Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 janar – Paguaj një merr dy, çdo gjë me gjysmë çmimi, koleksioni i ri me çmime të vjetra, lirime dimërore apo verore , të vitit të ri. Këto janë vetëm një pjesë e mesazheve të rrejshme që i përdorin disa nga dyqanet, me qëllim të tërheqin blerës të ri, shkruan gazeta KOHA. Qytetarëve për çdo vit nga tregtarë të caktuar u ofrohen zbritje prej 20 deri 70 për qind në dyqane të cilat merren me shitjen e produkteve të ndryshme, por jo çdo herë ato çmime janë të sakta apo edhe produktet e tilla mund t’i blesh me ato çmime që reklamohen. Qytetarët dëshpërohen kur, duke menduar se do të blejnë prodhime me zbritje, hyjnë në dyqan dhe shohin se vetëm një pjesë e vogël e prodhimeve ka lirim të tillë, edhe në pse në vitrinat ku është ekspozuar malli qëndrojnë reklama të mëdha për zbritje për tërë mallin, ndërsa në momentin kur vijnë te arka konstatojnë se lirimi vlen vetëm për prodhime të caktuara. Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut thonë se në vazhdimësi kryejnë kontrolle të rregullta dhe të jashtëzakonshme, ndërsa në kohët e fundit janë dënuar katër firma për lirime të rrejshme. Gjoba është afër 700 euro, ndërsa dënohet pronari i firmës, personat përgjegjës dhe kompania. Inspektorët e tregut kanë realizuar në tremujorin e fundit të vitit 2016 mbi 115 mbikëqyrje ku janë konstatuar katër parregullsi, gjegjësisht subjekti i mbikëqyrjes nuk e ka theksuar çmimin e mëparshëm. Parregullsia e dytë është që tregtari fizikisht nuk i ka ndarë prodhimet që janë vendosur në shitje me lirim nga ato që nuk janë në shitje me lirim. Gjithashtu një pjesë e tregtarëve, nuk theksojnë në vend të dalluar dhe në mënyrë të qartë lajmërimin se bëhet fjalë për shitje me lirim thonë nga Inspektorati i tregut. Në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, nëse Inspektorati Shtetëror i Tregut gjatë kryerjes së mbikëqyrjes së inspektimit konstaton parregullsi në pjesën e uljes së çmimeve, do të realizojë procedurën e edukimit. Në rast se subjekti i mbikëqyrjes, gjegjësisht personi juridik nuk vepron sipas procedurës së edukimit, atëherë në afat ligjor prej tetë ditësh, inspektori do të fillojë me procedurën kundërvajtës. Gjobë në vlerë prej 700 euro në kundërvlerë të denarit do t’i shqiptohet për kundërvajtje personit juridik, gjegjësisht tregtarit dhe gjobë prej 30 për qind të shumës së gjobës së shqiptuar do t’i shqiptohet personit juridik.
Në ndërkohë, Shoqata e konsumatorëve apelon që qytetarët të kenë kujdes që gjatë zbritjeve të ndryshme që zakonisht ofrohen në verë apo dimër, të mos jenë viktima të mashtrimeve të rrejshme, pasi ndodh që konsumatori të mashtrohet të blejë prodhimin e caktuar, duke mos pasur informacione të mjaftueshme për mallin që shitet në zbritje.
Konsumatorët, në radhë të parë, duhet të dinë që të mbrojnë vetveten, duke i kushtuar më shumë kujdes shitblerjeve ku ofrohet mall me lirim në shitje. Zbritjet janë të rregulluar me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit dhe përcaktojnë që gjatë zbritjeve duhet të theksohet çmimi i ri krahas çmimit të vjetër, që është fshirë ose të theksohet përqindja e uljes së çmimit dhe çmimi i ri krahas çmimit që është fshirë më parë. Si çmim i mëparshëm llogaritet ai të cilin tregtari e ka zbatuar 30 ditë para fillimit të zbritjeve të prodhimeve dhe nuk mundet si çmimi i mëparshëm të merret çmimi i parë me të cilin tregtari ka filluar të shesë prodhimin, ndërsa në të kundërtën merren masa të përcaktuara me ligj thonë në Organizatën e Konsumatorëve të Maqedonisë.
“Si çmim paraprak llogaritet ai që tregtari e ka zbatuar 30 ditë para reklamimit të shitjes me lirim të prodhimeve. Përqindja e uljes së çmimit që është publikuar në këtë interval duhet t’i përgjigjet së paku një të pestës të gjithë prodhimeve që shiten me lirim”, thotë për KOHA kryetarja e Organizatës së Konsumatorëve të Maqedonisë, Marjana Llonçar-Vellkova. Ndryshe, në vitet e kaluara materialet reklamuese ofronin listë me prodhimet që shiten me lirim, që kur hyni brenda në shitore sapo janë harxhuar, ofroheshin edhe reklama me lirime të përcaktuara deri tek një përqindje më e madhe si dhe përqindjet e rrejshme. Këto ishin disa nga mashtrimet më të mëdha të tregtarëve që të detyrojnë konsumatorët të frekuentojnë dyqanet. Gjithashtu shpesh nëpër dyqane mund të vërehet se në vend të vitrinës së zakonshme shpesh nëpër shitore janë të vendosura vetëm pllakata ku thuhet sa është lirimi për prodhime të caktuara. Sipas Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, gjatë shitjes me lirim, tregtarët janë të obliguar që në shënimet që udhëzojnë në shitjet me lirim, gjegjësisht në uljen e çmimeve, pavarësisht a është ulja e shprehur në përqindje apo si shumë, të theksojnë çmimin e vjetër dhe të ri, gjegjësisht përqindjen e uljes deri te çmimi që vërehet që mund të jetë edhe i shlyer apo i fshirë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.