muzikë të lehtë qytetare, por sidomos soul, jazz, bossanova, klasike veçanërisht barok, relaks (joga, meditim). Në vend të fjalës “rrëmujë” apo “mish-mash” më pëlqen të përdor fjalën “eklektike”
KOHA: Cila është lumturia?
Lumturia është e pandashme ndaj edhe e pa përgjithësueshme. Nuk mund të jap asnjë përkufizim për lumturinë. Të jetosh momentin, t’i gëzohesh një dite të bukur, një takimi, të arrish një sukses në konstruksionin e vizionin që ke për jetën, të ndihmosh dikë, të jesh i ndihmuar nga dikush dhe mirënjohës për këtë, të mësosh diçka të re, të gjitha këto mund të jenë copëza lumturie. Besoj se lumturia është kërkim më tepër se sa gjendje, kapacitet (i lindur), por edhe orientim. Orientim drejt vlerave të vërteta, të brendshme dhe jo të jashtme e kalimtare si të tilla.
KOHA: Tipari që nuk të pëlqen te vetja?
Limontia, që më kap me raste.
KOHA: Po te të tjerët?
Oh varet nga personi. Por duhet pasur tolerancë ndaj atyre defekteve të natyrës personale që nuk cenojnë lirinë e tjetrit. Bashkëjetesa – në jetën personale dhe shoqërore – varet nga aftësia për të toleruar.
KOHA: A ka gjëra tek të cilat e tepron?
Po. Përpiqem të punoj me veten. Pyetja që bëj në kësi rastesh është “a kam vërtet nevojë”?
KOHA: Çfarë do te shtynte të gënjeje?
Mungesa e energjisë për t’u marrë me shpjegime rreth situatave banale.
KOHA: Je penduar për ndonjë gjë?
Po. Shpesh. Mirëpo a nuk është reflektimi ndaj një fjale të thënë apo të pathënë, një vepre të bërë apo të mosbërë që na ndihin në vetë-korrigjim? Thënë kjo, nuk e teproj me ndjenja pendese. Pendesa është abdikim nga të jetuarit dhe të vepruarit.
KOHA: Arritja më e madhe?
Ruajtja e një ekuilibri të brendshëm pavarësisht çka ndodh jashtë dhe nga të tjerët.
KOHA: Gjëja më e shtrenjtë?
Të dashurit e zemrës.
KOHA: Mjerimi më i madh te një person?
Mungesa e integritetit.
KOHA: Cilësia juaj më e veçantë?
Nuk di nëse është më e veçantë por një që më pëlqen dhe e kultivoj – kërkimi i zgjidhjeve win-win, ku të gjitha palët janë fituese.
KOHA: Cili është shkrimtari i preferuar?
Oh shkrimtarët e mëdhenj janë, metaforikisht, si udhëtimet në kozmos: secili prej tyre një univers të cilin e zbulon dhe ndjehesh me i pasuruar. Janë të shumtë për mua ndaj do zgjedh disa gra, të gjeografike dhe letërsive krejt të ndryshme, por të fuqishme: dy Margarita (Atwood dhe Yourcenar) dhe një Ornelë (Vorpsi).
KOHA: Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Frymëzime do thosha. Individë që më mahnitin – si kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern për shembull këtë muaj; fituesja e Nobelit për kimi Frances Arnold, e cila pavarësisht situatave ndër më traumatike në jetën e një personi si vetëvrasja e bashkëshortit, vdekja e djalit dhe kanceri i gjirit, ka gjetur forcën të vazhdojë (dhe sa bukur!) jetën; Elizabeth Gowing – një angleze e cila kujdeset për mirërritjen dhe shkollimin e fëmijëve romë në Fushë-Kosovë; Vasfije Krasniqi – e mbijetuara e përdhunimit e cila tani është bëri zëri i 20 mijë si-shoqeve të saj; Ganimete Tërbeshi, tezja e tim eti e cila la jetën në litar, varur nga fashistët, për parime, në moshën 17 vjeçare…Gjyshja dhe prindërit e mi.
KOHA: Rrugëtimi i preferuar?
Ai drejt kujtimeve të fëmijërisë dhe momenteve diellore të jetës.
KOHA: Të pëlqejnë udhëtimet?
Udhëtimet janë shumë të dobishme, e vënë imagjinatën në punë. Gjithçka tjetër është zhgënjim dhe lodhje. OK, e huazuar si shprehje, por përshkruan çka ndjej rreth udhëtimeve.
KOHA: Cila është motoja jote?
Jeta është një “sipërmarrje”, ku gjysmën e aksioneve e fusim ne dhe gjysmën fati.