Shkup, 18 dhjetor – Gjendja e rëndë ekonomike me të cilën po përballen qytetarët ka ulur dukshëm edhe punën në tregun e Bitpazarit. Shitësit e anketuar ankohen se gjendja ekonomike e popullatës po reflektohet shumë edhe në punën tyre, pasi siç shprehen ata, edhe pse çmimet janë më të ulta në krahasim me vitin e kaluar, përsëri shitjet kanë shënuar rënie të madhe. Ka të atillë që pyesin, por që nuk blejnë, ose blerjet janë nën një koligram dhe jo si dikur, kur mbusheshin qeset plotë e përplot, sidomos me fruta.
“Çmimet nuk janë shumë të larta, janë të volitshëm. Por njerëzit nuk kanë të holla, papunësia është shumë e madhe. Blerës si çdo vjet edhe sivjet ka, por problemi është se shitjet janë në sasi më të vogla, pazari është shpërndarë dhe janë hapur shumë supermarkete. Për këtë shkak, në pazar malli shumë pak shitet. Zakonisht konsumatorët blejnë produktet me oferta, psh 3 kg për 100 denarë, ose edhe me punë gramësh”, tha një shitës.
Ata po ashtu kanë thënë se arsye tjetër për shitjen e dobët është edhe eksporti i dobët, konkretisht i mollëve sivjet që nuk janë tregtuar jashtë vendit sikurse viteve tjera. “Këtë vit mollët janë me çmime të lira dhe me kualitet më të mirë, për shkak se sivjet ka trefish më shumë molla. Mollët i marrim nga tregtarët e shumicës nga Ohri, Prespa dhe Manastiri. Eksporti i dobët është arsye e çmimeve të lira, sepse produktet mbeten vetëm në Maqedoni dhe nuk eksportohen në vendet tjera”, deklaroi një shitës.
Megjithëse krahasuar me vitet e kaluara, çmimet sivjet janë shumë më të ulëta, gjendja e rëndë ekonomike e qytetarëve ka ndikuar në uljen e shit-blerjeve nëpër tregje, konkretisht në Bitpazar, si tregu më i madh i vendit. (koha.mk)